21-vjeçarja nga Dajçi i Lezhës rrëfen për Report Tv pasionin për endjen në tezgjah! Mesazh rinisë: Përkushtojuni traditës

22 Shkurt 2023, 18:36| Përditesimi: 22 Shkurt 2023, 19:00

  • Share

Emanuela Jaku nga Dajçi i Lezhës është vetëm 21-vjeç dhe ka pasion endjen në tezgjah. Ajo është studente e degës Matematikë-Fizikë dhe kohën e lirë ja kushton artizanatit që sipas saj janë të lidhura me njëra-tjetrën. E frymëzuar nga një grua e fshatit, Emanuela nisi ta mësojë këtë zanat 4 vite më parë dhe sot e ushtron me përkushtim e pasion.

‘E kisha si pasion. Shikoja Mozën që punonte dhe me mendjen time thoja pse të mos e provoj edhe unë.  Është diçka e re, diçka e bukur aq më tepër që përfaqëson traditën’- Emanuela Jaku.

Emanuela është një nga artizanet më të reja në moshe dhe fillimi nuk ka qenë asak i lehtë për të. Të njohurit dhe shoqëria fillimisht e shihnin me habi, teksa nisi të merrej me këtë profesion të vjeter i cili për fat të keq në ditët e sotme është drejt zhdukjes.

‘Është e vështirë dhe mundohemi t’i japim rëndësi cilësisë dhe çdo gjë do shumë durim.’- tha Jaku.

Puna në tezgjah kërkon përkushtim dhe durim, por më së shumti kërkon ta duash atë. 21-vjeçaren e gjejme duke punuar një strajce, një punë artistike mjaft e vështire që kërkon kohë thotë Emanuela.

 ‘Është gjithçka me numërim me llogaritje. Mundësisht modelet nxirren para në një fletë. Që të jetë më e qartë se çfarë kam për të bërë. Tani jam mësuar, por në fillim ishte shumë e vështirë. Sepse një të dalë gabim, nuk del forma dhe gjithçka prishet.’- u shpreh Jaku.

Ndërsa thotë se nuk do t’i ndalet artizanit, Emanuela Jaku ka një mesazh për bashkëmoshataret e saj.

‘Nuk do të heqë dorë nga kjo punë se më pëlqen shumë. Duhet të vijnë sa më shumë të rinj, të afrohen. Nuk është ndonjë punë që ka shumë të ardhura ne Shqipëri, por është diçka ndryshe. Dhe me u përkushtu si i ri, ja vlen qe të tregosh se di ta bësh.’- tha Jaku.

Zadrima e Lezhës është një zonë me traditë artizanati dhe pavarësisht vështirësive, me shumë sakrifica ky profesion po vazhdon të mbahet gjallë edhe në ditët e sotme. Mimoza Pjetraj është një prej artizaneve të vjetra që tezgjahun po e përcjell edhe tek brezit i ri.

 ‘Kanë parë që ne bëjmë gjëra edhe për të reja, kanë filluar ta duan si zanat. Synimi im ka qenë tek moshat e reja, këtu ka qenë këmbëngulja ime e besoj se ia kam arritur.’- u shpreh artizania Mimoza Pjetraj.

Artizanët kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti me qëllim kapërcimin e vështirësive e që tradita të mos humbasë, port ë trashëgohet edhe tek të rinjtë.  

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?