Klevis Balliu i ‘Rithemelimit’ të Berishës ka deklaruar sot se emërimi i Neritan Nallbatit në postin e drejtorit të Policisë Kriminale është skandali i radhës i qeverisë Rama. Sipas tij Nallbati njihet si mbështetës i pandërprerë i aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarve të botës së krimit në Polici, prej se drejtonte Policinë e Durrësit,” tha Balliu
“Neritan Nallbati emërohet drejtor i Policisë Kriminale, në institucionin me demek të reformuar të Gledis Nanos, edhe pse ai u largua në vitin 2003 si bashkëpunëtor i Hakmarrjes për Drejtësi. Nallbati është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan. Aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”. Sipas raporteve mediatike dhe konfidenciale, Neritan Nallbati e ka vazhduar pa ndërprerje rolin e mbështetësit të aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarit të botës së krimit në Polici, edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit.
Që prej tetorit 2021 në portin më të madh në vend ka pasur një rritje eksponenciale të trafikut të drogës. Emërimi i tij në krye të policisë kriminale është rasti i përsëritur i promovimit të korrupsionit në hierarkinë e lartë të Policisë së shtetit. Është tregues se nuk është gara dhe ndershmëria që të ndihmon të bësh karrierë, por përfshirja në afera dhe korruptimi thelbësor.
Partia Demokratike dënon vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili paraqitet në Tiranë si i preferuari i FBI-së amerikane. Një si Neritan Nallbati nuk do të pranohej as roje në oborrin e FBI, dhe jo më hierarki i lartë. Absurde është që një të dyshuar dhe të shkarkuar për lidhje me krimin të emërosh në krye të luftës kundër krimit. Ne dënojmë edhe kriminalizimin e uniformave blu, dhe në të njëjtën kohë theksojmë se trupa e policisë nuk është e korruptuar. Në të ka profesionistë të përkushtuar dhe atdhedashës të ndershëm. Shefat e tyre, nën shembullin më të mirë të shefave politikë në parti, e kanë kthyer armën e policisë në një paradhomë partiake, ku u merret nderi edhe atyre edhe Shqipërisë. Me policë si Neritan Nallbati në krye të punëve, Policia dhe Shqipëria janë në rrezik”, tha Balliu.
Lajmi kryesor:
Ndryshime në policinë e shtetit, ikën Tonin Vocaj si drejtor i policisë kriminale! Zëvendësohet nga Neritan Nallbati
K.T.//ReportTv.al