"Ina Majko është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian". Kështu shkruan kryeministri Edi Rama pas emërimit të saj si zëvendësministre në ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke ritheksuar se priten edhe ndryshime të tjera në qeveri.
Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se Majko është e para nga komuniteti rom që i bashkohet kabinetit qeveritar në historinë e vendit. Duke vënë theksin se është rritur mes paragjykimesh, Rama shkruan se ajo është përzgjedhur jo më kot që të merret me çështjet që kanë të bëjnë me shtresat më në nevojë.
Mes të tjerash, kreu i qeverisë shton se shpreson që Majko të jetë një vlerë e shtuar në punën e ministrisë.
“Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.
Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.
Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.
Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.
Ina Majko kandidoi në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Vlorës, por nuk mundi të sigurojë një vend në parlament.
Postimi i kryeministrit Rama
Komente
