Foto ilustruese

Bota

Emigracioni i paligjshëm, Britania e Madhe sanksione ndaj bandave: Ndalim hyrjeje në vend dhe ngrirje asetesh

22 Korrik, 13:29| Përditesimi: 22 Korrik, 13:36

  • Share

Çdokush që ndihmon në kalimin e paligjshëm të migrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar do të përballet me ngrirje të aseteve, ndalim udhëtimi dhe përjashtim nga sistemi financiar britanik. Regjimi i parë në botë i sanksioneve kundër bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të paligjshëm do të nisë nga e mërkura e 23 korrikut. 

Qeveria britanike do të zbatojë sanksionet e para ndaj individëve dhe grupeve që përfshihen në furnizimin me varka të vogla, tregtinë e pasaportave të falsifikuara apo dërgimin e pagesave përmes rrjeteve të parregullta financiare, në kuadër të “Planit për Ndryshim”.

“Për shumë kohë, bandat kriminale kanë mbushur xhepat e tyre të korruptuar dhe kanë shfrytëzuar shpresat e njerëzve vulnerabël pa u ndëshkuar. Ne nuk do ta pranojmë këtë gjendje. Është detyra jonë morale dhe pjesë kyçe e Planit për Ndryshim të bëjmë gjithçka që mundemi për të shkatërruar këto banda dhe për të siguruar kufijtë e Britanisë.", tha ministri i Punëve të Jashtme David Lammy. 

Ndërsa Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, theksoi se ky është një hap vendimtar në luftën kundër krimit të organizuar.

“Regjimi i sanksioneve të reja shënon një hap vendimtar në luftën tonë kundër bandave kriminale që përfitojnë nga mjerimi i njerëzve. Ne po forcojmë lidhjet me shtetet e tjera për të luftuar këtë problem global. Po dërgojmë një mesazh të qartë se ata që shfrytëzojnë njerëzit e pambrojtur dhe rrezikojnë jetë për përfitime nuk kanë ku të fshihen.”, u shpreh Cooper.

Autoritetet britanike janë koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, për të identifikuar dhe goditur më efikas bandat. Në kuadër të kësaj nisme, Komanda për Sigurinë Kufitare ka marrë një financim shtesë prej 280 milionë paund deri në vitin 2028 për të shtuar resurset teknologjike dhe kapacitetet hetimore.

Masat pritet të kenë ndikim edhe në vendin tonë pasi migrimi i parregullt nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë viteve të fundit. Mijëra shtetas shqiptarë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashtuar përmes rrugëve të rrezikshme, shpesh me ndihmën e rrjeteve kriminale që përfitojnë financiarisht nga dëshpërimi i emigrantëve. 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?