Shqipëria priti sot për herë të parë në Tiranë në një vizitë zyrtare një kryeministër nga Britania e Madhe. Keir Starmer u prit nga kryeministri Rama dhe në fokus të bisedës ishte edhe lufta ndaj emigracionit të paligjshëm. Dy liderët konfirmuan se marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë kanë hyrë në një kapitull të ri.
Por 3 vjet më parë, thuajse e vetmja çështje mes dy vendeve ishte ajo e emigrantëve të paligjshëm që synonin Britaninë e Madhe. Marrëdhëniet mes palëve u tensionuan për shkak të retorikës së ashpër të përdorur nga zyrtarët britanikë për emigrantët shqiptarë të paligjshëm. Vizita e kryeministrit Rama në mars të vitit 2023 në Londër, duket se shënoi pikën e kthesës
Report Tv po rikthen në vëmendje vizitën e parë e një kryeministri shqiptar në Doëning Street të Britanisë së Madhe. Më 23 mars të vitit 2023, Rama u prit në zyrë nga homologu i tij, Rishi Sunak.
Menjëherë sapo dy kryeministrat u ulën ballë përballë, Sunak përmendi çështjen e emigrantëve të paligjshëm duke thënë se ndihet i lumtur për progresin e bërë ndërsa i ka theksuar se ka dëshirë që të diskutojë për ekonominë dhe për sigurinë kibernetike.
“Rama kënaqësi t’ju mirëpresim në Britani, në Downing street. Britania dhe Shqipëria kanë tashmë një partneritet të ngushtë dhe po pres me padurim që ti forcojmë edhe më tej ato marrëdhënie me ju sot. Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim", tha Sunak në vitin 2023.
Kreu i ekzekutivit shqiptar u ndal tek retorika e Braverman ndaj shqiptarëve, duke i thënë homologut britanik se shqiptarët nuk janë të gjithë si fabula e filmit ‘Taken’ ashtu sikurse nuk janë britanikët si në ‘Mr.Bean’.
“Ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve.
Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët nuk janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”.
Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me ju. Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Ëinston Churchill.” – u shpreh Kryeministri Rama në vitin 2023.
Komente
