Ekonomi

Emigrantët sollën 251 mln euro për të afërmit e tyre në tre muajit e parë! BSH: Investimet e huaja direkte arritën në 362 mln euro

10 Qershor, 13:39| Përditesimi: 10 Qershor, 20:53

  • Share

Tensionet tregtare dhe pasiguria e shkaktuar nga vendimet e administratës së Donald Trump që prej kur hyri në shtëpinë e Bardhë, ka prekur menjëherë investitorët e huaj.

Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset e huaja po tregohen më të kujdesshëm në investimet që po bëjnë, duke u treguar më ‘dorështrënguar’.

Në tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte në Shqipëri u rritën me vetëm 8 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë të huajt investuan këtu 362 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti nga 354 milionë euro vjet në të njëjtën periudhë.

I pandryshuar mbetet orientimi i investitorëve të huaj, në blerje pronash. Gjatë këtij 3-mujori 27% e investimeve të huaja ose rreth 97 milionë euro shkuan për investime në pasuri të patundshme në të gjithë vendin, me fokus zonat VIP në Tiranë dhe bregdeti.

Vrojtimet e bankës qendrore tregojnë se gjatë vitit të kaluar 22.5% e totalit të apartamenteve apo bizneseve të shitura u blenë nga shtetas të huaj, ku rreth 65% e tyre ishin shtetas rezident në vendet e Bashkimit Evropian.

Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i ndërmjetësimit financiar me 76 milionë euro, ndjekur nga hidrokarburet me 50 milionë euro, më pas është energjia me 21 milionë euro dhe sektori i komunikacionit me 14 milionë euro investime të huaja gjatë këtij tremujori të parë të vitit.

Ndërkohë, rritja e numrit të emigrantëve, po shton edhe volumin e remitancave në vend. Vetëm në tre muajit e parë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë sjellë 251 milionë euro për të afërmit e tyre që jetojnë këtu nga 242 milionë euro në të njëjtën periudhë vjet.

"Prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 251 milionë euro, në rritje vjetore (4%). Gjatë periudhës është vërejtur zgjerim jo vetëm në volumin e dërgesave përmes kanaleve formale (sistem bankar), por edhe prurjeve në cash", thotë Banka e Shqipërisë.

Por nga ana tjetër zhvlerësimi i euros po ndikon negativisht në këto transferta, pasi qytetarët kur bëjnë konvertimin e eurove në lekë, po marrin më pak para në dorë se vjet.

INVESTIMET E HUAJA SIPAS SEKTORËVE
Pasuri të paluajtshme           97 mln euro
Ndërmjetësimi financiar       76 mln euro
Sektori i Hidrokarbureve      50 mln euro
Sektori i Energjisë                21 mln euro
Sektori i Komunikacionit     14 mln euro
INVESTIMET E HUAJA 
Janar-Mars 2024      354 mln euro
Janar-Mars 2025      362 mln euro
Rritja                         +8 mln euro

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 13:31
Turistët shpenzuan 874 mln euro në tre muajt e parë në Shqipëri

Turistët sollën me shumë para për buxhetin e shtetit në tre muajit e parë të këtij viti. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë në periudhën janar-mars të ardhurat nga pushuesit arritën në 874 mln euro ose 86 milionë euro me shumë se e njëjta periudhë vjet. 

Gjatë këtij tremujori vendi u vizitua nga 1.6 milionë të huaj, ose 5% me shumë se vjet.

Në rritje po ashtu janë edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit për pushime. Nëse vjet shpenzuan 242 milionë euro, këtë vit vlera ka arritur në 521 milionë euro thotë Banka e Shqipërisë.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?