Politikë

Emigranti në shkelje flagrante, deklaron me video-postim votën për Berishën! Ish-gjyqtari ‘sheik’ Gjin Gjoni e mbështet (VIDEO)

24 Prill, 16:38| Përditesimi: 24 Prill, 16:54

  • Share

Momentin historik të votimit për herë të parë në Diasporë, disa nga emigrantët jo vetëm po e shpërdorojnë, por po e kthejnë edhe në një trend viral me natyrë të një vepre të pastër penale: Filmimi, fotografimi dhe deklarimi i votës.

Një i ngjashëm ka ndodhur së fundmi, kur një emigrant ka bërë një video-postim në rrjetin social Facebook, ku merr shkak nga “fyerjet e kryesocialistit Edi Rama për burrat çyrykë” dhe shprehet se nga inati ai dhe familja e tij kanë votuar PD-në.

Duke mbajtur zarfat e dërguar nga KQZ me votat në dorë, ai bën një thirrje të paligjshme elektorale në deklarim vote dhe madje shkon më tej, duke thënë se “nuk jemi vetëm ne, ka dhe shumë të tjerë, vetëm për atë që the se burrat janë çyrykë”.

Por ajo që e rëndon më tepër këtë situatë është përkrahja e hapur që gjyqtari “sheik” Gjin Gjoni i ka bërë postimit të këtij emigranti, duke i bërë shpërndarje (share).

Ai e shoqëron edhe me një koment, duke përkrahur dhe e ka cilësuar madje “akt patriotik”.

Ndërsa emigranti dukshëm ka bërë një krim elektoral që pritet të jetë edhe objekt hetimi dhe verifikimi, Gjin Gjoni, kandidat i PD-së në qarkun e Lezhës për deputet më 11 maj, e shet në postimin e tij si një arritje të madhe aktin e emigrantit kundër Ramës.

Ndërsa bën thirrje për denoncimin e blerjes së votës në diasporë nga segmentet e qeverisë, nga ana tjetër vetë Gjoni përkrah një krim elektoral të filmimit dhe fotografimit të votës.

Madje në videon që ai ka shpërndarë, në fund shfaqet momenti i votimit me stilolaps për PD, sikur ka firmosur ky emigrant. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale është e dënueshme deri në 3 vite burgim, madje edhe kreu i KQZ ka apeluar disa herë që të mos kryhet ky veprim nga emigrantët, pasi është shkelje ligjore dhe penale.

Sipas Kodit Zgjedhor dhe Penal:

Publikimi i votës ndalohet me ligj. Konkretisht, neni 327, “shkelja e fshehtësisë së votimit”, parashikon se të gjithë ata që fotografojnë votën për te dokumentuar preferencën e tyre, dënohen me burgim nga gjashtë muaj minimumi, deri në 3 vjet.

Postimi i Gjin Gjonit:

“Vëllezër mërgimtarë nga Lezha, Mirdita e Kurbini, vota është akt patriotik, qëndroni në lartësinë e të parëve tuaj që kurrë se njohën nënshtrimin!

Vëllezër e motra që jeni në mërgim, ju që me rimitancat tuaj keni nxjerrë nga kthetrat e mjerimit familjet tuaja në atdhe, në 11 Maj jeni përpara një sprove të vërtetë që u kërkon të dëshmoni patriotizëm dhe atdhedashuri si kurrë më parë.

Ju duhet të përçmoni çdo tentativë të sektit të Rilindjes për blerje vote, pasi ata votën tuaj duan ta blejnë me ato para që kanë vjedhur nga taksat që paguajnë prindërit dhe familjarët tuaj në atdhe, për të cilët ju çdo muaj dërgoni para për t’i ndihmuar prej 34 vitesh.

Ata çyrykë që vijnë t’ju blejnë votën duan t’ju poshtërojnë, ndaj nxirrini me emra, publikojini fytyrat se ata nuk janë shqiptarë, por janë shqipfolës në shërbim të Edi Ramës, Kryeministrit më të mirë që ka pasur Serbia.

Ftoj emigrantët e Qarkut Lezhë, djemtë dhe vajzat më fisnikë të Lezhës, Mirditës e Kurbinit të jeni në lartësinë e të parëve tuaj që nuk e njohën kurrë nënshtrimin.

Së bashku do bëjmë ndryshimin e madh, do ja zbardhim faqen Lezhës, Mirditës e Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë. #GG#”.

 

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?