Ekonomi

Emigrimi nuk ‘vetëshërohet’, bashkë me rënien e lindjeve po sfidojnë ekonominë e sigurinë kombëtare!

10 Tetor, 14:51| Përditesimi: 10 Tetor, 16:31

  • Share

Emigrimi dhe rënia e lindshmërisë janë sfida që prej vitesh kanë trokitur në derën e Shqipërisë, por sot thotë Kreu i Shtetit Bajram Begaj duhet ‘vepruar’ jo vetëm për të mbrojtur ekonominë por edhe sigurinë kombëtare. 

“Trajtimi i sfidës së demografisë me përgjegjësi dhe seriozitet sot është pak vonë, por duhet bërë sot, sepse ndoshta nesër mund të mos ketë mundësi të dytë. Zhvillimet negative demografike nënkuptojnë sfida serioze jo vetëm për ekonominë, por edhe më gjerë për sigurinë tonë kombëtare. Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e hapësirës prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve dhe ato të shëndetësisë”, tha Begaj. 

Emigrimi nuk mund të ‘vetëshërohet’ dhe as duhet të trajtohet si fenomen normal tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili ngre si shqetësim rrezikun e një tjetër vale emigrimi pas anëtarësimit në BE.

“Dualizmi është i qartë. Nëse nuk shoqërohet me politika të shëndosha të tregut të punës dhe të migracionit, integrimi forcon perspektivat afatgjata të rritjes, por mund të thellojë mungesat afatshkurtra dhe afatmesme të fuqisë punëtore. Demografia përfaqëson një forcë të fuqishme ekonomike dhe nuk duhet të trajtohet si një fenomen që vetë shërohet”, tha Sejko. 

Politika të reja studimi, sistem shëndetësor më i mirë por edhe programe që nxisin rikthimin e diasporës ishin ndër sugjerimet që u dhanë në konferencë.

“Ne kemi nevojë për ide të guximshme, për politika të bazuara në dije, në kërkim shkencor që udhëheq vendimmarrjen dhe për një përgjegjësi që shkon përtej të sotshmes. Kjo e bën të vështirë identifikimin e problemit”, tha Begaj.

“Hartimi i politikave të përshtatshme që mbajnë talentet brenda vendit, bëjnë më tërheqës tregut vendas të punës dhe nxisin kthimin e emigrantëve që mund të kontribuojnë në mirëqenien tonë të përbashkët”, tha Sejko.

Qeveria e ‘vetëdijesuar’ mbi këto sfida thotë se mungesën e punonjësve po punon për ta mbushur me zhvillim të teknologjisë.

“Emigracioni është një dukuri të cilën sado politika apo masa mund të ndërmarrim për ta frenuar, me rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian është një dukuri e cila është e pashmangshme. Të reja dhe risitë që inovacioni sjell, zhvillimet dixhitale, automatizimi i proceseve, përdorimi i inteligjencës artificiale, janë të gjithë elementët që duhen parë me kujdes dhe duhet të ndërthuren me kujdes qoftë në integrimin e tyre në aktivitetin ekonomik të vendit, qoftë në integrimin e tyre në bizneset private me qëllim që kërkesa përkrah pune të jetë sa më e ulët dhe produktiviteti të rritet në mënyrë që ndikimi që plakja e popullsisë të ketë në ekonomi të jetë sa më i ulët, pra të mitigohet disi”, thotë Delina Ibrahimaj ministre e Ekonomisë dhe Inovacioni.

“Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, ishte konferenca që bëri bashkë ekspertë, akademik dhe ligjvënës, brenda dhe jashtë vendit.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?