Dhuna në familje, raportet mes dy grave të një shtëpie dhe pasojat e dhunës janë në qendër të filmit “Emili” me skenar dhe regji të Ajola Dajës, të shfaqur premierë mbrëmjen e së enjtes në kinema “Millennium” në Tiranë.
Për regjisoren Ajola Daja, ky film është më domethënësi për të.
"Ky film është dhe regjia ime e parë, pavarësisht se nuk ka qenë skenari im i parë i gjatë. ‘Emili’ është një histori shumë tronditëse që kisha nevojë ta tregoja.”, - thotë Daja.
Ndërkohë, realizimi i tij nuk ishte aspak i lehtë.
“Është e vështirë të gjesh mbështetjen, të gjesh besimin te njerëzit që shumicën e rasteve janë skeptikë, por mendoj se gjerat po ndryshojnë për mirë. Ka pasur vështirësi me patjetër se filmi ka përfunduar xhirimet në 2018-ën por më në fund u mbyll dhe jam tmerrësisht e lumtur.”, - tregon regjisorja.
Filmi sjell në ekran një kastë të njohur aktorësh shqiptarë, si: Arta Dobroshi në rolin e Emilit, Luiza Xhuvani, vjehrra e saj në film apo Lulzim Zeqja, në rolin e bashkëshortit dhunues. Aktorja Arta Dobroshi vjen në këtë film edhe si bashkëproducente. Për “Report TV”, ajo thotw se fillimisht ka pëlqyer skenarin e filmit dhe më pas është bërë pjesë e projektit.
“E kemi bërë me shumë shpirt. Kemi punuar gjithë ekipi me zemër dhe po gëzohemi shumë për sonte. Çfarë më ka tërhequr është skenari: është tema e një femre, e një ngjarjeje që ka shumë peripeci, por më është dukur e fuqishme. “, - shprehet Dobroshi.
“Emili” është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë e filmave independentë dhe është realizuar me një buxhet minimal.