Bota

Emine Erdogan i bën thirrje Melania Trump: Tregoni dhembshuri për fëmijët e Gazës, njësoj si për ata të Ukrainës

23 Gusht, 14:09| Përditesimi: 23 Gusht, 16:04

  • Share

Në një letër të bërë publike të shtunën, Erdogan shprehu vlerësimin e saj për angazhimin e mëparshëm të zonjës Trump në mbështetje të fëmijëve ukrainas, duke e cilësuar këtë si një "nismë që ngjall shpresë në zemrat e njerëzve". Ajo e ftoi atë të zgjerojë këtë ndjeshmëri edhe ndaj fëmijëve palestinezë, duke theksuar se Gaza është shndërruar në një "varrezë fëmijësh", ku sipas saj, vritet një fëmijë pothuajse çdo orë.

“Shkrimi ‘foshnjë e panjohur’, që ndodhet në mbulesat mortore të mijëra fëmijëve nga Gaza, hap plagë të pariparueshme në ndërgjegjen tonë. Ashtu siç mbrojte të drejtat e fëmijëve ukrainas, besoj se do të tregosh të njëjtën ndjeshmëri edhe për fëmijët e Gazës.” shkruan Zonja e Parë e Turqisë në këtë letër. 

Erdogan gjithashtu sugjeroi që Trump të dërgojë një letër drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i bërë thirrje për ndaljen e asaj që ajo e quajti “gjenocidi më i dhimbshëm i kohës sonë.” Në mesazh ajo kritikon gjithashtu rendin global aktual, duke thënë se ai “vlerëson jetët në mënyrë të pabarabartë” dhe theksoi nevojën për më shumë solidaritet ndërkombëtar në përballjen me padrejtësitë.

“Duhet të bashkojmë zërat dhe forcën kundër kësaj padrejtësie,” shkruan ajo, duke e bërë thirrjen e saj jo vetëm si zonjë e parë, por edhe si nënë dhe si grua.

Në fund të letrës, apeloi për ndihmë urgjente dhe ndërhyrje për miliona fëmijë që ende jetojnë në Gaza.

“Është tepër vonë për ata që humbëm, por jo për miliona fëmijë që ende mbijetojnë. Si një nënë, një grua dhe një qenie njerëzore, shpresoj që do të mbillni të njëjtën shpresë për fëmijët e Gazës, të cilët kanë mall për paqe dhe qetësi,” përfundon letra.

A.I/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?