Juristi Krehsnik Spahiu i ftuar në Report Tv në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ komentoi emisionin e RAI 3 për Shqipërinë. Spahiu tha se kur Shqipëria cilësohet si narko shtet, nuk dëmtohet Rama, por imazhi i vendit tonë. Sipas tij, kur të huajt e cilësojnë shqipërinë si narko shtet, qeveri e opozitë duhet të bëhen bashkë për ta bllokuar këtë imazh për vendin.
Në intervistën për gazetarin Ilir Babaramo, Spahiu u ndal edhe tek kryeministri Rama për të cilin thotë se Shqipëria i duket shumë e vogël për t’u qeverisur. Me opozitën e përçarë, Spahiu tha se Rama tashmë ndihet i sigurt dhe investimin e ka përtej kufijve.
“Ajo çfarë ishte e re për audiencën shqiptare ishte marrëdhënia e Edi Ramës me D’Alemën dhe përfshirja e Dalemës në një lloj biznesi të hapur edhe në Shqipëri, në një lloj kompanie lobimi apo këshillimi për kriptomomedhat. Kjo ishte e vetmja e re që solli dokumentari.
Sa i përket çështjes së përfshirjes së narko shtetit. Faktet që u përmendën në studio janë elementë të narko shtetit, përfshirja e deputetëve apo kryetarëve të bashkive janë pjesë e krimit shtetëror, por faktet që përmend gazetari, nuk janë fakte të mjaftueshme sepse nuk përbëjnë asnjë lidhje shkakore apo prova të mjaftueshme apo prova juridike që të hedhin dritë mbi një narko shtet.
Marrëdhëniet e Dalemës me Ramën tregojnë atë çfarë ka projektuar Rama në lidershipin e vet politik, apo në qeverisjen e Shqipërisë. Rama nuk e ka bërë këtë vetëm me politikanë italiane, e ka bërë me politikanë amerikanë, gjermanë, britanikë, përfshirë edhe me zotin Hysa që ka qenë në zyrë. Gazetari italian kapi një element të rëndësishëm që ka qenë me Dorian Duçkën dhe një eurodeputet gjerman. Nuk dua ta eklipsoj, apo justifikoj. Dua të them që Rama e ka strategji këtë çështjen e qokave për ndërkombëtarët. Rama në konceptin tij e duket Shqipëria që i rri e ngushtë, Shqipëria i duket shumë e vogël për t’u qeverisur. Atij i duket e papërfillshme tani me partinë e tij të madhe dhe me një opozitë të përçarë, tani ndihet i sigurt. Tani investimin e ka përtej kufijve të Shqipërisë. Po ta shikosh ai më shumë jeton në avion, në takime me ndërkombëtarët.
Gazetari italian nuk hodhi dritë fare për një aferë korruptive të D’Alemës, edhe aty dështoi shumë në debatin apo pasqyrën politike që bëri. Që D’Alema të ketë një biznes nuk është e jashtëligjshme. Edhe që të ushtrojë aktivitet lobimi. E dyta duhet të kemi parasysh se nëse ne mund të bëhemi me opozitën sot, me gjithë gazetarët investigativ dhe të pranojmë se ka elementë narko shteti, por ku e thonë të huajt ne duhet të kemi një pakt kombëtar që t’i bëjmë bllok këtij imazhi. Se nuk dëmtohet Rama, dëmtohet Shqipëria dhe shqiptarët", tha Spahiu në Report Tv.
Lajmi kryesor:
Emisioni i RAI 3, juristi Spahiu: Skandaloze, Arben Ahmetaj nën efektin e alkoolit! S’dëmtohet Rama kur vendi ynë quhet narko shtet, por shqiptarët
SI.E./ReportTv.al