Kronikë

Emra dhe kontrata/ Saga e korrupsionit me uniformat e policisë 2009-2020, të arrestuarit i shpëtuan drejtësisë dhe fituan sërish të njëjtin tender të anuluar, si u përsërit historia

10 Korrik 2021, 16:03| Përditesimi: 11 Korrik 2021, 11:37

  • Share

Procedurat tenderuese me hije të forta korrupsioni për uniformat e policisë janë një histori e përsëritur gjatë 11 viteve të fundit. Çdo tender i zhvilluar për veshjet e punonjësve të policisë është karakterizuar nga favorizime të kompanive të caktuara, përjashtime në bllok të kompanive të tjera me ofertë më të ulët, kritere arbitrare, falsifikime, manovra, çmime jashtë logjikës së tregut, ndryshime të cilësisë së uniformave gjatë rrugës, mashtrim me zbatimin e kontratave etj., për një qëllim final: Përvetësimin dhe ndarjen e parave publike. Nuk kanë munguar as arrestimet masive, por protagonistët e abuzimeve, jo vetëm i shpëtuan ndëshkimit, por janë shpallur fitues më vonë për të njëjtin tender të anuluar për shkak të arrestimeve nga prokuroria.

-Në 1 janar 2009, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, i hapi rrugë tenderit për uniformat e policisë, sipas modelit italian, me VKM-në nr. 79. Në mars u përcaktua fondi i parë, i cili u shtua në qershor 2009 duke arritur vlerën 175 milionë lekë. Në korrik 2009, u shpall në mënyrë të dyshimtë si fituese e tenderit kompania “Gjergjefi” shpk, me pronar Jani Gjergjefi, ndërsa kompanitë e tjera u përjashtuan në mënyrë arbitrare. Në dhjetor 2009, u arrestuan me akuzën e korrupsionit pronari i kompanisë fituese Jani Gjergjefi, drejtori i përgjithshëm i prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme Bujar Murati, specialisti Redi Popescu, shef i prokurimeve në Gardën e Republikës Tahir Imami si dhe Artan Berberi, të cilët sipas policisë dhe prokurorisë kishin kryer veprime korruptive, duke diktuar fituesin e tenderit dhe ndarë në këmbim 125 mijë euro. Bujar Murati, i arrestuar në 2009, është biznesmeni që u arrestua disa ditë më parë me urdhër të SPAK për aferat me tendera në Bashkinë e Lushnjes.

-Në 1 janar 2011, dy vjet pasi policia ishte pa uniformë për shkak të skandalit me tenderin e parë, Sali Berisha autorizoi me një VKM Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të realizonte tenderin për uniformat e policisë. Kjo drejtori komandohej nga Agon Kuliçaj, ish-truprojë i Berishës dhe një nga njerëzit e tij më të besuar, ndonëse në letra Kuliçaj mbante postin e zëvendësdrejtorit. Blerja e uniformave të policisë do të bëhej për vitet 2011, 2012, 2013 dhe 2014 tashmë me një fond më të lartë, 2.2 miliardë lekë. Tenderi prodhoi një skandal si ai i 2009, por këtë herë pa arrestime.

-Në maj 2011, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë publikoi tenderin dhe në qershor shpalli fitues sërish kompaninë “Gjergjefi” shpk, me pronar Jani Gjergjefi, i cili ishte arrestuar në 2009 për korrupsion me tenderin e parë dhe që ishte ende në proces gjyqësor. Oferta fituese e kompanisë “Gjergjefi” shpk ishte 1.8 miliardë lekë. Në atë kohë tenderi u denoncua si tërësisht korruptiv, i paracaktuar dhe me vlerë të pajustifikuar. Sipas anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në atë kohë, tenderi duhet të ishte ndarë në lote të ndryshme, për të ulur koston të paktën me 30 %. Për shembull, këpucët mund t’i ofronte një kompani që i prodhonte vetë dhe jo kompania fituese, e cila këpucët do t’i blinte tek një kompani tjetër, për t’i ofruar më pas me një çmim më të lartë. Gjithashtu, u porositën 8600 kostume ceremoniale, një numër i lartë dhe i panevojshëm. Tenderi krijoi dyshime të forta edhe sa i takon cilësisë dhe çmimit të uniformave.

-Në 1 janar të vitit 2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme u ngarkua të kryente prokurimet për uniformat e reja të policisë. Gara u mbyll në shkurt, ku morën pjesë katër kompani. Sërish u shfaq “Gjergjefi” shpk, me ofertë 111 418 250 lekë. Kompanitë “Paera’, ‘DSE & Alfredo Grassi SPA’ nuk paraqitën ofertë. Në përfundim u shpall fitues bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK, me ofertë 91 917 500 lekë. Edhe ky tender nuk kaloi pa akuza, ndërsa Prokuroria e Tiranës nisi një hetim kryesisht, pasi u konstatuar se uniforma është prodhuar në Shqipëri, ndërkohë që kriteri ishte që të vinte nga Turqia. Nga verifikimet në dogana nuk u gjet asnjë e dhënë apo deklaratë doganore për hyrjen e uniformës në Shqipëri.

-Në 2 shtator të vitit 2016, Policia e Shtetit ndërpreu kontratën me kompaninë fituese, pasi po mashtronte me cilësinë e uniformave, ndryshe nga sa ishte parashikuar në kontratë. Në njoftim të Ministrisë së Brendshme, të datës 21 shtator 2016, ndër të tjera thuhet se “Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë. Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare të kontratës në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit”.

-Në mars të vitit 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidh një kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, me vlerë 37 751 800 lekë për blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera, për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, edhe pse më parë kjo kompani ishte kallëzuar nga vetë policia dhe Ministria e Brendshme në prokurori për mashtrim me uniformat e policisë. Nga kjo procedurë u përjashtua në bllok të gjitha kompanitë e tjera, përveç fitueses “Marsi&Al”, sot me pronar Petrit Kasapin. Në gusht të vitit 2020, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidhi një tjetër kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, tashmë me vlerë 57 462 300 lekë, për blerje të uniforma për personelin e shërbimit të urgjencës mjekësore.

-Në korrik 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shpalli tenderin për uniformat e policisë me fond limit 2 800 347 570 ose rreth 28 milionë USD, për katër vite. Afati për dorëzimin e dokumenteve nga kompanitë e interesuara u shty dy herë, një herë për shkak të ndryshimit të procedurës nga e hapur në të kufizuar, dhe një herë për shkak të masave anti-covid. “Marsi&Al” i Petrit Kasapit kërkoi që të merrte këtë tender, por tashmë aktorë të rinj dhe më të fuqishëm kishin hyrë në lojë. Një vit më pas, në korrik 2020, u përjashtuan të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit që ishte bashkimi i kompanive “D&E SHPK dhe SUMMER CONF. s.r.l dhe LOVERS s.r.l dhe YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU’.

-Në gusht 2020, deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri referuan në SPAK dosjen e tenderit të dyshimtë për uniformat e policisë. Arrestimi i sotëm nga SPAK i 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme është produkt hetimeve të nisura pikërisht nga denoncimi i dy deputetëve. Pas kallëzimit, Murrizi tha një vit më parë se, ky tender i është dhënë një kompanie gërmimesh, e cila nuk ka lidhje me rrobaqepësinë. Murrizi i referohej njërës nga kompanitë fituese “D&E”, me pronar Ismail Kadiu, me objekt ‘gërmime, ndërtime të ndryshme, impiante teknologjike etj”. “Vetëm në këtë tender diferenca midis laçimit të parë 706 mijë artikuj dhe heqjes 230 mijë artikuj më pak, është afër 4-5 milion euro. Ftoj SPAK-u që të hetojë me vëmendje aferat dhe lidhjet pse kjo firmë që nuk ka rrobaqepësi, ka objekt gërmime dheu dhe shoqëri tregtare, sfidon një firmë turke, një firmë kroate që kanë enkas rrobaqepësi dhe janë të specializuara për uniformat”, tha Murrizi. Sipas kallëzimit, fituesi kishte dhënë një ofertë 5 milionë USD më shumë se oferta e kompanive të përjashtuara, duke ofruar 350 euro një kapele.

-Në 3 shtator 2020, SPAK ka regjistruar procedimin penale për abuzimin e dyshuar me tenderin për uniformat e policisë. Gjatë hetimit SPAK ka konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit, falsifikime etj., nga anëtarët e njësisë së prokurimit Flutura Çerkezi, Anisa Bogani, Ani Omuri, Klevis Hasani si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj, për të shpallur fituese grupin e kompanive me ofertë më të lartë dhe përjashtuar në mënyrë arbitrare kompanitë e tjera, të specializuara për këtë shërbim. Koka e këtij grupi dyshohet se është drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari, e shkarkuar një javë më parë dhe e arrestuar sot. Edlira Naqellari dyshohet se ka ushtruar presion ndaj zyrtarëve të tjetër të arrestuar për të diktuar me çdo kusht grupin e kompanive fituese, edhe pse nuk plotësonin një sërë kushtesh teknike dhe kishin mungesë dokumentacioni.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?