Dy pesona janë vënë në pranga si autorë të zjarrvënies në durrës dhe Kavajë, ku flakët u përhapën dhe dogjën disa sipërfaqe toke dhe 3 godina, si dhe u rrezikuan banesat përreth.
Në pranga kanë rënë Azem Kola dhe Mustafa Ruka, si përgjegjës për zjarret që ranë në Porto Romano dhe në Golem.
Nga specialistët të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë Mustafa Ruka, 67 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës, pasi ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave, në Porto Romano, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke, si dhe janë rrezikuar banesat përreth.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë Azem Kola, 63 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka ndezur zjarr për të djegur barishte, në fshatin Karpen, Golem, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur tri objekte njëkatëshe me bar të thatë, në ish-ndërmarrjen e peshkimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
Komente
