‘Në krye të organizatës kriminale e cila kishte lëvizur sasi të mëdha marijuanë, kokainë, hashash dhe heroinë nga Holanda në Gjermani për në Itali dhe Shqipëri – Itali ishte familja Korriku. Kjo e fundit e përbërë nga kryefamiljari, 54 vjeçar, gruaja dhe djali i tyre, 27 vjeç u arrestuan dje në Shqipëri.
Mediat italiane zbulojnë detaje të reja lidhur me operacionin policor të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të 16 nëntorit 2023 njëkohësisht në të dy shtetet, ndërsa hetimet kishin nisur prej 2020, në kuadër të së cilës u sekuestruan 420 kg drogë, me vlerë në treg 34 milionë eurove.
Sipas mediave italiane në krye të bandës ishin babai, nëna dhe djali, të tre rezidentë në Ponte di Piave në provincën e Trevisos por që u arrestuan dje (16 nëntor) nga policia shqiptare.
Vetë policia e Shtetit njoftoi dje se kishte arrestuar Ardian Korriku, 54 vjeç, Jurgen Korriku, 27 vjeç dhe Etleva Adami 46 vjeç në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar 'puzzle 2020'.
Për këta 3 shtetas është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në kuadër të një procedimi penal të Drejtorisë së Antimafias, së Distriktit të Venecias” thuhej në njoftimin e djeshëm të policisë së shtetit, pa dhënë më shumë detaje por duke shpërndarë video të arrestimit të tyre
Arrestimi i tyre u krye me qëllim ekstradimin e tyre drejt Italisë.
"Familja shqiptare në krye të organizatës u arrestua nga policia shqiptare e aktivizuar nga Scip (Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor), dhe nëpërmjet zyrës së ekspertit të sigurisë në Shqipëri, pas kontrolleve të urdhëruara nga Ministria e Drejtësisë me qëllimet e ekstradimit të tyre në Itali"
Arrestimet
Në kuadër të me operacionit u prangosën 19 persona, 14 nga të cilët u lanë në burg dhe 5 në ‘arrest shtëpie’. Në pranga kanë rënë 18 shqiptarë dhe një italian, ky i fundit shofer kamioni. Veç arrestimit të 3 anëtarëve të familjes Kaçorri në Shqipëri, një tjetër shqiptari i është firmosur masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ në Hanover të Gjermanisë. Ndërsa shqiptarët e tjerë janë arrestuar në provincat Cessalto (Treviso), Eraclea (Venezia), Paese (Treviso), Musile di Piave (Venezia), Motta di Livenza (Treviso), Ormelle (Treviso), Ceggia (Venezia), Mogliano (Treviso), Monza Brianza a Ronco Briantino dhe Cervia (Ravenna). Akuza për nëntëmbëdhjetë të arrestuarit, është ai i organizatës kriminale që synon trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike.
Dy vite hetime dhe shifra rekord
Gjatë hetimeve u arrestuan në flagrancë 17 shpërndarës në provincat Ankona, Arezzo, Bari, Bergamo, Bolonja, Modena, Novara, Ravenna, Udine, Venecia dhe Verona. Në total u sekuestruan 420 kilogramë drogë me vlerë mbi 34 milionë euro. Flitet për 70 kilogramë kokainë, 66 për heroinë, 206 për hashash dhe 80 kilogramë marihuanë. Përveç 19 të arrestuarve, gjatë hetimeve kanë qenë 65 persona të dyshuar si të përfshirë në trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike nga Holanda në Gjermani e më pas Itali dhe nga Shqipëria në Itali.
Si ra në gjurmët e organizatës
Në janar 2020 një shqiptar dhe një shtetase italiane u vunë në pranga në Padova të Italisë pasi u kapën me 2 kilogram heroinë në makinë. Hetimet e mëvonshme, të zhvilluara mbi bazën e analizës së tabulateve telefonike të personave të dyshuar si të afërt me çiftin e arrestuar në Padova dhe shërbimeve të shumta të vëzhgimit, bënë të mundur rindërtimin e zinxhirit të trafikut të drogës. Baza e tyre logjistike ishte në Veneto ndërsa mundën të trafikonin drogë nga Shqipëria dhe Holanda. Hetuesit e kuptuan menjëherë se kishin të bënin me një organizatë të përbërë nga profesionistë.
U kryen përgjime mjedisore dhe telefonike dhe u vendosën kamera të shumta dhe sisteme elektronike të gjurmimit të pozicionimit. Falë këtij aktiviteti të përpiktë teknik u zbulua se të dyshuarit qendronin midis Trevisos, Venecias dhe Padovës dhe ishin në gjendje të trafikonin drogë në të gjithë territorin kombëtar të Italisë.
Bazat logjistike
Policia identifikoi shpërndarës të shumtë që transportonin para të gatshme dhe drogë brenda makinave në itinerarin ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Gjermanisë. Pas lëvizjes së tyre, u zbuluan dy vende ku magazinohej lënda narkotike dhe përgatitej për shitje. Bëhet fjalë për dy vende në provincën e Venecias. Anëtarët e bandës përdornin telefona celularë të koduar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit "Matrix" për të kryer koordinimin e lëvizjeve të sasive të mëdha të drogës.
Konfiskimet e pasurive materiale
Prokuroria Publike e Venecias urdhëroi gjithashtu hetim pasuror. Bëhet fjalë për një milion euro para cash, shtatë apartamente dhe kompani të shumta, përfshirë një në Zvicër që operon në prodhimin dhe kultivimin e kërpit, të regjistruara te gruaja e kreut të organizatës. Gjithashtu janë sekuestruar makina të markave më të njohura dhe ora me vlerë mijëra euro.
Një bandë e trafikut të drogës që drejtohej nga një familje shqiptare është goditur në Itali. Mes anëtarëve të bandës ishte edhe Fatos Hasku, ish-efektiv i policisë kufitare në Durrës.
50-vjeçari u arrestua me 24 kg heroinë të cilat i mbante në valixhe e ndarë në 43 pako, i cili e kishte fshehur drogën në brendësi të automjetit të tij tip “Mercedes”.
Sipas mediave italiane, droga ishte e destinuar për t’u shitur në “sheshet” e trafikut të Tarantos. Ndërsa arrestimi i shqiptarit u bë në periferi të qytetit.
Fatos Hasku dyshohet se ka qenë një prej policëve të përfshirë në trafikun e drogës edhe gjatë vitit 2016.
Emri i tij del në raportet që i janë nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Ankesave në Ministrinë e Brendshme për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit për periudhën 3 mars 2016 deri më 9 mars 2017.