Një konflikt mes tre kushërinjve në Kurbin u shoqërua me të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e njërit prej tyre.
Ngjarja ndodhi mesnatën e së premtes në një lokal në fshatin Malbardhe të Kurbinit, ndërsa i plagosur mbeti Fatjon Lika 33-vjeç banues në Kurbin. Ky i fundit u qëllua me armë zjarri pistolete nga Admir Shqypi (Lika).
Nga të shtënat 33-vjeçari mori një plumb në pjesën e barkut dhe pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Laçit, u dërgua për ndihmë më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes arriti të identifikoje autorin 30-vjeçarin Admir Shqypi (Lika), i cili ka ndërruar mbiemrin si pasojë e një konflikti të hershëm dhe dy personat e tjerë të përfshire shtetasit E.L dhe P.L.
Ata janë shpallur në kërkim dhe forcat e policisë vijojnë kontrollet e pandërprera për prangosjen e tyre.
Ndërkohë motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por pritet marrja në pyetje e të plagosurit dhe personave të tjerë për të zbardhur ngjarjen nga ku mbeti i plagosur me arme zjarri 33-vjeçari Fatjon Lika.