Një 77-vjeçar i dënuar me 4 vite burg për mashtrim, është arrestuar nga policia e Tiranës. Bëhet fjalë për Xhelal Hoxhën, i cili në vitin 2006, ka mashtruar me shokun e tij, duke i marrë 60 mijë euro
“Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kapën dhe vunë në pranga shtetasin: -Xh. H., pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi””, thuhet në njoftimin e policisë.
Po kush është Xhelal Hoxha?
Në vitin 2006 Hoxha i ka marrë 50 mijë euro shtetasit me inicialet Sh.M, shokut të tij. Ai ka deklaruar para organeve gjyqësore se për shkak të njohjes që ka pasur me Hoxhën dhe besimit se ai ishte një biznesmen i rregullt i ka dhënë atij në formën e borxhit një shumë prej 50 mijë eurosh.
Për ta siguruar se do t’ia kthente këtë shumë, Hoxha i kishte lënë si garanci pesë apartamente në një pallat që, sipas tij, po e ndërtonte në Golem.
Për këtë fakt, ata kanë nënshkruar edhe një kontratë noteriale. Por kur, kallëzuesi ka shkuar ta verifikojë nga punonjësit e hipotekës është njoftuar se Xhelal Hoxha nuk kishte asnjë objekt.
Sipas dëshmisë së kallëzuesit, pas padisë i pandehuri i ka dhënë dy apartamente në Durrës dhe e konsideron si të shlyer borxhin, por procesi ka vijuar, ndërsa sot ndërtuesi është arrestuar për të vuajtur dënimin.
Komente
