Një 36-vjeçar, pronari i një punishteje ku prodhoheshin paketat me cigare me duhan të kontrabanduar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit.
Mësohet se Ardit Zylyftari, pronar i një punishteje në lagjen nr. 17/1, në Durrës prodhonte paketa me cigare për t’i shitur në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit, policia gjeti makineritë që shërbenin për prodhimin e cigareve dhe 63.2 kg duhan të papërpunuar, i dyshuar i kontrabanduar, të cilin 36-vjeçari e përdorte për të prodhuar paketat me cigare, që i shiste në mënyrë të kundërligjshme.
Shërbimet e Policisë bllokuan punishten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, makineritë, paketat dhe sasinë e duhanit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.