Kronikë

Misteri i vrasjes së italianit, burime: U qëllua me një plumb në këmbë, jo me çifte! Gruaja e tij ortake me Braçët te ‘Salaria Gaz’! Dje u mbajt ceremonia mortore në Tufinë

29 Shtator, 10:20| Përditesimi: 29 Shtator, 12:07

  • Share

TEPELENË- Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës, vijon të mbetet e mbushur me mister, ndërsa ende autoritet nuk kanë dhënë asnjë detaj nga rezultatet e autopsisë se me çfarë u shkaktua plaga në këmbë që i mori jetën. Por, gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka arritur të mësojë përmes burimeve se sipas rezultatit të autopsisë italiani është qëlluar me një plumb në këmbën e djathtë, plagë e shkaktuar nga një armë zjarri.

Dinamika e vrasjes së Sarchit është ende e paqartë dhe se nga çfarë distance është qëlluar. Ndërkohë, nga ajo çfarë Report Tv ka mësuar deri më tani, në vendin e ngjarjes u gjetën vetëm dy çifte, por rezulton se plaga në këmbën e italianit nuk është shkaktuar nga të shtënat me çifte. Arma me të cilën u qëllua italiani nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. 

Report Tv mësoi se italianit Sarchi i është dhënë lamtumira një ditë më parë në një ceremoni mortore në Tufinë. Prej 20 vitesh ai ishte vendosur në vendin tonë dhe ishte i martuar me një grua shqiptare nga Fushë-Kruja, me të cilën kishte edhe dy fëmijë.

Ceremonia mortore ka qenë private dhe shumë kushërinj të italianit nuk kanë mundur të mbërrijnë për të marrë pjesë, ashtu siç tregoi edhe kushëriri i tij Riccardo Barbieri në një intervistë për La Repubblica. Madje, në ceremoninë mortore nuk mundi të marrë pjesë as motra e italianit Sarchi.

Për herë të parë Report Tv zbulon edhe lidhjen mes biznesmenit italiani dhe familjes Eqerem Braçit. Mësohet se gruaja e Sarchit, Malinda Taga është ortake 50 me 50 me Gazmend Braçin, djalin e Eqeremit, në kompaninë “Salaria Gazi” me qendër në fshatin ku kanë edhe shtëpinë e pushimit që ftuan italianin. Taga është edhe financierja e fabrikës së tullave që Sarchi administronte prej vitit 2023, "Tegola Edilcentro".

Ndërkohë që 4 personat e shoqëruar u lanë të lirë më 27 shtator, në të njëjtën ditë që Sarchi u gjet i pajetë në rrugë në fshatin Salari të Tepelenës. Të katërt, Eqrem Braçi me dy djemtë, Gazmend dhe Daniel, dhe bariu Armir Hitoveizi kanë dhënë dëshmi kontradiktore.

Eqerem Braçi dhe djemtë e tij pretendojnë se janë sulmuar me armë nga një person misterioz, në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë, aty ku është skena e krimit. Sulmi me armë sipas tyre ka qenë i papritur. Të shoqëruarit kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar. Edhe bariu ka deklaruar se dëgjoi 3 të shtëna me armë. Por, Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.

Dyshohet se Sarchi kishte dalë për gjah mesnatën e 27 shtatorit, kur u gjet i pajetë mes fshatit Salari dhe Nivicë, në një prej akseve që përshkojnë Tepelenën. Ngjarja është e mbushur me mister dhe një sërë pikëpyetjesh.

Lajmi në përditësim...

Ora 11:30
Vrasja e italianit Sarchi në Tepelenë, gruaja e tij ortake në biznesin ‘Salaria Gaz’ të Gazmend Braçit

Report Tv ka zbuluar lidhjen e ortakërisë mes biznesmenit italian Edoardo Sarchi që u vra më 27 shtator në Tepelenë, dhe familjes Braçi. Report Tv ka mësuar se bashkëshortja e Sarchit, Majlinda Taga ka 50% të aksioneve në biznesin Salaria Gaz, ndërsa 50% të aksioneve i ka Gazmend Braçi, djali i Eqerem Braçit. Të dy , bashkë me djalin tjetër, Daniel, e kishin ftuar italianin në shtëpinë e tyre në Salari të Tepelenës dhe dyshohet se kishin dalë për gjah mesnatën e 27 shtatorit, kur italiani u gjet i pajetë në rrugë.

Majlinda Taga rezulton edhe financiere në fabrikën "Tegola Edilcentro", e cila prej 2023 administrohet nga Sarchi. Mësohet se Taga ia ka blerë Braçit 50% të aksioneve në vitin 2024, pra një vit më parë, me një vlerë prej 500 euro.

Kliko këtu për të lexuar kontratën shitjes së aksioneve te Majlinda Taga

Kliko këtu për të lexuar të dhenat e kompanisë 'SALARIA GAZ'

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?