Edi Rama dhe Sali Berisha

Opinion

Endri Kajsiu: Gracka e Ramës, si po e zhvesh rinumërimi Sali Berishën nga alibia e 'farsës zgjedhore'

7 Qershor, 11:35| Përditesimi: 7 Qershor, 11:38

  • Share

Sapo përfundoi numërimi i votave të partive dhe i votave preferenciale për zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama dha një urdhër të prerë: asnjë reklamim rezultati dhe asnjë kërkesë për rinumërim nga kandidatët e PS-së që nuk siguruan mandat përmes listës së hapur.

I sigurt në rezultatin dhe integritetin e procesit, Rama ndërtoi menjëherë një strategji politike brilante. Një strategji heshtjeje, vetëpërmbajtjeje dhe kontrolli të brendshëm, që i garanton Partisë Socialiste stabilitet dhe besueshmëri maksimale për 83 mandatet e fituara. Por në fakt, kjo është vetëm faza e parë e një gracke të mirëfilltë politike ndaj Sali Berishës.

Burime brenda PS-së konfirmojnë se Edi Rama u ka dhënë udhëzim përfaqësuesve të tij në KQZ që, nëse Berisha kërkon rinumërimin e të gjitha 5225 kutive të votimit në të gjithë Shqipërinë, ata të mos e kundërshtojnë. Të lejohet, të rinumërohet, të kontrollohet gjithçka – me qëllimin e vetëm që alibia e famshme e PD për “vjedhje me trenin bullgar” të zhvishet lakuriq ose tropojançe “cullak”.

Dhe Berisha, për të justifikuar humbjen madhështore, duket se ka rënë kokë e këmbë në këtë kurth të ndërtuar me gjakftohtësi nga Edi Rama. Për të blerë kohë dhe për të mbajtur gjallë retorikën për manipulim zgjedhor, Berisha urdhëroi ankimimin e rezultatit në të 12 qarqet, përfshirë edhe ato ku PD doli fituese si Shkodra, Kukësi apo Lezha, kur dihet botërisht që mënyra më e mirë për të ruajtur alibinë e manipulimit të rezultatit kur nuk njeh zgjedhjet, është mbyllja me “kapak floriri” e kutive të votimit që u numëruan më 11 maj!

Por ironikisht, ndërsa kërkon rinumërim të votës së partisë, Berisha refuzon kategorikisht çdo kërkesë për rinumërim të votës preferenciale brenda listës së PD-së, sidomos aty ku rezultati prek apo cenon interesat e “të preferuarve prej tij”.

Kështu, kandidati Aulon Kalaja ankohet publikisht se mandatin e tij ia ka marrë padrejtësisht kolegu në listë, Arjan Ndoja, dhe kërkon rinumërim në Durrës. Por Berisha nuk e lejon, nuk i jep vulën e subjektit që të legjitimohet si ankues në KQZ, sepse Arjanin e do në parlament për ta kompensuar. Arjani nuk ka hyrë në listë me duar në xhepa si Auloni, që nuk kishte si të hynte ndryshe, sepse prindërit e tij në Fushë-Krujë, njëri i bie pianos dhe tjetra këndon këngë patriotike. Ndërkohë, në Dibër, vetëm sepse Xhemal Gjunkshi “ka hyrë në listë me sakrifica personale”, për të njëjtën kërkesë që i refuzohet Aulonit, atij i jepet vula dhe autorizimi menjëherë për rinumërim të 44 kutive. Ky është standardi i dyfishtë i Berishës: nën petkun e luftës për drejtësi zgjedhore, ai fsheh lojën brutale për kontrollin e brendshëm të partisë dhe të interesave të tij familjare.

Ndërkohë në Tiranë, KAS pranoi kërkesën për rinumërimin e 1282 kutive, me qëllimin e hapur për të përmbysur rezultatin midis Agron Shehajt dhe Ilir Alimehmetit. Dhe pse partia “Mundësia” e Shehajt ka mbi 1400 vota më shumë se PD-ja, Berisha tenton t’ia marrë mandatin me çdo kusht, duke u përpjekur të “rivlerësojë” votat e pavlefshme, si dikur me rastin e famshëm të kutive të Ristanit që bënë Lulzim Bashën kryebashkiak të Tiranës.

Por ndryshe nga ajo kohë, Edi Rama këtë herë është i përgatitur deri në detaj. Me OSBE/ODIHR-in që e ka monitoruar procesin, me SPAK dhe Prokurorinë që kanë hetuar për korrupsion dhe krime zgjedhore, me një numërim të kryer në mënyrë bipartizane dhe me një rezultat të çertifikuar me një diferencë 326.823 vota mbi PD dhe aleatët e saj, Rama e sheh rinumërimin si një mundësi të artë që Berisha të vetë-rrëzojë alibinë e tij të gropës madhështore të 11 majit pa qenë nevoja të djegë duart e tij.

Rama është komod me këtë kërkesë të Berishës sepse e di që PD nuk do t’i gjejë 250.000 votat që i mungojnë nga 2021 në rinumërim dhe që kutitë e numëruara janë qelibar, sepse po të ishte ndryshe procesverbalet nuk do të ishin firmosur edhe nga komisionerët dhe numëruesit e PD. Prandaj do të rinumërohet gjithçka.

Por Edi Rama ama e di më mirë se askush që nëse pas rinumërimit nuk gjendet asnjë shkelje – Sali Berisha do të kthehet nga “akuzues” në “i akuzuar”, dhe në fakt ky është ashiqare qëllimi i vërtetë i dritës jeshile që ka hapur Edi Rama për rinumërimin në Tiranë.

Në këtë skenar, Sali Berisha do të dalë zbuluar si njeriu që nuk kërkonte transparencë, por manipulim nëpërmjet institucioneve të vetë-kontrolluara të KQZ-së. Dhe nëse – largqoftë – i merret mandati Agron Shehajt në tavolinë, përmes skemash të ngjashme me ato të së shkuarës, kur Lulzim Basha mori Bashkinë e Tiranës, atëherë vota nuk është vjedhur nga Rama, por nga vetë Berisha.

Nuk dihet kush e këshillon Sali Berishën sot, sepse LaCivita i la shëndetin, por një gjë është e qartë: nëse kjo strategji është vepër e tij, atëherë ai ka rënë tërësisht në grackën e Edi Ramës. Dhe nëse kjo po bëhet me “bekimin” e Ramës, atëherë jemi përpara një loje të thellë, ku Rama nuk po e vjedh Berishën, por po e detyron të vetë-diskreditohet.

Ky vetë-diskretitim nuk do të jetë thjesht një dëmtim i imazhit të Berishës tek ndërkombëtarët, sepse në fund të fundit nuk është se ka ndonjë imazh – “non grata” është – por dëmi më i madh do të jetë humbja e besimit të komisionerëve dhe numëruesve të tij, njerëz që i kanë ruajtur votat e PD me sakrifica, shpesh pa bukë, që tani po i çon drejt hetimeve e ndoshta burgut – vetëm që të mbajë gjallë një alibi politike për të justifikuar humbjen.

Kjo do të bëjë që në zgjedhjet e ardhshme, PD do ta ketë të vështirë të gjejë sërish njerëz për në komisione dhe numërim. Sepse askush nuk do të punojë për një lider që të lë pa bukë më 11 maj dhe të shet në burg për një mandat më 12 qershor me rinumërim.

Në këtë situatë, përgjegjësia për pastrinë dhe integritetin e procesit i takon Ilirjan Celibashit dhe institucioneve zgjedhore. Ata duhet të garantojnë që zgjedhjet nuk përdoren për pazare politike, por për të reflektuar realisht vullnetin e votuesve.

Le të presim e të shohim. Por një gjë është e sigurt: qetësia e Edi Ramës është vrasëse për Sali Berishën. Dhe me këtë strategji post-zgjedhore Edi Rama po e vret për të dytën herë pas 856.823 votave në lule të “kutisë” që i dha më 11 maj./Lexo.al 

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?