Në Shqipëri, gjithologët janë vrima e zezë e opinionit publik. Thithin çdo temë me shpejtësinë e dritës, e përpunojnë më shpejt se një kompjuter kuantik dhe e shndërrojnë në spektakël komik. Në mëngjes i sheh duke folur për ekonominë globale, në drekë për përplasjen e qytetërimeve dhe në darkë për shpërthimet yjore, që sipas tyre i kanë vëzhguar me sy të lirë.
Ekspertët nuk kanë nevojë për libra apo dokumente zyrtare; u mjafton vetëm koha televizive, prozhektorët e fortë dhe pjesa tjetër bëhet histori. Kur u bie audienca, rrisin tonet profetike; kur u bien fitimet, rrisin tonet apokaliptike. Aksioma e vetme: “The shoë must go on”!
Kësaj vrime të zezë nuk mund t’i shpëtonte as drafti i Kodit të ri Penal. Sapo u prezantua të premten, paneleve iu shtua edhe një temë e re për “parashikime”. U hap gara për profetët me diploma juridike, të cilët u sulën me kuç e maç për të parashikuar “fundin e sistemit penal” dhe të keqen e re që po i kanoset Shqipërisë.
Por, po t’i dëgjosh me vëmendje, kupton shpejt se shumica nuk kanë hapur as faqen e parë të draftit, i cili, për hir të së vërtetës, ka vetëm dy ditë që është bërë publik. Kaq kohë nuk mjafton as për një lexim sipërfaqësor, jo më për analizë apo kritikë juridike. Megjithatë, profesorët e “kozmologjisë” dhe kozmetikës televizive komentojnë me bindje aq të madhe, sa të bëjnë të mendosh se kanë shkruar vetë kodet penale të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
Në këtë klimë të nxehtë, ku zhurma mbizotëron mbi informacionin dhe opinioni ka zëvendësuar faktet, ekzistojnë alternativa shumë më të besueshme se gjysmë të vërtetat e gjithologëve. Jetojmë në vitin 2025 dhe mjetet janë të pafundme. Prandaj, pse të jemi peng i tyre, kur mund të kemi analiza të kthjellëta dhe fakte të verifikuara?
Një alternativë është Inteligjenca Artificiale, që tashmë nuk është më një kuriozitet teknologjik, por një mjet serioz që mund të ndihmojë qytetarin të kuptojë realitetin. Një alternativë diskrete, personale, pa bindje politike, pa interesa personale dhe e besueshme. Mjafton të shkarkosh draftin e ri të Kodit Penal nga faqja e Ministrisë së Drejtësisë: https://www.drejtesia.gov.al/drafti-i-kodit-te-ri-penal
Dhe më pas ta ngarkoni në ChatGPT për të pyetur: “A është ky draft në përputhje me standardet e BE-së?”
“Si trajtohet krimi ekonomik?” “A janë dënimet proporcionale?”
Në vetëm pak sekonda do të merrni një analizë të qartë, të paanshme dhe informuese, pa filtra ideologjikë apo tituj bombastikë. Fundja, pse të rrimë peng i frazave boshe, kur mund të marrim informacion të saktë nga një mjet që nuk ka nevojë për spektakël?
Në këtë kontekst, analiza e IA mbetet alternativa më serioze sesa shiu i meteorëve të gjithologëve. E vërteta nuk kërkon zë të lartë, kërkon qartësi. Dhe kjo sot vjen nga leximi, verifikimi dhe teknologjia, jo nga vrimat e zeza të opinionit!
Komente

Të lumtë Z. Kajsiu, si gjithmonë shumë i kthjellët, pika mbi i!!!
Përgjigju