Tiranë- Merr fund rrugëtimi i Endrit Braimllarit në Partinë e Lirisë.
Pas sherreve të vazhdueshme mes njerëzve të Monika Kryemadhit dhe atyre të Ilir Metës, Braimllari i cili ka qenë edhe një nga mbështetësit e Monika Kryemadhit është përjashtuar nga kjo strukturë politike.
Vendimi është marrë më 1 tetor nga Komiteti drejtues kombëtar i Partisë së Lirisë.
Menjëherë pas kësaj është marrë dhe vendimi i Braimllarit për të kërkuar largimin nga posti si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Në një komunikim zyrtar drejtuar Romina Kuko, kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Braimllari ka konfirmuar se nga ky moment do të veprojë si këshilltar i pavarur, duke shprehur angazhimin e tij për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës dhe për të krijuar mundësi të reja për ta.
"Në mbledhjen e Komitetit drejtues kombëtar të PL, e mbajtur në 1 tetor 2024 është marr vendimi për përjashtimin tim nga kjo strukturë politike.
Në kushtet e përjashtimit nga PL, kërkojë që të zbatoni vendimin për largimin si kryetar i grupit të këshilltarëve të PL në këshillin bashkiak Tiranë.
Nga ky moment do të jem këshilltar i pavarur në mbrojtje të interesit qytetarë, për të krijuar shanse dhe mundësi për qytetarët e Tiranës" thuhet në letrën drejtuar zonjë Kuko dhe që mban datën 8 tetor 2024.
Edhe pse largimi është bërë më 1 tetor, vetëm dy javë më pas u mësua ndërprerja e marrëdhënieve të Braimllarit me Partinë e Lirisë.