DURRËS- Shkruar 500 vite më parë komedia “Ëndrra e një nate vere”, e dramaturgut Ëilliam Shakespeare është rikthyer magjishëm këtë herë në skenën antike të amfiteatrit të Durrësit.
Nën regjinë e Driada Dervishit dhe pjesëmarrjen e 13 aktorëve më në zë të teatrit, në qendër të shfaqjes vjen historia e dashurisë së pamundur, konflikteve dhe nënndërgjegjes njerëzore në simbolikën e zanave, duke kthyer ngjarjet si një ëndërr pas në kohë.
“Bëhet fjalë për një nga shkrimtarët më të mëdhenj të historisë njerëzimit. Një shkrimtar si Shekspiri, pa dyshim mendoj se në të gjitha pjesët e tij fakti që vihet dhe rivihen në skenë do të thotë që nuk e humbasin kurrë aktualitetin. Është një komedi e bukur, ku bëhen bashkë teatri, e zakonshmja dhe bota magjike e zanave”, tha regjisorja.
“Edhe vepra e Shakespearet është shkruajtur për këtë natë, kur është solstici kur dalin zanat, xhindet. Është natë magjike dhe e donte fati e ishte dhe koincidence që të ishim sonte në premierë, publiku do shikoj një komedi të mrekullueshme”, tha aktori Gentjan Zenelaj.
Për aktoren në rolin kryesor të Hermias, Adelina Muça, rivendosja në skenë e premierës është një mundësi e mirë për të afruar publikun me emocionet e munguara të teatrit të Durrësit.
“Ëndrra e një nate vere”, është hera e tretë që unë luaj po të njëjtin personazh. Kjo është një gjë shumë e mirë që shfaqjet të rrinë në repertorin e teatrit kur është mundësia edhe duke i dhënë një atmosferë komplet tjetër qytetit të Durrësit duke çelur dhe një sezon të ri artistik për publikun e Durrësit”, tha ajo.
Komedia romantike “Ëndrra e një nate vere” do të shfaqet në amfiteatrin e Durrësit deri më 23 qershor, për t’u rikthyer sërish gjatë muajit korrik për publikun.
Komente
