Një ekonomi si kjo që është krijuar në Shqipëri në 32 vitet e fundit, trumbetohet sikur është një ekonomi që bazohet te tregu dhe konkurrenca e lirë, por në fakt:
● Është një ekonomi thellësisht e përqendruar në një grusht kompanish private, suksesi i të cilave nuk varet nga mirëmenaxhimi, por varet tërësisht nga marrëdhëniet korruptive me institucionet shtetërore dhe drejtuesit e qeverive, nga ku përfitohen favore nëpërmjet tolerimit të kontrabandës dhe evazionit fiskal;
● Është një ekonomi e centralizuar ku qeveria është burimi kryesor i mbështetjes së aktivitetit të një pakice kompanish private me rreth 2 miliard USD në vit nëpërmjet buxhetit të saj të investimeve, mirëmbajtjes dhe shpenzimeve të tjera;
● Është një ekonomi e deformuar nga paratë e zeza të krimit të organizuar dhe të korrupsionit shtetëror që janë futur ne biznesin e shume kompanive duke shkatërruar konkurrencën e ndershme dhe duke rritur tej mase dhe jashtë çdo logjike ekonomike çmimet e pasurive te paluajtshme, si edhe te produkteve dhe shërbimeve te tjera;
● Është një ekonomi që nuk bazohet te mirëmenaxhimi i resurseve natyrore dhe industria reale e prodhimi vendas, te talenti sipërmarrës, te energjia krijuese dhe shërbimet inteligjente, te industria e dijes dhe kërkim- zhvillimi, te motivimi i burimeve njerëzore dhe rritja e kapaciteteve konkurruese, te zhvillimi i brandeve kombëtare dhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, por bazohet te shfrytëzimi barbar dhe shkatërrimi i burimeve natyrore, te shkatërrimi i qyteteve me ndërtime monstruoze dhe vend e pa vend, te shfrytëzimi barbar i burimeve njerëzore, te rritja e analfabetizmit dhe shkatërrimi i institucioneve arsimore dhe kërkimore - shkencore, te devotivimi i të rinjve dhe nxitja e tyre për të braktisur vendin, te rritja e pandalshme e importeve dhe bizneseve tregtare dhe fasoneve, etj.
● Në Shqipëri vazhdon të thellohet çdo vit deficiti tregtar dhe ekonomia bazohet kryesisht te tregtia me shumicë dhe pakicë që zë mbi 50 % të GDP, ndërkohë që qeveria vazhdon te shtojë çdo vit malin e borxheve publike qe investohen në mënyrë jo produktive nëpërmjet PPP -ve gllabëruese qe sjellin shume pak përfitime reale për qytetaret.
● Duket sikur numri i bizneseve aktive në Shqipëri rritet çdo vit dhe aktualisht numërohen rreth 166 mijë subjekte, por realisht pjesa më e madhe e ekonomisë, e pasurisë dhe të ardhurave kombëtare zotërohet nga një pakicë shumë e vogël e kompanive dhe individëve.
Më konkretisht bazuar në të dhëna zyrtare dhe publike, vetëm rreth 0.05 % e kompanive në Shqipëri përfitojnë rreth 30 % të të ardhurave vjetore të të gjitha kompanive ose rreth 40 % të GDP vjetore të vendit, ndërsa rreth 0.5 % e kompanive zotërojnë rreth 50 % të të ardhurave të vendit të barabarta me rreth 60 % të GDP vjetore të Shqipërisë.
● Të dhënat e mësipërme janë akoma më dramatike po të përfshihej në analizë edhe vlera galopante e evazionit fiskal që kryhet nga kompanitë e mëdha. Dhe për të mbështetur këtë argument mjafton që të pasqyrojmë nivelin shumë të ulët të fitimeve që deklarojnë çdo vit në organet tatimore kompanitë e mëdha.
● Nga të dhënat zyrtare të publikuara rezulton se mbi 60 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 100 milion USD raportojnë në organet fiskale humbje nga aktiviteti ose një fitim 0.6 % - 2 %. Ndërsa mbi 50 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 10 milion USD raportojnë një fitim nga aktiviteti 2% - 5 %.
Kjo është arsyeja që niveli i fitimit mesatar te bizneseve në shkallë vendi është më i ulët se 8 % dhe që të ardhurat e buxhetit të shtetit qëndrojnë në nivele shumë të ulëta nga tatimi i fitimit të korporatave, ndërkohë që kompensohet nga taksat qe i paguajnë konsumatorët.
Me këtë strukturë dhe gjendje të ekonomisë së vendit qe punon vetëm për një pakicë shumë të vogël do të jete gjithmonë e vështirë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i vendit dhe rritja e mirëqenies qytetare shqiptare.
Edhe situata aktuale e stagflacionit i ka rrënjët te ky model i ekonomisë qe është ndërtuar ne 32 vitet e fundit, një model qe prodhon super mirëqenie vetëm për shumë pak individë dhe varfëri dhe mungesë perspektive për 99 % te qytetareve.
Vella shume mire makro por ke harruar dhe ato mikro informalitetin ne shkembimin e mallrave. levisjet cash ne ekonomi. informalitetin ne deklarimet a pagave. etj.. qe kane gerryer dhe njerzillikun dhe e bejne me gjitheperfshirese kete kaos total.
Përgjigju