Mihaj dhe Muja

Enea Mihaj dhe Arbnor Muja, kuqezinjtë protagonistë në Portugali e Turqi

2 Shtator, 20:00
  • Share

Futbollistët shqiptarë ishin të rëndësishëm edhe këtë fundjavë në Europë. Në veçanti u dalluan Enea Mihaj në Portugali dhe Arbnor Muja në Turqi.

Enea Mihaj vazhdon të përmirësohet e padyshim është një alternativë e rëndësishme për trajnerin Sylvinho në Kombëtare, aq më tepër në mungesë të Ajetit. Mbrojtësi kuqezi u bë protagonist në Superligën e Portugalisë duke dhënë një asist me thembër.

Skuadra e tij, Famalikao u mund 1-2 në fushën e Vitoria Guimaraes, por Mihaj e bëri të vetën. Në minutën e 17-të, ai shërbeu për barazimin e përkohshëm 1-1. Ndërkaq, në Turqi, shpëthen një lojtar i kombëtares, që këtë herë është lënë jashtë, ashtu siç nuk u mor as në Europian.

Ky është Arbnor Muja, që ka kaluar tek Samsunspori në Superligën turke dhe në ndeshjen e fundit ishte një hero i vërtetë. Samsunspori fitoi 5-0 në stadiumin e Hataysporit dhe futbollisti ofensiv i krahut realizoi golin e parë në minutën e 37-të.

Pas pushimit, ai e bëri më të sigurt suksesin duke dhënë pasimin për golin e dytë shënuar nga Marius.

Po në Turqi ishin përballë dy lojtarë të kombëtares. Ernest Muçi i Besiktas dhe Rey Manaj i Sivassporit luajtën si titullarë, teksa skuadra e Stambollit fitoi 2-0 me gola të shënuar nga Ciro Imobile me penallti në pjesën e parë dhe Gedson Fernandes në minutën e parafundit.

Muçi luajti 62 minuta, ndërsa Manaj deri në fund, e në fushë ishte edhe sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?