Tatëpjeta e eksporteve shqiptare duket se po ndalet, pas një rënie më shumë se dyvjeçare, e shkaktuar kryesisht prej zhvlerësimit të valutave. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet e produkteve shqiptare në katërmujorin e parë të këtij viti arritën në 1.3 miliardë euro, duke u rritur me afro 31 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Eksportet në këtë periudhë janë rritur edhe në sasi pasi nga janari deri në prill u shitën jashtë vendi 1.4 milionë tonë produkte ‘Made In Albania’, nga 1.3 milionë tonë të shitura vjet në të njëjtën periudhë.
E gjithë rritja ka ardhur nga industria nxjerrëse, pasi është shitur më shumë energji elektrike, naftë dhe minerale. Eksportet e këtij grupi arritën në 373 milionë euro nga 257 milionë euro vjet, ose 116 milionë euro rritje.
Sipas INSTAT përmirësim i lehtë është regjistruar edhe tek grupi i ushqimeve e duhanit me 8 milionë euro më shumë eksporte krahasuar me janar-prill 2024.
Pavarësisht këtij përmirësimi të lehtë në raport me vjet, përsëri disa sektorë mbeten në ‘kthetrat’ e krizës, pasi kanë më pak porosi e për pasojë fitimet janë ulur në vlerë dhe sasi.
Rënia më e fortë në raport me vjet është tek materialet e ndërtimit, pasi bizneset e këtij sektori në këtë katërmujor janë shitur vetëm 166 milionë euro, nga 245 milionë euro që ishte vlera në vitin 2024.
Po kështu edhe sektori i manifakturës ka tregtuar më pak mallra jashtë vendit. Nga 367 milionë euro vjet në 357 milionë euro këtë vit, pra 10 milionë euro më pak. Në rënie janë edhe eksportet e lëndëve plastike, prodhimet e drurit dhe lëkurës.
Vetë sipërmarrjet eksportuese por edhe institucionet në vend thonë shkaqet kryesore që po ndikojnë negativisht në tregti është zhvlerësimi i pandalur i euros dhe dollarit, por edhe rënia e çmimeve në tregjet e huaja.
Tregtia po bëhet mes pasigurisë edhe përtej këtyre faktorëve, pasi tensionet globale me tarifa doganore që kanë të njoftuar SHBA-të e kanë rritur frikën për një tjetër krizë shkëmbime mallrash.
Komente
