‘Dosja K’ në REPORT TV/ Enigma Taho Sejko, tragjedia e një familje, me katër burra të zhdukur

11 Korrik 2018, 08:25| Përditesimi: 11 Korrik 2018, 09:32

  • Share

Në emisionin “Dosja K” në Report Tv, zbardhet një prej ngjarjeve më misterioze të diktaturës. Nga arrestimi tek gjyqi i sajuar i “grupit çam”, si u përdorën Sejkot, tragjedia e një familjeje me 4 burra të zhdukur,  enigma e fatit të Taho Sejkos dhe loja e Sigurimit...

“Enigma Taho Sejko”, nje dokumentar i konceptuar në dy pjesë  do të zbardhë në emisionin Dosja K, një prej ngjarjeve më tragjike dhe  të fshehta nga komplotet e periudhës së diktaturës.

Dokumentari sjell për herë të parë dëshmi dhe dokumente të arkivave sekrete, duke zbardhur për herë të parë  të vërtetën rreth fatit të Taho Sejkos, të vetmit që ju bë gjyqi më dyer të mbyllura…

Sonte në pjesën  e parë të dokumentarit, përmes dëshmive të panjohura nga familja, zbulohet gjithë rrjedha e ngjarjeve dramatike, nga dita  e arrestimeve deri tek gjyqi një vit më vonë, sfondi historik dhe po ashtu  prapaskenat e Sigurimit të Shtetit në këtë histori plot mistere.

Hektor Sejko, djali i Taho Sejkos, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur iu arrestua babai, zbulon fakte surprizë në këtë dokumentar.

Pjesa e dytë e dokumentarit, javën e ardhshme, përmes dokumenteve të shumta të arkivave fshehta do të japë  përgjigje për gjithë pyetjet që kishin mbetur pa përgjigje përmbi 30 vjet me rradhë dhe sidomos për gjyqin e fshehtë të Taho Sejkos dhe fatit të tij pas ditës së arrestimit.


Taho Sejko me bashkëshorten dhe tre fmëijet para arrestimit

Mëngjesi i 28 korrikut, i vitit  1960, në Shkodër
Në familjen e Taho Sejkos gjithçka ishte e qetë. Një mëngjes vere, me ritualet e përditshme. Por ajo ditë e fund korrikut shpejt do të ngrysej. Nj  ë stuhi do të shpërthente befas në qiell të hapur. Babai kishte lënë në shtëpi bashkëshorten dhe tre fëmijët dy vajza dhe djalin e vetëm Hektorin, i cili ishte atëkohë 14 vjeç. Ai mëngjes do të ishte mbase mëngjesi i fundit, i paqtë mes tyre....

“Im atë u nis për në parkun e Shkodrës dhe do të shkonte në Pukë pasi e priste, sipas informacioneve, Beqir Balluku për të siguruar disa mjete për ushtrinë, për lëvizje mallrash. Kjo ishte gjithçka e sajuar sepse ky fenomen nuk ishte, nuk ekzistonte kjo punë. Por në momentin që ai shkoi në park, në orën 10 paradite, ai është arrestuar.

Pas 4 orëve një grup prej dy oficerësh dhe kryetari i lagjes, vijnë në shtëpinë tonë. Kryetari i lagjes vjen me biçikletë. Unë fëmijë 14-vjeçar, s’kisha idenë se për çfarë erdhën ata, se si ishte puna, e marr atë biçikletën edhe shkoj në park. Në park ishte një situatë, kuptohet e rënduar, tejet e rënduar. Unë shihja me habi njerëz që më shihnin mua sikur kisha ardhur nga Marsi dhe njëri prej atyre personave që realisht tani unë s’e mbaj mend se kush ishte ai, më afrohet edhe më thotë: “Të lutem, mos rri këtu, ik në shtëpi”. E pashë, i hipa biçikletës dhe erdha në shtëpi. Ndërkohë në shtëpi kishte filluar kontrolli. Ata po kontrollonin çdo gjë imtësisht dhe po regjistronin çdo gjë. Mbi raftin e rrobave të dhomës së gjumit të nënës sime ishte një pistoletë nagant, e cila ishte trofe lufte, e cila ishte pa fishekë. E kishte im atë që prej luftës. Ai oficeri i tha të tjerëve që “është një pistoletë nagant këtu sipër mbi raft”. E mori edhe atë, bëri regjistrimin komplet. Kishin dhënë lajmin që Tahoja është arrestuar. Kuptohet ishte xhaxhai im i dyti, Suloja, ishte e shoqja, ishte nëna ime, ishte daja im aty dhe kishte rënë një hije e zezë, që unë në atë moshë e kisha të vështirë për ta suportuar e për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur”.


Taho Sejko në Shkodër

Përballja dramatike e dy grave
Ishin ditët e para të gushtit 1960. Në familjen e Taho Sejkos të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e babait. Askush nuk ju kishte sjellë asnjë informacion për të. E tronditur dhe me hijen e dyshimeve, bashkëshortja e Taho Sejkos me tre fëmijët e saj niset për në Tiranë. Atëkohë Teme Sejko, komandant i flotës detare shqiptare me banim në Vlorë kishte ardhur përkohësisht në Tiranë. Ai do të dinte patjetër diçka për fatin e  të vëllait. Me këtë shpresë kishin udhëtuar nga Shkodran në Tiranë atë ditë të nxehtë gushti bashkëshortja dhe tre fëmijët e Taho Sejkos.


Taho Sejko në zyrën e tij

Hektor Sejko kujton:
“Kur shkuam atje, ka qenë një skenë që nuk jam në gjendje për ta treguar se si ishte, të dyja kunatat karshi njëra-tjetrës dhe e shihnin njëra-tjetrën me një shikim të çuditshëm. Njëra thoshte që përse kishim ardhur aty, tjetra thoshte se përse po i rrinin kaq ftohtë dhe në momentin që u mor vesh e vërteta, se ishte arrestuar edhe Temja në të njëjtën orë, në të njëjtën ditë, ato përqafuan njëra-tjetrën dhe filloi një vaj, një vaj i madh. Nëna i tha që “kam ardhur për të gjetur mbështetje dhe këtu po gjej të njëjtën situatë siç është në familjen time”. Ishte tejet e rëndë skena dhe prej asaj periudhe jemi ndarë përfundimisht. Ata i hoqën nga Tirana. Ata s’ishin nga Tirana se ishin në shtëpinë e dikujt tjetër. I çuan në Berat. Ne mbetëm në Shkodër dhe unë ata njerëz nuk i kam parë më”.

Vera e vitit 1960 kishtë shënuar sinjalet e para të divorcit të Hoxhës me Moskën. Diktatori shpresonte të siguronte një mbështetje për të absolutizuar pozicionin e tij si udhëheqës. Për afro një vit, Hoxha do të vigjilonte në pritje të kësaj garancie nga Moska e cila nuk i erdhi. Përfundimisht divorci me Bashkimin Sovjetik u formalizua në dhjetor 1961.

Por pse ishin arrestuar Sejkot dhe grupi i tyre që në korrik të 1960? A ishin ata një lloj pengu në këtë pritje të ankthshme të diktatorit me sytë nga Moska? Çfarë kishte ndodhur me dy vëllezërit e arrestuar në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë, njëri në Shkodër e tjetri në Tiranë, deri ditën kur u zhvillua gjyqi i Teme Sejkos në maj 1961?

Sa i shërbente Enver Hoxhës në ato muaj ankthi të divorcit me Moskën një alibi që ta përtypte populli shqiptar, për një grup komplotistësh të lidhur me Bashkimin Sovjetik, me Imperializmin Ameriakan, me Jugosllavinë e Titos dhe Greqinë? Në raportin e mbajtur në Kongresin e IV të Partisë së Punës  me 13 shkurt 1961,pre muaj para gjyqit të teme Sejkos, Enver Hoxha deklaroi:

“Jugosllavia Titiste së bashku me aleaten e saj Greqinë, në koordinim me NATO-n dhe Flotën e VI Amerikanë në Mesdhe, komploton kundër lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit tonë… Unë mund t’i deklaroj Kongresit, popullit, Partisë se këto dy fuqi, Jugosllavia dhe Greqia, në bashkëpunim me disa tradhtarë shqiptarë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi dhe në koordinim me Flotën e VI Amerikane në Mesdhe, kishin organizuar disa muaj më parë komplotin kundër Shqipërisë. Ky komplot dështoi fund e krye. Komplotistët dhe faktet janë në duart e drejtësisë popullore”. 

Radio Beogradi hedh poshtë gjyqin e teme Sejkos
Hektor Sejko: “Në majin e vitit 1961, u bë gjyqi dhe në atë gjyq që u trumbetua me radio, se televizorë s’kishte në atë kohë, u dëgjuan mrekulli. Vëllai akuzonte të vëllanë. Të gjithë ata akuzonin njëri-tjetrin. Akuzonin njëri-tjetrin dhe të gjithë flisnin me një bllok. Kishin nga një bllok në dorë dhe lexonin ato që ishin të shkruara në bllok...”.

“Ne për çdo pasdite, gjatë ditëve të gjyqit d.m.th., dëgjonim Radio-Titogradin. Radio-Titogradi kishte program të veçantë, koment për gjyqin. Dhe komenti i Radio-Titogradit për gjyqin hidhte poshtë çdo fjalë që flisnin ata atje. Thoshin që Teme Sejko dhe Tahir Demi, deri në ditën e arrestimit, kanë qenë miqtë e shehut dhe të hoxhës. Teme Sejkoja në Jugosllavi është në librin e bardhë sepse Teme Sejkoja ka qenë drejtor i Zbulimit të Ushtrisë.

Dhe jepnin informacion të detajuar. Në filan datë, në filan orë, në filan muaj, Teme Sejkoja ka dërguar filanin këtu për agjenturë, kuptohet, Zbulimi i Ushtrisë. Pra jepte disa emra në vazhdimësi dhe tregonte që këta persona kanë ardhur nga Teme Sejkoja, ai i kishte dërguar. Ky ishte personi drejtor i Zbulimit të Ushtrisë që i ka çuar këta njerëz për të bërë spiunazh në tokën jugosllave. Pra, s’ka si të jetë ky armik i Enver Hoxhës, ky është armik i Jugosllavisë, është në librin e bardhë të Jugosllavisë. Pra libër të bardhë ata quanin librin ku regjistroheshin armiqtë e Jugosllavisë. Komentet ishin nga më të ndryshmet. Aty flitej për gjëra që ishin shumë, shumë interesante, argumente, të cilat realisht na pëlqenin edhe neve, me thënë atë që është. Pse? Sepse ata e hidhnin gjyqin katërçipërisht poshtë.

Dhe argumentonin në një mënyrë të atillë që neve na pëlqente, por edhe atyre që s’u pëlqente ishin të detyruar të bindeshin prej argumenteve që flisnin ata atje. Dhe thotë: “Këtu ka një çudi. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e juridiksionit botëror që të pandehurit vetakuzohen pa fund. Ka momente që njeriu s’pranon diçka. Kjo s’është e vërtetë. Kjo s’bën, nuk është kështu. Kurse këta në vazhdimësi, s’bëjnë gjë tjetër veç vetakuzohen. Kështu që kjo është e çuditshme. Pastaj këtu ka njerëz me akademi ushtarake, me shkolla, që me barinj, me njerëz pa shkollë, kërkojnë të rrëzojnë pushtetin. Është absurditet. Është diçka që nuk shkon, nuk qëndron si çështje”

E mbajtën nënën 3 orë në Degën e Brendshme të Selvia...
Hektor Sejko: “Në momentin kur filloi Teme Sejkoja të fliste, ka folur ditën e tretë, filloi të akuzonte të vëllanë. Akuzat e të vëllait ishin akuza të tilla, të asaj kategorie saqë e detyruan nënën time të na marrë neve me vete dhe të shkonte në Tiranë. Për çfarë? Teme Sejkoja fliste për mbledhje të bëra në shtëpinë e Taho Sejkos, në një kohë që në periudhën që ne ishim në Shkodër, Teme Sejko s’kishte ardhur ndonjëherë në Shkodër në shtëpinë tonë. Kishte ardhur në Shkodër, por jo në shtëpinë tonë. Nëna tha: “Do të shkojmë në Gjykatën e Lartë dhe në Kuvendin Popullor dhe do t’i them se për çfarë flet Teme Sejko për problemet e veta, nuk jam në gjendje të them asnjë fjalë, sepse i di ai. Për çfarë flet në adresë të Taho Sejkos nuk ka asgjë të vërtetë sepse normalisht ai s’ka ardhur asnjëherë në shtëpi te ne”. Pra, ky paska ardhur të bëjë mbledhje, ndërkohë që nëna ishte shtëpiake dhe rrinte gjithë kohës në shtëpi. “Kur i ka bërë këto mbledhje dhe kur ka ardhur ky që unë s’e paskam parë dhe s’kam ditur gjë”. Që të mos zgjatem se si ndodhi problemi e ku u bë biseda, sepse u bë në shtëpinë e gjyshes sime, personi që ishte sipër dhe që e dëgjoi muhabetin, ishte një avokat, shkoi në Degën e Brendshme, dha informacionin. Erdhi dhe na mori policia të gjithëve, d.m.th. nëna ime me tre fëmijët. E kanë mbajtur nënën time rreth 3 orë te Dega e Brendshme që në atë kohë ishte te “Selvia” dhe pas 3 orëve i kanë thënë që “tani do të shkosh në Shkodër, në qoftë se bën gabim dhe vjen edhe një herë në Tiranë, burgu të pret”. Na kanë marrë e na kanë shoqëruar me polici deri te Ministria e Brendshme, ku ishte agjencia e autobusëve. Na kanë hipur në autobus dhe ka hipur edhe një polic. Ky polic ka ardhur deri në Vorë. Në Vorë zbriti dhe ne s’kishim më as të drejtën, në mënyrë absolute, për të bërë asnjë lloj veprimi”.

E kanë vrarë,  apo është çmendur?
“Pas gjyqit të Teme Sejkos, ku Taho Sejkoja u quajt edhe si kryetar i grupit që kishte bërë lidhjet, prisnim se ku ishte im atë. Dhe ka shkuar im më e ka takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Gjykatës, të dy. I ka thënë: “Unë Taho Sejkon nuk e njoh si armik. Jam njohur në luftë dhe jam martuar direkt pas lufte. Nuk e njoh si armik.

Tani unë kërkoj me insistim që të marr pjesë në gjyqin e tij. Dua të di të vërtetën”. A e dini se çfarë përgjigjeje i ka dhënë prokurori? Ai i tha: “Gjyqi i Taho Sejkos do të bëhet me dyer të mbyllura”. Dhe e dini se çfarë përgjigjeje i ka dhënë nëna ime? I tha: “Më fal, shoku prokuror, keni bërë me dyer të hapura gjyqin e Teme Sejkos, drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe Komandant i Flotës. Bëni me dyer të mbyllura gjyqin e Taho Sejkos, shef i redaksisë ekonomike të “Zërit të Popullit” dhe drejtor i parkut të Shkodrës? Si e thoni këtë?”.

Pra ishte e pamundur për të marrë informacion të saktë për problemin e tim ati. Ndërkohë, nëna ime bëri tre telegrame, kërkesë për takim me Kadri Hazbiun. Ka shkuar në Kuvendin Popullor, s’ka marrë përgjigje. Në Prokurori jo, në Gjykatën e Lartë jo, në Kuvendin Popullor jo. I ka bërë tre telegrame Kadri Hazbiut, kërkesë për takim. S’e ka pritur. Në telegramin e tretë, na vjen polici te dera në Shkodër dhe thotë: “Të kërkon kryetari i Degës”. Shkon nëna te kryetari i Degës dhe, çudia e madhe e asaj kohe, ai i thotë: “Si e ke hallin që i çon tre telegrame dhe i kërkon takim Kadri Hazbiut?”. Ajo i thotë: “Qarkullojnë fjalë për burrin tim që është pushkatuar, që ka vdekur dhe që është çmendur”.

Realisht këto fjalë qarkullonin. Përgjigjja e Feçor Shehut, kryetarit të Degës: “Po ta kishim pushkatuar frikë s’kemi, do të thoshim e kemi pushkatuar. Po të kishte vdekur, njerëzit vdesin edhe jashtë edhe brenda, do të thoshim ka vdekur. Po të ishte çmendur s’do të ishte as për ty as për neve, e do të thoshim shko në Elbasan se atje e ke se është çmendur. Shko rrit ata fëmijë se këtë punë e di Partia”. Pra, këtë punë e di Partia, normalisht kjo lloj përgjigje na ngrohu. Realisht ata s’kishin frikë, s’kishin arsye për të pasur frikë”.

Ishim 5 vetë me një rrogë, duhej të punoja që 14 vjeç
Hektor Sejko: “Ne jetonim 5 veta vetëm me një rrogë, me rrogën e tim ati. Pra, nëna ime ishte pa punë, im atë u arrestua. Se çfarë kishte ndodhur në pjesën tjetër në Tiranë e poshtë e përpjetë, në Konispol, ne nuk kishim asnjë informacion për këtë punë, se nuk dinim gjë se ç’kishte ndodhur. Kaluan ditët e para, ditë të trishtueshme, ditë të mërzitshme, ditë të cilat në kujtesën time kanë mbetur të pashlyeshme.

Kanë mbetur të pashlyeshme sepse në atë kohë një prej punonjësve të parkut na pruri rrogën e tim ati, se ishte 28 korriku dhe rrogat i merrnin në datën 1. Dhe pas një muaji ne s’kishim para as për bukë. Një situatë tejet e rënduar. Njerëzit që pyesnin, interesoheshin, si u bë, tek u bë, pse, ku? Dhe për këtë punë përgjigje s’kishte, se s’kishte kush të jepte përgjigje. S’jepte përgjigje njeri për këtë punë.

Me kalimin e kohës, me kalimin e muajve d.m.th., kuptohet që vështirësia u rëndua më shumë, sidomos u rëndua problemi ekonomik, se s’kishim. Ne ishim tre fëmijë të vegjël. Unë isha 14 vjeç. Unë u detyrova në atë periudhë, në atë kohë që të punoja në fabrikën e tullave. Isha edhe i dobët fizikisht. Kam shkuar të punoja në fabrikën e tullave për të ndihmuar me diçka, të mundja të bëja diçka për familjen. Ime më, me shumë vështirësi, filloi punë si sanitare në spital. Pra kjo periudhë kohe ka pasur një ngarkesë të jashtëzakonshme psikologjike, ngarkesë ekonomike, shpirtërore, e cila si të thuash, pas la ato pasojat e veta. Kuptohet ajo punë që la pasojat e veta”.

Tragjedi përmbi tragjeditë
Pas atij gjyqi famëkeq familja Sejko ishte goditur nga të gjithë krahët. Familja e Teme Sejkos kishte pjesën më të rëndë. Pas pushkatimit të tij, regjimi do ti pushkatonte në vitin 1974 edhe djalin 23 vjeç Sokolin. Pas vdekjes së të birit, nëna fatkeqe, bashkëshortja e Teme Sejkos do të vriste veten. Fund tragjik pati edhe vëllai i mbetur në Shkodër Sulo Sejko.

Hektori e tregon me dhimbje këtë përmbledhje të fateve të dhimbshme, të familjes së tij duke e nisur me familjen e Teme Sejkos, dhe jo pa qëllim.

Hektor Sejko: “Sepse është një pjesë më vete, është një dramë më vete, që është e paimagjinueshme të ndodhë një fenomen i asaj natyre, të shkohet deri në atë shkallë saqë të vritet një djalë 23-vjeçar e të bësh të ëmën të hidhet prej katit të katërt. ...

Ndërkohë, në periudhën e vitit 1961-1963, xhaxhai im Sulo Sejkoja, i cili jetonte në Shkodër, u vu përpara një situate të vështirë shumë, u abandonua nga njerëzit, u abandonua komplet dhe bëri dy tentativa vetëvrasjeje: një herë preu damarët e duarve, në dhjetor të vitit 1962. E panë shokët e punës, e çuan në spital dhe kur erdhi, në shkurt të vitit 1963, u mbyt në pus. Pra, gjyshja ime që jetonte, që ishte gjallë, i humbi tre djemtë brenda kësaj periudhe kohore.

Mbeti pa asnjë. Ndërkohë i kishin internuar edhe të bijën, ia kishin çuar në Lushnjë, se e bija, motra e këtyre vëllezërve, ishte e shoqja e Rexho Plakut. Rexho Plaku ishte në burg. Iku edhe ajo në internim dhe situata normalisht ishte jo e vështirë, por jashtëzakonisht e vështirë dhe jashtëzakonisht e rëndë, d.m.th. drama që vinin njëra pas tjetrës. Pastaj në vitin 1974 ndodhi ajo pjesa tjetër, që u vra Sokoli, 23-24 vjeç. E pushkatuan me idenë dhe me mendimin, duke e akuzuar se ky “paska dashur të djegë” kombinatin e betonit “Mao Ce Dun” në Berat.

E krijuan një diçka të kësaj natyre. Ai qëndroi shumë burrërisht. Jo vetëm që s’e pranoi, por i vuri edhe me shpatulla për muri. Nuk kërkoi mëshirë. Kur i thanë: “Kërko mëshirë”, shprehja e tij ka mbetur simbol: “Nuk kërkoj mëshirën e njerëzve që s’e njohin mëshirën”. Dhe kur e pushkatuan, i tha: “Si s’më keni lënë të takoja babanë tim kur e keni pushkatuar në vitin 1961 edhe tani s’më lini të takohem me familjarët e mi, prandaj afrohuni (ka komanduar togën e pushkatimit, një djalë 24 vjeç) dhe shtini”.

Enigma... rron apo ka vdekur?
A kishte vdekur Taho Sejko siç thoshin?  Në gjyq atë nuk e pa askush. Thanë se gjyqin e bënë me dyer të mbyllura. Mos ishte i gjithi një inskenim? Familja e Taho Sejkos ka jetuar me vite të tëra me histori të pafund konspiracioni. Gjithmonë dilte dikush, diku dhe i bënte të besonin se ai ishte gjallë.

Hektor Sejko: Përfundimisht, nga anë të ndryshme, në mënyra të ndryshme, me persona të ndryshëm, vinin gjithfarë informacionesh: “e kemi parë Taho Sejkon këtu, e kemi parë atje, është vënë në shërbim, është i sëmurë në spital”, të gjitha llojet e informacioneve edhe thjesht për të dhënë informacion që ekziston, jeton. Dhe ne kemi jetuar 31 vjet me këtë shpresë, 31 vjet me këtë ëndërr. Llogarit se ka shumë aspekte, ka shumë insinuata, por unë po të them insinuatën e fundit dhe aspektin e fundit: më 25 dhjetor të vitit 1984 vdiq nëna ime. Varrimi ishte në orën 2. E çuan në orën 2 e gjysmë, gati në orën 3. Por më 25 dhjetor, në orën 3, fillon të errësohet. Sa shkuam ne te varrezat, pothuajse u errësua. Dhe a e di se çfarë doli pas varrimit? “Taho Sejko ka qenë pas një peme aty, dhe ka marrë pjesë në varrimin e të shoqes. E keni pas babën aty, aty ka qenë”.

Pas 30 vitesh dyshime, informacione nga më kontradiktoret me shpresën se do ta shihte sërish babanë e tij, ose të paktën të mësonte të vërtetën e fatit të tij, Hektor Sejko në vitin 1992 do të gjente një mundësi të futej në arkivat sekrete por edhe të merrte dëshmi të dorës së parë. Ai do të shkonte, nga viti në vit,  hap pas hapi, drejt zbardhjes së të vërtetës.

(Fundi i pjesës së parë)
Shënim: Pjesa e dytë e dokumentarit “Enigma Taho Sejko” do të transmetohet në Report Tv, ne emisionin Dosja K, të martën me 17 korrik 2018.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?