Për të dytin vit me rradhë është zhvilluar në Pogradec maratona ndërkombëtare e vrapimit ‘Enkelana’, që mblodhi afro 700 garues nga 25 vende të ndryshme të botës. Garat ishin për djem dhe vajza në dy disiplina të ndryshme, 10 dhe 21 kilometra. Në këtë të fundit fitues u shpall maratonomaku grek Ponagiotis.
“Është hera ime e parë që vij në Shqipëri dhe kam bërë shumë ushtrime që tia arrij të dal i pari. Emocionat janë të bukura dhe është kënaqësi të garosh në Pogradec, një qytet i këndshëm,”-u shpreh greku Alevizos Ponagiotis, fituesi i 21 km.
Garuesi më i veçantë ishte nga Brazili, i cili e përshkroi maratonën bashkë me beben e tij që mbante në karrocë.
“Hera e parë që marr pjesë në garën e Pogradecit. Një qytet me pamje të bukur dhe një garë e vështirë me beben. Zgjodha të garoj të beben sepse ai është pjesë e familjes dhe nuk mund ta lija jashtë kësaj. Hera e parë që varpj bashkë me të,”-tha garuesi brazilian.
Ndërkohë në maratonën e Pogradecit morën pjesë edhe shumë shqiptarë nga diaspora.
“Jam Muhaxhedini nga Kërçova e Maqedonisë. Për herë të parë marr pjesë në këtë maratonë që ishte e bukur dhe interesante. Kishte një organizim të mirë,”-tha një garues.
“Jam Bledar Mesi, pjesë e forcave të armatosura. Sot zura vendin e dytë. Është një garë shumë e bukur në qytetin e luleve. Një garë shumë e mirë,”-u shpreh një garues.
“Unë quhem Shpend Mulaj dhe jetoj prej 35 vitesh në Suedi. Jam një ndër shqiptarët e parë që marr pjesë në 6 maratonët e mëdha të botës që quhen ‘major marathon,"-deklaroi një tjetër garues.
“Odisea Kujtezi quhem, jam nga Janina dhe është hera e parë që vij këtu. Jam shumë i kënaqur për sot sepse ishte një garë shumë e bukur, e pastër. Nuk e dija që Pogradeci është kaq i bukur,”-tha një tjetër garues.
Organizimi i maratonës pati peripecitë e veta siç ishte edhe trafiku i krijuar, por më e rëndësishmja është promovimi i qytetit dhe impakti ekonomik që ajo ka.
“Ti japim të gjithë botës një kartolinë të bukur të një qyteti fantastik i cili nuk do shquhet vetëm për letërsi, kulturë dhe art, por tani edhe për sport, duke patur një gjys maratone të certifikuar Enkelanën, që ka hyrë edhe në kalendarin botëror të maratonave duke patur ditën e saj,”-u shpreh Leonard Peço, organizator i maratonës.
“Një aktivitet shumë i rëndësishëm që zhvillon turizmin sportiv, por padyshim edhe turizmin në përgjithësi, duke dhënë një impakt në ekonomi. Krijon edhe një impakt promovues jo vetëm për Pogradecin, por për të gjithë qarkun tonë,”-deklaroi Nertil Jole, prefekt i qarkut Korçë.
Një ditë më parë, për hetë të parë në Shqipëri, po në Pogradec, u mbajt edhe maratona e bebeve nga 4 deri në 15 muajsh.