Enrique Iglesias, ‘ndez’ Tiranën për dy orë, bën shqiponjën dhe flet shqip! Fansat e huaja vijnë në Shqipëri për performancën

1 Korrik 2023, 12:55| Përditesimi: 1 Korrik 2023, 13:05

  • Share

Këngëtari me famë botërore, Enrique Iglesias dhuroi një shoë të paharrueshëm për të gjithë fansat e tij në Shqipëri. Për rreth dy orë, ylli latin, e ndezi skenën e ngritur në sheshin 'Skënderbej' që ishte mbushur plot me njerëz që e pëlqejnë muzikën e tij. Duke pritur momentin që Iglesias do ju afrohej pranë, ata kënduan së bashku në kor të gjitha hitet si “Bailamos”, “Rhythm Divine”, “Heart Attack”, etj.

Kjo ardhje për herë të parë në Shqipëri e yllit të muzikës botërore, nuk mund të ju ikte fansave të zjarrtë në vendin tonë, pavarësisht biletave me çmime të majme, ku më e lira kushtonte 28 euro. Posaçërisht për të ndjekur Iglesias në Tiranë mbërritën edhe shumë  të huaj.

“Jam fans i Enrique Iglesias prej 15 vitesh. Kemi parë një postim në Facebook, premë biletat dhe erdhëm nga Gjermania këtu në Shqipëri. Na pëlqen shumë gjithçka dhe këtu, ushqimi, njerëzit”, tha një fans nga Gjermani.

“Jam nga Rumania. Erdhëm me makinë këtu, vetëm për Enrique Iglesias”, tregoi një tjetër.

“Jam nga Belgjika. Jam fanse e tij prej vitit 1999. Prej 24 vitesh fanse. Pagova 98 euro për biletën dhe nuk është shumë. Kam qenë në 19 koncerte të Enrique Iglesias”, tha një tjetër.

Gjatë performancave të shumta, ylli botëror nuk la pa bërë me duar edhe simbolin e vendit tonë, shqiponjën. Por, duket se kjo nuk ishte e vetmja surprizë, pasi Iglesias kishte mësuar dhe një fjalë shqip. Me një gotë pijeje në dorë, në fund ai tha ‘gëzuar’ në shqip.

Përpara se të niste performancën në shesh, Iglesias u takua edhe me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi çelësin e qytetit. Pas këtij koncert, një tjetër yll i muzikës latine, Ricky Martin do të mbajë koncert në Tiranë, më 20 korrik.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?