Enver Qerimaj

Drejt Punës

Enver Qerimaj, “Mjeshtri i Madh” i violinës

29 Janar 2022, 14:39| Përditesimi: 29 Janar 2022, 14:42

  • Share

Violinisti Enver Qerimaj është nderuar të premten nga Presidenti I Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, një vlerësim që admiruesit e shumtë të tij ia kishin dhënë prej kohësh, jo vetëm në qytete të ndryshme të Shqipëri, por edhe në skenat e vendeve të tjera.

Violinistin durrsak e quanin “Maestro”, që në periudhën e shërbimit ushtarak gjatë turneve në Kinë e në Vietnam. Artistin e mirënjohur e duartrokisnin gjatë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ku ai interpretonte perlat e muzikës shqiptare.

70-vjeçari Enver Qerimaj kujton kënaqësinë që i kanë dhënë duartrokitjet e publikut, por edhe vështirësitë që ka ndeshur në rrugën artistike. Në më shumëse  gjysëmshekulli karrierë artistike ai ka qenë pjesë e formacioneve të të njohura orkestrale të muzikës klasike, të cilat janë mirëpritur në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Maqedoni.

Ka kompozuar dhe orkestruar këngë të muzikës së lehtë; ka transkriptuar e më pas interpretuar me sukses edhe “Rapsodi në blu” nga Gërshëin; ka përcjellë me tingujt e violinës emocione të pafund te publiku durrsak që e çmon së tepërmi.

Por vlerësimet më të mëdha i ka marrë në skenën e Estradës së Durrësit, ndërsa vazhdon të ngjallë entusiazëm çdo mbrëmje në një nga lokalet më të mira të bregdetit “Dy kitarrat”.

Megjithë suksesin televiziv që i kanë dhënë interpretimet në skenën e gurtë të kalasë së Gjirokastrës në vitet 1970-1980 Enver Qerimaj vazhdon të ketë një pishmanllëk: mungesën e shkollës.

“Fëmijëria ime lidhet me partiturat e Paganinit dhe Mendelsonit, të cilat I luaja në koncertet që organizoheshin në kryeqytet që në fillimin e viteve ‘60-tregon Qerimaj. E më pas shton: Isha nxënës në klasat fillore të shkollës artistike “Jordan Misja” dhe specialistët shqiptarë apo rusë që vizitonin shkollën vlerësonin talentin dhe temperamentin e interpretimit-shprehet Qerimaj.

Luaja lehtësisht çdo pjesë; kur ma kërkonin bëja edhe Moto perpetuo me duar të ftohta nga dimri tiranas dhe më pas dëgjoja kur thoshin se “ky djalë i përmbush të dy kushtet e një profesionisti të vërtetë”.

Por 12-vjeçari nga Durrësi nuk kishte raporte të mira me lëndët shkencore, e veçanërisht me matematikën. “Duket qesharake, por kjo më kushtoi largimin nga shkolla, e bashkë me të edhe përfundimin e një ëndrre”.

Në një familje me shumë fëmijë ai duhet të ushqente veten. Nga bankat e shkollës dhe skenat e teatrit kryeqytetas Qerimaj përfundon hamall në kalatat e portit detar të Durrësit.

Dhe aty çdo gjë nis nga e para. Teknikës së mrekullueshme i bashkohet edhe kantilena e muzikës popullore që fillon ta luajë me ansamblin “Mujo Ulqinaku” të portit.

Enver Qerimaj rritet jo mes bashkëmoshatarëve shkollarë por në skenat e lëvizjes amatore. Në vitin 1966 talenti i tij i padiskutueshëm e bën pjesë të orkestrës së Teatrit të Estradës, të cilën më pas e drejton për disa vite.

“Muzika për mua nuk ka dallime; një çardash hungarez duhet interpretuar me të njejtën dashuri si një kapriç i Paganinit, apo një kaba nga Shqipëria e jugut. Nuk ka rëndësi se çfarë moshe apo kulture ka dëgjuesi. Misioni i tingujve është që ta emocionojnë njëlloj atë-thotë mjeshtri i tastierës së vogël prej druri.

Enver Qerimaj ka dhënë prova për këtë.

Një nga ish-drejtuesit e kulturës në  Durrës tregon se në vitin 1987 këngëtarët dhe instrumentistët e Estradës ishin thirrur të interpretonin gjatë darkës shtetërore për nder të kancalerit të Bavarisë, Franz Jozef Shtraus në hotel “Adriatiku”.

Politikani gjerman e ngriti kokën nga tavolina vetëm kur Enver Qerimaj nisi me tone të ulta Kabanë e njohur.

E pas shpërthimit melodioz nuk munguan duartrokitjet e merituara.

Artisti virtuoz nga Durrësi tashmë do të ketë edhe titullin zyrtar “Mjeshtër i Madh”, një titull plotësisht i merituar.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 29/01/2022 16:11

    He me te lumte, se dhe ky kishte mbetur pa dekorate. Dekoron muzikante lokalesh, dhe le pas dore muzikante te kalibrit Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, dhe instumentiste plot qe jane neper orkestra brenda dhe jashte neper bote. Se cfare te mire i ka dhene shoqerise ky, pervec se ka luajtur muzike ne lokal per klientet, kete e di vetem Ilir Meta.

    Përgjigju
    • Petro: 01/02/2022 03:05

      Talentin e rralle te Enver Qerimit e ka shijuar Durresi e mbare Shqiperia e me tej. Pervec spektatoreve qe e kthenin per ta perseritur, ate e kane vleresuar shume lart edhe kollose te muzikes ne Shqiperi. Te gjithe keta ja bene gati Ilir Metes, sa per firme.

    • Pirro: 29/01/2022 23:02

      Mjeshtri ENVER QERIMI, eshte nga ata talentetet e rralle qe ka nxjerre vendi yne. Virtuoz si pak kush e me nje mukazitet te larte qe cdo Mjeshter tjeter ia ka zili! Në rastin e violinistit QERIMI eshte ai qe i ben nder titullit!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?