Presidenti i SHBA Donald Trump

Opinion

Enver Robelli: Kam përfunduar 7 luftëra thotë Trump, por a është vërtet kështu?

30 Shtator, 15:19| Përditesimi: 30 Shtator, 15:28

  • Share

Në një pikë Donald Trump është konsistent: ai nuk e merr shumë seriozisht të vërtetën. Sot thotë një gjë, nesër të kundërtën. Gjatë mandatit të tij të parë katërvjeçar si president i Shteteve të Bashkuara, gazeta amerikane “Washington Post” regjistroi gjithsej 30.573 deklarata të rreme ose mashtruese të tij - mesatarisht 21 në ditë.

Në mandatin e tij të dytë ai vazhdon me të njëjtin ritëm. Në fillim të gushtit Trumpi deklaroi: “E dini, ne i kemi ulur çmimet e ilaçeve me 1200, 1300, 1400, 1500 për qind. Nuk e kam fjalën për 50 për qind. E kam fjalën për 14-, 1500 për qind”. Kjo është matematikisht e pamundur: një ulje çmimesh për 100 për qind do të thoshte ilaçe falas; një ulje për 1200 për qind ose më shumë do të nënkuptonte madje që shteti t’u paguante qytetarëve para që marrin medikamente në barnatore, për shembull.

Javën që shkoi presidenti amerikan pohoi para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se ka “përfunduar shtatë luftëra të pafundme” dhe sërish u vetëkandidatua për Çmimin Nobel të Paqes. “Më thanë, ato (luftërat) nuk mund të përfundonin. Që ishin të pazgjidhshme. Disa, dy prej tyre, kishin zgjatur tashmë 31 vjet – imagjinoni, 31 vjet! Një tjetër 36 vjet. Një tjetër 28 vjet. Unë kam përfunduar shtatë luftëra. Dhe në të gjitha rastet ato kishin shkaktuar me mijëra viktima”, tha Trump.

Por a është e vërtetë se presidenti amerikan ka përfunduar realisht shtatë luftëra dhe e ka bërë botën më paqësore? Një kontroll faktesh.

1. Armenia dhe Azerbajxhani

Në fillim të gushtit Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin armen, Nikol Pashinjan, dhe presidentin autoritar të Azerbajxhanit, Ilham Alijev. Prej dekadash të dyja shtetet grinden për rajonin e Nagorno-Karabahut. Trump shërbeu thjesht si dëshmitar i një “deklarate” të nënshkruar - pasi të dyja palët kishin shpallur tashmë në mars një marrëveshje paqeje që ende nuk është ratifikuar.

Në vitin 2023, Azerbajxhani e mori plotësisht nën kontroll Nagorno-Karabahun pas një ofensive njëditore; rreth 120.000 armenë, kryesisht të krishterë, u detyruan të arratiseshin drejt Armenisë. Juridikisht, sipas OKB-së dhe Këshillit të Evropës, territori i përket Azerbajxhanit, por që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte kontrolluar nga kryengritësit armenë.
Alijev kërkon gjithashtu një korridor tokësor përmes jugut të Armenisë që ta lidhë me enklavën azerbajxhanase të Nahçivanit - një çështje ende e pazgjidhur. Për Trumpin dukej vendimtare që korridori i planifikuar të quhej “Trump Route for International Peace and Prosperity”. Ai anashkaloi gjithashtu faktin që Alijev po i bën presion Armenisë të heqë nga kushtetuta artikullin ku pretendon Karabahun.

Që nga ceremonia në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka pohuar disa herë se ka përfunduar “luftën midis Shqipërisë (Albania) dhe Azerbajxhanit” - një ngatërrim gazmor: bëhet fjalë për Armeninë; ai gjithashtu shpesh thotë “Aberbaixhan”. Për të ishte e rëndësishme që të dy mysafirët nga Kaukazi i Jugut ta nominonin për Çmimin Nobel të Paqes.

2. Kosova dhe Serbia

Në qershor presidenti amerikan shpalli papritur se kishte shmangur luftën midis Serbisë dhe Kosovës. Që atëherë, diplomatët e BE-së dhe oficerët e lartë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor pyesin: cilën luftë?
Sipas Trumpit, “një mik nga Serbia” e kishte paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm. Më pas, ai kishte kërcënuar Beogradin dhe Prishtinën me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare - gjë që, sipas tij, kishte menjëherë efekt.

Në të vërtetë, Serbia dhe Kosova kishin nënshkruar që në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trumpit, në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për “normalizimin e marrëdhënieve ekonomike”. Kjo marrëveshje la të hapura çështjet kryesore.

Në atë kohë një këshilltar i Trumpit propozoi që liqeni në veri të Kosovës, pellgu i të cilit shtrihet pjesërisht në territorin serb, të quhej “Lake Trump”. Politikanët e të dy vendeve reaguan pozitivisht - por ndërkohë nuk ndryshoi asgjë. Deri sot liqeni ka dy emra: Gazivoda (serbisht) dhe Ujman (shqip). Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron vendin si një provincë të shkëputur.

3. Kamboxhia dhe Tajlanda

Prej dekadash konflikti midis Tajlandës dhe Kamboxhias për kufirin e përbashkët, sidomos për tempullin hindu 1000-vjeçar Preah Vihear, ka shkaktuar tensione. Gjykata Ndërkombëtare ia kishte njohur tempullin Kamboxhias, por Tajlanda nuk e ka pranuar vendimin.

Në maj pati përleshje me armë, ku u vra një ushtar kamboxhian. Në korrik dhuna u përshkallëzua: 38 persona u vranë, qindra mijëra u arratisën. Trumpi bisedoi në telefon me të dy kryeministrat, i kërcënoi me ndërprerje të bisedimeve tregtare dhe kërkoi armëpushim.
Pak më vonë kryeministri kamboxhian, Hun Manet, dhe homologu tajlandez, Phumtham Wechayachai, u takuan në Malajzi dhe ranë dakord për një armëpushim - por ngatërresa kufitare mbeti e pazgjidhur.

Trump ia atribuoi vetes suksesin, edhe pse ndërmjetësoi Malajzia. Hun Manet e propozoi më pas për Çmimin Nobel të Paqes.

4. Izraeli dhe Irani

Pas një lufte dymbëdhjetëditore në qershor, Trumpi deklaroi se kishte ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit - vetëm për t’u ankuar pak më vonë se armiqësitë po vazhdonin. “Mos i hidhni këto bomba. Ktheni pilotët tuaj në shtëpi”, shkroi ai – drejtuar Izraelit – në platformën e tij Truth Social.

Pas një bisede me kryeministrin Benjamin Netanjahu, luftimet përfunduan. Por e vërteta është që SHBA-ja jo vetëm mbështeti sulmet ajrore të Izraelit në Iran, por madje u bashkuan me to dhe bombarduan centralet bërthamore.
Një marrëveshje paqeje nuk u arrit; programi bërthamor iranian mbetet i pazgjidhur. Megjithatë Netanjahu e nominoi presidentin amerikan gjatë një vizite në Washington në korrik për Çmimin Nobel të Paqes.

5. Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos

Në fund të qershorit, shefat e diplomacisë së këtyre dy vendeve nënshkruan në Washington - në praninë e sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio - një marrëveshje paqeje. Kjo duhej t’i jepte fund konfliktit 30-vjeçar në Republikën Demokratike të Kongos. Trumpi priti në Shtëpinë e Bardhë ministrin e Jashtëm ruandez, Olivier Nduhungirehe, dhe kolegen e tij kongoleze Thérèse Kayikwamba Wagner, duke e quajtur atë “një ditë të mrekullueshme për Afrikën dhe, sinqerisht, për të gjithë botën”.
Por grupi më i fuqishëm rebel, M23, refuzoi të marrë pjesë në bisedime. Luftimet me ushtrinë kongoleze vazhdojnë ende.

6. India dhe Pakistani

Pas një sulmi me 26 viktima, përfshirë shumë turistë, në Kashmirin nën administrimin indian, India sulmoi caqe në Pakistan. India fajësoi grupin islamik “Ushtria e të Pastërve”, që vepron nga territori pakistanez.
Trumpi deklaroi i pari se kishte parandaluar luftën. Pakistani e propozoi menjëherë për Çmimin Nobel. India, nga ana tjetër, e minimizoi rolin e presidentit amerikan dhe theksoi se ishte marrë vesh drejtpërdrejt me Islamabadin. Edhe këtë sukses Trumpi e mori për vete, duke thënë se e kishte arritur duke i kërcënuar të dy fuqitë bërthamore me ndërprerjen e tregtisë.

7. Egjipti dhe Etiopia

Edhe pse Egjipti dhe Etiopia kanë luftuar për herë të fundit në vitin 1876, Trumpi është i bindur se këtë verë ka parandaluar një konflikt të madh midis dy shteteve afrikane. Në fakt, bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mbi lumin Nil - damarin jetik të Afrikës. Egjipti dhe Sudani e kritikojnë ndërtimin e digës “Grand Ethiopian Renaissance Dam” (GERD), e cila, sipas tyre, mund të rrezikojë furnizimin e tyre me ujë. Me këtë digë Etiopia dëshiron të zhvillojë ekonominë e saj.

Trumpi pretendoi se pjesë të mëdha të projektit ishin financuar me para amerikane. Etiopia e hodhi poshtë këtë si rrenë - dhe nuk e propozoi Trumpin për Çmimin Nobel.

Më 10 tetor komiteti norvegjez i Nobelit vendos se kush do ta marrë çmimin. Sipas një sondazhi të ri amerikan, 76 për qind e qytetarëve amerikanë mendojnë se Donald Trumpi nuk e meriton atë./Koha 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?