Sami Repishti

Opinion

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

28 Nëntor, 20:40| Përditesimi: 28 Nëntor, 20:42

  • Share

Një ditë para 28 nëntorit ndërroi jetë në Nju-Jork profesor Sami Repishti. Ai ishte 99-vjeç. Për popullin shqiptar, për Kosovën e Shqipërinë, ikja e tij në amshim ndonëse e pritshme duke pasur parasysh moshën e tij është një humbje e madhe. Gjithë jetën e tij e karakterizoi angazhimi për çështjen e Kosovës, ai ishte në ballë të betejave për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në krye të protestave për pavarësinë e Kosovës. Gjithë jetën e tij e karakterizoi po ashtu lufta kundër regjimit kriminal komunist të Shqipërisë. 

Të paharrueshme janë dëshmitë e tij në shumë institucione amerikane për Kosovën, artikujt e trajtesat mbi historinë e Kosovës dhe dashuria e thellë për vlerat e popullit të Kosovës. Ai ishte shkodrani më i madh i Kosovës së paku pas vitit 1945. Edhe në moshë të shtyrë, Sami Repishti dha kontribut të pashoq në shoshitjen e problemeve të mëdha, me të cilat përballej (dhe vazhdon të përballet) Shqipëria postkomuniste. Në tekstet e tij mbizotëronte largpamësia, besimi në virtytet e popullit shqiptar, dëshira për ta parë Shqipërinë një vend në paqe me vetveten dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. Edhe kur ishte i dëshpëruar, ai dinte të jepte impulse pozitive.

Sami Repishti u lind në Shkodër më 6 prill 1925. Në vitet 1942-43 studioi historinë në Universitetin e Firences në Itali. Si shumë bashkëqytetarë të tij intelektualë të Shkodrës, edhe Sami Repishti u arrestua më 1946 për shkak të pikëpamjeve të tij politike e patriotike. Me fjalë të tjera, ai ishte kundërshtar i diktaturës komuniste, themelet e së cilës po i vinin një grup cubash me përkrahje të Jugosllavisë komuniste. 

Sami Repishti u dënua me 15 vjet burg, prej të cilave i vuajti 10. Më 1959 u arratis në Jugosllavinë e atëhershme dhe pastaj (më 1962) emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I etur për dije, ai studioi në Nju-Jork, në City University, gjuhën dhe letërsinë frënge. Në këtë shkollë edhe doktoroi.

Lajtmotivi i jetës së tij ishte Kosova. Në vitin e largët 1965, pra para gati 60 viteve, Sami Repishti arriti ta bindë Kongresin Amerikan për të dëgjuar një dëshmi mbi shkeljen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Jugosllavi. Atëherë në pushtet ishte ende shtypësi i madh i shqiptarëve Aleksandar Rankoviqi. Të panumërta janë letrat e peticionet që profesor Sami Repishti i inicioi dhe shkroi për Kosovën. 

Më 1986 ai kërkoi nga zëvendëspresidenti amerikan George Bush hapjen e zyrës amerikane në Prishtinë dhe të zyrës së Kosovës në Uashington. Më 1992 Bushi tashmë ishte president i SHBA-së dhe në mesin e shqiptarëve të Kosovës ai mbahet mend për një letër dërguar diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në vigjilje të Krishtlindjeve të atij viti. Bushi e paralajmëronte Millosheviqin të mos niste një konflikt në Kosovë: “Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, shkroi Bushi atëbotë. 7 vite më vonë, NATO-ja, e prirë nga SHBA-ja, bombardoi Jugosllavinë e cunguar serbo-malazeze për t’i ndërprerë përpjekjet e regjimit të Millosheviqit për gjenocid në Kosovë. 

Nganjëherë historia merr kahje të pabesueshme. Më 2007 Shqipërinë e vizitoi i biri i Bushit, George W. Bush, i cili ishte president i SHBA-së. Në një konferencë për shtyp ai tha: “Në një moment të caktuar, më herët se më vonë, duhet të thuash mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Mund të merret me mend se si duhet të jetë ndier profesor Sami Repishti më 2007 pas këtyre fjalëve, të cilat më 17 shkurt 2008 u bënë realitet me shpalljen e mëvetësisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Sami Repishti ka botuar librat: “Ten memoranda - The Plight of the Albanians in Yugoslavia”, 1988 (“Dhjetë memorandume - Situata e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavi”); “Kosova 2000 - Përshtypje udhëtimi”, 2001; “Nën hijen e Rozafës”, 2004. Kujtimet e tij i ka përmbledhur në librin: “Pika loti: tregime burgu” (1997). Ai është organizator dhe bashkëthemelues i disa organizatave si: Miqtë Amerikanë të Shqipërisë (1992), Këshilli Kombëtar Shqiptar Amerikan (1996). Sami Repishti është nderuar me medaljen e artë “Pishtar i Demokracisë”, me Urdhrin “Naim Frashëri” si dhe me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të cilën ia ndau presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?