Sami Repishti

Opinion

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

29 Nëntor, 08:10| Përditesimi: 29 Nëntor, 08:21

  • Share

Me rastin e vdekjes së profesor Sami Repishtit, i cili krejt jetën e tij në Amerikë ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Më 1962 emigroi në SHBA dhe më 1965 depërtoi në Kongres për të dëshmuar mbi Kosovën. Më 1986 kërkoi nga zëvendëspresidenti amerikan George Bush hapjen e zyrës amerikane në Prishtinë dhe hapjen e zyrës së Kosovës në Uashington. Një përkujtim me përulje.

Një ditë para 28 nëntorit ndërroi jetë në Nju-Jork profesor Sami Repishti. Ai ishte 99-vjeç. Për popullin shqiptar, për Kosovën e Shqipërinë, ikja e tij në amshim – ndonëse e pritshme duke pasur parasysh moshën e tij – është një humbje e madhe. Gjithë jetën e tij e karakterizoi angazhimi për çështjen e Kosovës, ai ishte në ballë të betejave për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në krye të protestave për pavarësinë e Kosovës. Gjithë jetën e tij e karakterizoi po ashtu lufta kundër regjimit kriminal komunist të Shqipërisë.

Të paharrueshme janë dëshmitë e tij në shumë institucione amerikane për Kosovën, artikujt e trajtesat mbi historinë e Kosovës dhe dashuria e thellë për vlerat e popullit të Kosovës. Ai ishte shkodrani më i madh i Kosovës së paku pas vitit 1945. Edhe në moshë të shtyrë, Sami Repishti dha kontribut të pashoq në shoshitjen e problemeve të mëdha, me të cilat përballej (dhe vazhdon të përballet) Shqipëria postkomuniste. Në tekstet e tij mbizotëronte largpamësia, besimi në virtytet e popullit shqiptar, dëshira për ta parë Shqipërinë një vend në paqe me vetveten dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. Edhe kur ishte i dëshpëruar, ai dinte të jepte impulse pozitive.

Sami Repishti u lind në Shkodër më 6 prill 1925. Në vitet 1942-43 studioi historinë në Universitetin e Firences në Itali. Si shumë bashkëqytetarë të tij intelektualë të Shkodrës, edhe Sami Repishti u arrestua më 1946 për shkak të pikëpamjeve të tij politike e patriotike. Me fjalë të tjera, ai ishte kundërshtar i diktaturës komuniste, themelet e së cilës po i vinin një grup cubash me përkrahje të Jugosllavisë komuniste.

Sami Repishti u dënua me 15 vjet burg, prej të cilave i vuajti 10. Më 1959 u arratis në Jugosllavinë e atëhershme dhe pastaj (më 1962) emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I etur për dije, ai studioi në Nju-Jork, në City University, gjuhën dhe letërsinë frënge. Në këtë shkollë edhe doktoroi.

Lajtmotivi i jetës së tij ishte Kosova. Në vitin e largët 1965, pra para gati 60 viteve, Sami Repishti arriti ta bindë Kongresin Amerikan për të dëgjuar një dëshmi mbi shkeljen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Jugosllavi. Atëherë në pushtet ishte ende shtypësi i madh i shqiptarëve Aleksandar Rankoviqi. Të panumërta janë letrat e peticionet që profesor Sami Repishti i inicioi dhe shkroi për Kosovën.

Më 1986 ai kërkoi nga zëvendëspresidenti amerikan George Bush hapjen e zyrës amerikane në Prishtinë dhe të zyrës së Kosovës në Uashington. Më 1992 Bushi tashmë ishte president i SHBA-së dhe në mesin e shqiptarëve të Kosovës ai mbahet mend për një letër dërguar diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në vigjilje të Krishtlindjeve të atij viti.

Bushi e paralajmëronte Millosheviqin të mos niste një konflikt në Kosovë: “Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, shkroi Bushi atëbotë. 7 vite më vonë, NATO-ja, e prirë nga SHBA-ja, bombardoi Jugosllavinë e cunguar serbo-malazeze për t’i ndërprerë përpjekjet e regjimit të Millosheviqit për gjenocid në Kosovë.

Nganjëherë historia merr kahje të pabesueshme. Më 2007 Shqipërinë e vizitoi i biri i Bushit, George W. Bush, i cili ishte president i SHBA-së. Në një konferencë për shtyp ai tha: “Në një moment të caktuar, më herët se më vonë, duhet të thuash mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Mund të merret me mend se si duhet të jetë ndier profesor Sami Repishti më 2007 pas këtyre fjalëve, të cilat më 17 shkurt 2008 u bënë realitet me shpalljen e mëvetësisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Sami Repishti ka botuar librat: “Ten memoranda - The Plight of the Albanians in Yugoslavia”, 1988 (“Dhjetë memorandume - Situata e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavi”); “Kosova 2000 - Përshtypje udhëtimi”, 2001; “Nën hijen e Rozafës”, 2004. Kujtimet e tij i ka përmbledhur në librin: “Pika loti: tregime burgu” (1997). Ai është organizator dhe bashkëthemelues i disa organizatave si: Miqtë Amerikanë të Shqipërisë (1992), Këshilli Kombëtar Shqiptar Amerikan (1996). Sami Repishti është nderuar me medaljen e artë “Pishtar i Demokracisë”, me Urdhrin “Naim Frashëri” si dhe me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të cilën ia ndau presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova./ Koha

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?