Enver Robelli: Plaka që i nervozon të gjithë

2 Qershor, 08:33| Përditesimi: 2 Qershor, 08:37

  • Share

1. Politikanët gjermanë që përkrahin Ukrainën, bëjnë një jetë të rrezikshme. Deputetja prominente, Marie-Agnes Strack-Zimmermann nga Partia Liberale (FDP) i tha revistës “Der Spiegel” se çdo muaj padit rreth 200 persona, të cilët e sulmojnë në mënyrë verbale në mënyra të ndryshme për shkak se ajo mbështet luftën e Ukrainës kundër Rusisë dhe kërkon që qeveria gjermane të furnizojë me më shumë armë ushtrinë ukrainase. Bëhet fjalë kryesisht për burra gjermanë që adhurojnë Vlladimir Putinin. Strack-Zimmermann tha se gati çdo ditë merr kërcënime. Ajo tregoi se shumicën e proceseve gjyqësore i fiton. Strack-Zimmermann është kandidate e liberalëve për zgjedhjet europiane, të cilat do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor. Që nga fillimi i fushatës elektorale në janar Strack-Zimmermann është nën mbrojtje të policisë.

2. Një betejë nga distanca Marie-Agnes Strack-Zimmermann është duke e zhvilluar edhe me Jens Plötner, këshilltarin për politikë të jashtme të kancelarit Olaf Scholz. I nervozuar me kërkesat e Strack-Zimmermann për mbështetje të Ukrainës, Plötner vitin që shkoi në një takim të ushtrisë gjermane tha: “Kjo plakë më shkon në nerva”. Strack-Zimmermann është 66-vjeçare, një grua me flokë të thinjura dhe me qëndrime të qarta politike, të cilat jo përherë i pëlqejnë këshilltarit të kancelarit. Pasi u bë publike se çfarë kishte thënë Plötner për Strack-Zimmermann, politikania liberale nuk ngurroi t’i përgjigjet në platformën X (dikur Twitter): “Plötner është simbol i politikës katastrofale gjermane ndaj Rusisë në 15 vjetët e fundit, mbi rrënojat e së cilës gjendemi tani”. Sharjen e Plötnerit (“Kjo plakë më shkon në nerva”), Strack-Zimmermann e ka shndërruar në lajtmotiv të një slogani të saj elektoral, ku thekson se ajo ua ha nervat skeptikëve kujdestarë, autokratëve, nazistëve, dembelëve, atyre që janë për status quo në rastin e Ukrainës etj.

Plötner së fundi është kritikuar edhe nga korrespondenti i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” për Ballkan, Michael Martens. Ai shkroi se Plötner “ka sabotuar në mënyrë sistematike” anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Plötner është kritikuar se gjatë negociatave në Minsk të Bjellorusisë mes Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë presion më shumë Kievit. Në një intervistë me gazetën “Tagesspiegel” Plötner tha se ndërkohë e ka ndryshuar mendimin për Rusinë dhe Putinin.

“Natyrisht gjatë negociatave në Minsk do të kishin vepruar ndryshe po ta kishim ditur se çka ndodh më 24 shkurt 2022”, tha Plötner. Në të vërtetë, me pushtimin e Krimesë më 2014 ka qenë e ditur se çfarë planesh destabilizuese ka Putini. Plötner nuk është i vetmi diplomat apo politikan perëndimor që ka refuzuar të kuptojnë se çfarë po ndodh përreth. Më 2018, katër vjet pas aneksimit të Krimesë, ministrja e jashtme e Austrisë Karin Kneissl e ftoi Putinin në dasmën e saj. Me atë rast ajo bëri një gjest gjunjëzues ndaj liderit rus. Vitin e kaluar u bë e ditur se Kneissl ka marrë drejtimin e një Thinktanku në metropolin rus Shën Petërburg.

3.Pas sulmit terrorist të bandës së Millan Radoiçiqit ndaj policisë së Kosovës, Strack-Zimmermann kërkoi rritjen e pranisë ushtarake gjermane në Kosovë dhe tha se konflikti po nxitet nga Serbia. Ajo e quajti misionin e ushtrisë gjermane në kuadër të KFOR-it si të suksesshëm dhe në fund të shkurtit qëndroi për vizitë në Kosovë në krye të një delegacioni të Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut. Strack-Zimmermann nuk ka qenë politikane aq e njohur për opinionin e gjerë. Angazhimi i saj i hapur për Ukrainën dhe kundër agresionit rus si dhe kritikat e saj të ashpra ndaj qeverive gjermane për politikë naive ndaj Rusisë në të kaluarën, e kanë bërë këtë politikane liberale mjaft të njohur. Sipas një ankete të agjencisë së lajmeve DPA, 76 për qind e popullsisë gjermane e njohin Strack-Zimmermann. Një pensioniste e etiketoi Strack-Zimmermann si “luftënxitëse”. Strack-Zimmermann e paditi. “Fakti se është pensioniste nuk më intereson. Edhe një pensioniste duhet të mendojë mirë çka poston”, i tha Strack-Zimmermann revistës “Der Spiegel”./ KOHA

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?