Te besimtarët e krishterë 15 gushti është Festa e Shën Mërisë ose Marisë, Festa e Zojës së Ngjitur në Qiell, Festa e Fjejtjes së Hyjlindëses, Marrja në Qiell e Zojës së Bekuar. Ndoshta ka edhe shpjegime të tjera për këtë ditë. Në Kuran Maria quhet Marjam, në përkthime në shqip e gjen me emrin Merjeme ose Mejreme. Nje sure e tërë e Kuranit (e 19-ta) i kushtohet kësaj gruaje që besohet të ketë qenë nëna e Jezusit (për të krishterët) dhe nëna e profetit Isa (për myslimanët). Përkundër retorikës ndarëse, fetë kanë aq shumë truall të përbashkët.
Mbi lumin e Vjosës, në fshatin Peshtan, mes Tepelenës dhe Përmetit, gjendet kisha Fjetja e Shën Mërisë. Si çdo vit, edhe sivjet pak pas orës 08:00 në katund u shfaq prifti ortodoks me gruan e tij. Mesha filloi me kohë, por besimtarët e kishin marrë punën me nge. Kur nisi shërbesa, në kishë ishin mbase dy të krishterë dhe gjashtë myslimanë (mbase shumica jobesimtarë).
Prifti ortodoks At Romanoi (Robert Tralo) dhe gruaja e tij Jolanda nuk reaguan me habi përballë kësaj pamjeje, por vazhduan me leximet dhe këndimet e tyre nga librat fetarë. Mesha pjesërisht i ngjante një koncerti, në fund prifti bëri edhe shqiponjën dhe për pak u duk sikur kishte braktisur një ndeshje futbolli me Granit Xhakën dhe Gjerdan Shaqirin. Feja mund të jetë edhe gazmore, jo vetëm paralajmërim e qortim.
Në fund të shërbesës, kisha e vogël tashmë ishte mbushur me të krishterë. “Na mundët ju myslimanët", tha gazetari Mero Baze, ndërsa unë dhe Andi Hoxhaj, profesor në King’s College në Londër, po shikonim njerëzit që ndeznin një qiri, por jo pa hedhur ndonjë lek në arkën e kishës.
Historia e këtij objekti sakral e treguar shkurt: kur u ndalua feja në Shqipëri më 1967, kisha u bë stallë bagëtish. Kambana që ka kjo kishë sot i përkiste dikur Kishës së Shën Thanasit në Peshtan. Komunistët e hoqën dhe e çuan në fshatin Luftinjë të Tepelenës, ku e përdornin për të mbledhur anëtarët e kooperativës. Mrekullisht kambana e mbijetoi komunizmin. Në të gjendet ky mbishkrim: “Industria shqiptare, Korçë, Spiro V. Naçe. Kambana e Katundit Peshtan Tepelenë 17.4.1938”.
Ndërsa lart jehonin zërat e priftit dhe gruas së tij, poshtë gurgullonte uji i kristaltë i Vjosës, lumit më të madh të Shqipërisë jugore, për shpëtimin e të cilit qe angazhuar edhe aktori Leonardo DiCaprio. Vjosa është 272 kilometra e gjatë, me një sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës prej 6706 kilometra katrorë, prej të cilave, 4365 janë brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër në territorin grek. Degët kryesore të Vjosës janë: Sarandoporo, Drinosi dhe Shushica.
Revista gjermane “Der Spiegel” kështu e niste një shkrim për Vjosën në vitin 2023: “Bretkosat kuakin në Vjosë. Kush ecën në një ditë me diell marsi mbi grykën me zhavorr pranë brigjeve, i dëgjon qartë bretkosat e ujit. Ato janë fshehur në baltën mes shelgjeve dhe kallamishteve. Së shpejti femrat do të hedhin vezët në pellgjet e qeta me ujë të cekët, së shpejti do të fillojnë të pjellin edhe qefujt e Pindit. Dhe shpendët e parë shtegtarë do të mbërrijnë për t’u çlodhur mbi zhavorrin e shtratit të lumit.
Nëse ngre sytë këtu, në Qesarat, në rrjedhën e mesme të Vjosës, duken malet e mbuluara me dëborë të Shqipërisë. Përpara tyre shtrihet një fushë e gjerë me zhavorr të bardhë, gurë dhe rërë, përmes së cilës rrjedh Vjosa. Në disa vende uji ndahet në disa krahë, në vende të tjera bashkohet sërish, merr hov, tërheq me vete rërë e zhavorr dhe i grumbullon diku tjetër”.
Ka pasur plane për të ngritur disa diga në Vjosë për të prodhuar energji elektrike. Rezistenca e madhe e aktivistëve për mbrojtje të ambientit e ka penguar këtë masakër të planifikuar ndaj natyrës. Por për të ruajtur Vjosën duhet shumë më shumë angazhim nga të gjithë, ndoshta bëjnë punë edhe lutjet e teologëve.
Kur këto ditë shpërtheu zjarri afër fshatrave mbi Vjosë, banorët patën dhe një hall tjetër: malet përreth ende janë të mbuluara me helmeta, bajoneta, gjyle, gryka topi, bomba e çka jo tjetër - të gjitha mbetje nga lufta italo-greke në fillim të vitit 1941. Zjarri mund të çonte në shpërthimin e tyre. Fatmirësisht nuk ndodhi gjë. Disa copëzave të armatimit nga lufta e Italisë fashiste kundër Greqisë mund t’u hidhet syri në në oborrin e bujtinës (kampingut) së Peshtanit. Një muze i vogël i luftës.
Por lufta nuk qe e vogël. Supozohet se në këtë gjakderdhje humbën jetën rreth 16 mijë njerëz. Këndej është inspiruar Ismail Kadare për të shkruar romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Bota është e vogël: vite më parë takova një gazetar zviceran me emër italian, shkruante për çështje ekonomike. Filloi të flasë gjerë e gjatë mbi shkrimtarët shqiptarë, veprat e tyre i njihte mirë, kishte lexuar çdo gjë që është përkthyer në gjermanisht. Kur e pyeta se nga buronte ky interesim i tij për Shqipërinë, ai tha: “Xhaxhai im ka luftuar në Vjosë më 1941”. Ai shpëtoi sepse ia shkrepi vetes një plumb në gju. Të plagosur e çuan në Itali. Mijëra të tjerë nuk e patën këtë fat. Ata lanë kockat në malet mes Shqipërisë së jugut dhe Greqisë.
Sipas historianit austriak Robert Pichler Vjosa është edhe varr i viktimave të komunizmit. Në një trajtesë të botuar më 2023 në gazetën austriake “Der Standard” Pichler shkruan: “Në vitin 1949, në veri të qytetit (të Tepelenës), në bashkimin e lumenjve Bënça dhe Vjosa, u ngrit një nga kampet më famëkeqe të internimit të komunizmit shqiptar. Shumë nga të burgosurit ishin pjesëtarë të elitës sunduese të periudhës së paraluftës. Përveç kësaj, në Tepelenë ishin të internuara mbimesatarisht gra dhe pleq, të cilët kryesisht vinin nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme. Kampi dallohej për trajtimin veçanërisht çnjerëzor të të burgosurve. Të mbijetuarit tregojnë për kushte katastrofike, kequshqyerje kronike, mungesë totale të kujdesit mjekësor pavarësisht pranisë së disa sëmundjeve vdekjeprurëse, për vdekje nga të ftohtit në dimër dhe nga rraskapitja si pasojë e punës së detyruar dhe urisë”.
Mes udhëtarëve të famshëm që kanë qëndruar në Tepelenë janë edhe Lordi Byron dhe Edith Durham. Në vitin 2000 shkrimtarja holandeze Tessa de Loo shkroi romanin “Miq tek Ali Pasha” (i përkthyer ndërkohë në shqip), ky është një udhëpërshkrim gjurmëve të Byronit nga Preveza në Greqi deri në Tepelenë. Kjo është një trevë me shumë histori dhe e bekuar me bukuri natyrore./Tema
Komente
