Opinion

Enver Robelli: Sytë nga Gjermania

4 Mars, 13:37| Përditesimi: 4 Mars, 13:43

  • Share

Kjo kolumne fillon me një citat nga një koment i gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi zgjedhjet në Gjermani: “Të gjitha përpjekjet për t’ua dhënë një përgjigje evropiane Trumpit, Putinit dhe Xiit janë të destinuara të dështojnë nëse Gjermania nuk merr pjesë. Pa burimet e saj, të gjitha përpjekjet do të jenë të pamjaftueshme. Çdo i katërti euro nga buxheti i BE-së vjen nga Republika Federale e Gjermanisë, e cila paguan gati dy herë më shumë se Franca. Gjermania do të duhet të mbulojë një të katërtën e shpenzimeve të BE-së për rindërtimin e Ukrainës. Kostot llogariten diku midis 500 miliardë dhe një bilion dollarë”. Në vend të 7 brigadave luftarake, Gjermania do të duhej të kishte 15 të tilla. Buxheti do të duhej të rritej nga 50 miliardë, në 100 miliardë euro. 

A është e gatshme Gjermania për një gjë të tillë?

Që nga rënia e Murit të Berlinit, qeveritë gjermane janë mjaftuar me titullin e Gjermanisë si “kampion botëror i eksportit”. Mbrojtja, siguria? Punë e Amerikës! Me hyrjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë gjërat kanë ndryshuar në mënyrë radikale. Paraardhësit e tij e lusnin Gjermaninë me tone diplomatike të kontribuonte më shumë në buxhetin e NATO-s. Trumpi dhe diplomacia janë larg. Qiti paratë ose shporru: Kjo është tani gjuha diplomatike nga qeveria e re amerikane.

Fitues i zgjedhjeve në Gjermani është Friedrich Merz nga aleanca konservatore CDU dhe CSU. Por fitorja e Merzit është larg nën pritjet e tij. CDU dhe CSU kanë fituar gati 29 për qind të votave. Për të qeverisur, Merzit i duhet një partner koalicioni. Merz do të mund të qeveriste me partinë e dytë, me Alternativën për Gjermaninë (AfD), e cila është parti e ekstremit të djathtë dhe pjesërisht është kualifikuar si e rrezikshme për rendin kushtetues. AfD, e cila ka dyfishuar përkrahjen dhe tani mban gati 21 për qind të votave, ka simpati për Rusinë e diktatorit Vladimir Putin, kërkon kthimin e markës gjermane, largimin e Gjermanisë nga BE-ja dhe NATO-ja, dëbimin masiv të refugjatëve të cilët nuk kanë fituar azil politik në Gjermani.

AfD ka përfituar sidomos për shkak të retorikës së ashpër kundër të huajve. Sulmet e shpeshta me thika e armë të tjera nga refugjatët sirianë, afganë e të tjerë kanë ndikuar në rritjen e përkrahjes për AfD-në. Shumë gjermanë janë të zhgënjyer, ngaqë partitë e etabluara dhe qeveria e deritanishme nuk kanë gjetur një përgjigje efikase ndaj problemeve të shkaktuara nga emigrantët. AfD mban lidhje të ngushta me regjimin aktual në Beograd.
Merz ka përjashtuar çdo bashkëpunim me Alternativën për Gjermaninë. Atëherë çfarë mbetet? Një koalicion me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, të cilët kanë pësuar humbje historike (morën vetëm rreth 16 për qind të votave). Negociatat tashmë kanë filluar.

Merz është politikan impulsiv. Gjatë 16 vjetëve në pushtet, kancelarja Angela Merkel e ka mbajtur Merzin larg çdo funksioni, andaj ai, i frustruar, më 2009 u tërhoq nga politika aktive. Në vitin 2016, ai u bë kryetar i këshillit mbikëqyrës të BlackRock Asset Management Deutschland, dega gjermane e menaxhuesit më të madh të pasurive në botë, BlackRock. Në kushte normale Merz nuk do të kishte shans të bëhej kancelar. Por grindjet e përhershme dhe dështimet e qeverisë së deritanishme të përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët i hapën atij portën drejt marrjes së pushtetit. Në Gjermani është e padiskutueshme se kujt i takon mandati për krijimin e qeverisë: i takon partisë që del e para.

Në të kaluarën Merz shpesh ka dhënë deklarata kontraverse ndaj të huajve, të cilat kanë ngjallur kritika në mediat liberale gjermane. Me këtë retorikë ai është përpjekur të tërheqë një pjesë të votuesve që kanë ikur tek Alternativa për Gjermaninë. Por retorika e Merzit në këto zgjedhje rezultoi kundërproduktive. Pak para zgjedhjeve ai i ofendoi të gjithë të majtit, duke i quajtur njerëz që “nuk janë tamam në vete”. Pa dashje, Merz me këto deklarata të pamatura e ndihmoi të majtën. Partia (e majtë) DIE LINKE, e cila mendohej se nuk do të hynte fare në parlament, i fitoi gati 9 për qind të votave.

Robert Habeck është njëri nga politikanët më origjinalë gjermanë. Fjalimet e tij janë të një niveli të lartë intelektual dhe karakterizohen nga sinqeriteti. Habeck është marrë edhe me letërsi dhe përkthime. Nga anglishtja ka përkthyer punime letrare të një autori anglez mbi krimet serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Deri pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Habeck ishte njëri nga dy udhëheqësit e partisë së gjelbër gjermane. Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e 23 shkurtit, Habeck njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet udhëheqëse të partisë. Habeck ka qenë nënkancelar në qeverinë e socialdemokratit Olaf Scholz. Gjatë fushatës elektorale të gjelbrit u sulmuan pamëshirshëm nga konservatorët e CDU & CSU të Friedrich Merz, i cili ka gjasa të bëhet kancelar.

Merz synoi ashpërsimin e ligjeve të migracionit dhe nuk pati problem që nismën e tij e përkrahu Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë. Të gjelbrit e Habeckut nuk e sulmuan shumë Merzin me shpresë se do të jenë partnerë koalicioni në të ardhmen.

Zgjedhësit e të gjelbërve - 700 mijë prej tyre - ikën tek e majta (Die Linke), e cila u mobilizua kundër politikave të Merzit. Domethënë: qasja populiste e Merzit pati efekt të keq: i dobësoi të gjelbrit - një parti normale dhe progresive! - dhe e forcoi të majtën, e cila i ka rrënjët në diktaturën e Republikës Demokratike të Gjermanisë. Në Berlin e majta ka dalë partia e parë.

Merz është strateg i dobët. Ai erdhi në krye të CDU-së me premtimin se do ta dobësojë Alternativën për Gjermaninë. Rezultati? Përkrahja për Alternativën kryesisht ekstremiste u dyfishua. Në çdo vend ku konservatorët kanë tentuar të përvetësojnë qëndrimet e së djathtës ekstreme, nuk kanë përfituar konservatorët, por e djathta ekstreme. Mbështetësit e tyre preferojnë origjinalin.

Në paraqitjet e saj publike Sahra Ëagenknecht i mban flokët ngjashëm si ikona e të majtëve, Rosa Luxemburg, e cila para më shumë se 100 vjetësh ishte përfaqësuese e lëvizjes së punëtorëve, e marksizmit, e antimilitarizmit dhe internacionalizimit proletar. Ëagenknecht nuk ka ngurruar të shprehë simpati për Stalinin, andaj për disa publicistë gjermanë ajo është - staliniste! Edhe për regjimin diktatorial komunist të Gjermanisë Lindore, Ëagenknecht ka gjetur fjalë kryesisht dashamirëse. Për luftën në Ukrainë më shumë e ka fajësuar Perëndimin sesa Putinin. Në debatet televizive në Gjermani, Ëagenknecht ka qenë shpesh e pranishme. Para një viti ajo themeloi Aleancën Sahra Ëagenknecht (BSË), pasi më parë ishte larguar nga partia e majtë DIE LINKE.

Në zgjedhjet e 23 shkurtit BSË e Ëagenknecht nuk i fitoi votat për të hyrë në parlament, pasi që nuk kaloi pragun prej 5 për qind. BSË-së i mungojnë 13.400 vota. Ëagenknecht ka paralajmëruar betejë ligjore. Gjasat janë minimale që Ëagenknecht të zërë vend në parlament me disa deputetë të saj si Zhaklin Nastiq, e cila nga partia DIE LINKE pati kaluar te BSË e Ëagenknecht. Nastiq, e lindur në Poloni, e kishte punësuar një nacionalist serb në zyrën e saj. Ajo e quan Kosovën shtet artificial të krijuar nga bombat e NATO-s. Edhe Ëagenknecht shpesh ka shprehur mllefin e saj ndaj shtetësisë së Kosovës dhe sidomos ndërhyrjes së NATO-s më 1999.

Ëagenknecht është e martuar me Oskar Lafontaine, i cili më 1998 u bë ministër i Financave në qeverinë e kancelarit socialdemokrat, Gerhard Schröder. Në mars 1999, pak ditë para ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit kriminal të Beogradit, Lafontaine dha dorëheqje - gjoja për shkak të mospajtimeve me kancelarin Schröder mbi politikat ekonomike dhe financiare. Më vonë Lafontaine mori pjesë në demonstrata kundër intervenimit të NATO-s. Dështimi i Sahra Ëagenknecht për të hyrë në parlament është, pa dyshim, lajm i keq për të. Dhe lajm i mirë për çdo njeri të arsyeshëm në Gjermani. Dhe më gjerë. Para zgjedhjeve Ëagenkecht tha se do të largohej nga politika nëse partia e saj nuk hyn në parlament. Pas zgjedhjeve duket se kishte harruar çfarë ka thënë. “Do të këshillohemi se si do të pozicionohemi për të ardhmen”, tha ajo./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?