Foto arkivë/ Burgu i Spaçit

Dosje

'Enveri është kriminel', revolta e Spaçit, debatet e Feçor Shehut me të dënuarit! Pushkatuan edhe qenin pasi sulmoi gardianët, dëshmia

13 Shtator, 14:42| Përditesimi: 13 Shtator, 14:48

  • Share

Sot 82 vjeç. Një takim krejt i rastësishëm. Ndërsa unë, isha për herë të parë në Spaç, edhe për Halit Fikun, i shoqëruar nga gruaja, dy djemtë ishte një rikthim pas gjysmë shekulli aty ku kishte kaluar 7 vite izolim nga jeta e tij. I edukuar, i sjellshëm, me një memorie të jashtëzakonshme, ndërsa thotë: “Nuk kam ardhur më parë, pasi gjithçka e kam ende në kokë. Pak kushtet, pak jo dëshira, pak për të mos kujtuar miq, shokë, ardhja në atë burg, ato ndërtesa, nuk më shtynte të vija. Ishte djali i ardhur nga Italia, që më nxiti të vinim bashkë”-tregon ai për gazetën “Panorama”. Një rikthim në atë vend ku ia hoqën, ia mohuan padrejtësisht në moshën më të bukur të rinisë, pikërisht atë, lirinë.

Z. Halit, si erdhi arrestimi i papritur?

Kam lindur në vitin 1943, dhe jam nga Zerqani i Peshkopisë. Në nëntor të 1966, më dërguan dy vite të kryeja shërbimin ushtarak në një repart 3661 këmbësorie në Librazhd. Vetëm 6 muaj kisha bërë kur më arrestuan. Mars 1967 ka qenë. Me mua edhe një oficer, Nexhat Beci nga Kavaja dhe një ndihmës mjek Mehmet Brama nga Kruja.

Në hetuesi, ju përmendin një të afërm?

Hetues ishte Dhimitër Beshiri, avokati i Nexhmije Hoxhës pas 90-tës. Akuza ishte për agjitacion e propagandë. Dikush në repart më kishte spiunuar. Ke sharë sistemin, më thanë, pasi shpesh shprehja dëshirat, pasionin, admirimin tim për perëndimin, veshjet, jetën, lirinë të ndaluara dhe izolimin këtu. Nga Ministria e Brendshme shkonin e vinin, një Elhan Gjika, më vonë edhe ai u dënua me Mehmet Shehun. Kisha një të afërm, i arratisur kohë më parë në Itali, e për të më provokuar edhe atë ma kanë përmendur. Unë isha shumë i ri, vetëm 24-vjeç.

Vjen dënimi i rëndë për ju dhe dy të tjerët?

7 vite burg për mua, ndërsa Nexhatin dhe Mehmetin, me akuzën edhe për tentativë arratisje, gjithçka e sajuar, as që bëhej fjalë për një gjë të tillë, i dënuan 15 vjet për të justifikuar punën e hetuesisë. Më çuan të punoja në fabrikën e çimentos në Elbasan. Prej saj më dërguan në Reps, dhe në Spaç. Një mizerje e vërtetë. Komplet baraka, 1500 vetë i gjeta që flinin në ato kushte, të dënuar për agjitacion, politikë dhe me punë në minierë.

Nisin ndërtimet për të burgosurit?

E para ishte fjetorja ajo me tulla të kuqe e ndërtuar rreth viteve ’70-të. Jo e lartë, me tre kate nga frika e terrenit, rrëshqitës, me pamje nga veriu, me një tarracë të vogël përgjatë çdo kati. Rreth 12-13 dhoma, ku në çdo prej tyre flinin deri 50 të burgosur, me tre kate krevate prej dërrase, sipas fluksit të arrestimeve, dënimeve politike. E projektoi, një i dënuar politik, inxhinier, kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik, Franko Cara, një djalë i mrekullueshëm, i pastër, i mirë, i sjellshëm. Shumë burg kishte bërë, ndonëse ishte familje dëshmori. I falën disa vite doli pak para meje. Fjetorja e dytë paralel dhe ngjitur me atë ekzistuese, me një tunel kalues, u ndërtua mbrapa, pas 73-shit. Në ato fjetore duhet të flinin ata që punonin në minierë, që nga komanda konsiderohej si privilegj.

Si kalohej një ditë në burgun e Spaçit?

E kujtoj mirë, me orët duke komunikuar me njëri-tjetrin, shkruar poezi, apo lexuar midis tyre çfarë kishin shkruar. Duke vizatuar, shkruar emra në mure. Numërimi i ditëve ishte më kryesorja. Sendet personale që i lejohej çdo të burgosur të mbante pranë krevatit, ishin: 1 dyshek, batanije, 1 çarçaf, 2 palë rroba, 1 pagure alumini ose plastike, 1 tas, 1 lugë gjelle alumini, 1 furçë dhëmbësh, 1 fletore.

Ardhja e të afërmve, si mundësohej takimi?

Unë jam rritur jetim, babai më la të vogël, dhe në ato vite më vdiq edhe nëna. Kisha një motër në Peshkopi, e kishte të pamundur të vinte. Vetëm një herë erdhi i shoqi i saj. Kujtoj se ardhja e familjarëve për të takuar të afërmit e tyre ishte e vështirë. E rëndë, kur kishte raste edhe me fëmijë të vinin. Orët që prisnin në pikën hyrëse-dalëse, kontrolli, qëndrimin te Guva. Vite më vonë, jam njoftuar se shoferëve i ishte dhënë urdhër të mos merrnin, apo të ndalonin, të zbrisnin njerëzit, familjarët e të dënuarve, madje duke i kontrolluar edhe me policinë rrugore.

Puna në minierë, me turne, kushte çnjerëzore?

Të shoqëruar nga policë, shkonim e vinim deri në minierë, më shumë rreth një orë në këmbë. Punë e detyruar e tillë edhe norma. Këmbimi i turneve, një tjetër tmerr. Vinim të lodhur nga i dyti, apo treti, as fuqi për bukë nuk kishim, ndërsa bëhej apeli. Gabimi pa dashje, apo i qëllimshëm në apel nga polici, e riniste atë nga e para.

Flitet për disa mënyra që aplikonte ai sistem në burgje?

Regjimi kishte rezervuar një tjetër formë për kundërshtarët e tij. Përveç kushteve të punës dhe të mbijetesës në vendin ku ishim syrgjynosur të dënuarit me profil të lartë, intelektualë dhe publik duhet të ndanin ditët dhe sekondat me kriminelë të rrezikshëm, ordinerë, të sjellë qëllimisht aty, duke kryer edhe rolin e informatorit.

Rrethimi, si funksiononte?

Për një siguri, garanci më të madhe ishin vendosur tre rreshta me tela të lartë me gjemba, bashkë me roje të armatosur për 24 orë në disa pika vendroje, kryesisht pesë kullat me një emër turk “Karakolli” njiheshin nga të burgosurit

Ka pasur tentativa për arratisje?

Po. Kujtoj në një rast një tropojan, Mustafa Bajraktari, tentoi të ikte. E kishte menduar, studiuar, ndërsa punonte në një galeri, duke shfrytëzuar një pus talian, “Furnel” quheshin. U ngjit sipër, duke kujtuar se do të dilte, do ta nxirrte mbi sipërfaqe. Por, jo. Aty ka qëndruar 2-3 ditë, deri kur shkuan e gjetën, e morën, e ridënuan, duke e dërguar në Burrel. Edhe vdekja e tij aty mbeti misterioze, vrau veten, apo diçka tjetër, nuk e morëm vesh asnjëherë.

Biruca, çfarë mund të tregojmë për to?

Rreth 10 dhoma të tilla, me tulla dhe beton, hapësira të vogla ku edhe këmbët nuk mund t’i shtrije. Ftohtë, dhe një batanije për t’u mbuluar. Të ndërtuara jo afër ku ndërronin, lëviznin të dënuarit, por më lart, që të mos kishin kontakte, nga ku ata të mund t’i jepnin një cigare apo diçka tjetër. Kujtoj një talian, njeri i mirë, vlonjat Beqir Beqiraj, trupmadh nuk donte që askënd ta fuste në birucë.

Më folët për miq të paharruar?

Ishim miq, një ndër to Beb Konomin nga Vlora një person e shkëlqyer, më donte. Kujtoj, gjithashtu, Agron Kallajxhiu, Fiqiri Muho, Ali Hoxha një muzikant, që kishte mbaruar në Çeki, njohës i kitarës, flautit, Bedri dhe Caush Coku, Nevruz Serezi, e shumë të tjerë, pa fund. Apo Met Karakashi dentist, shakaxhi, njeri i mirë. Mjek Muhamet Kosovrasti, vëllai i Njazi Kosovrastit, djalë i pashëm. Ndërsa berber ishte një i dënuar aty, ku qetheshim na rruante, pasi nuk lejoheshin brisqe, asgjë.

Midis tyre i dënuar edhe një i huaj?

Po, një italian Anxhelo Bertoli, tenor, një njeri i mrekullueshëm. Gjatë viteve të burgut, nisa të komunikoja, flisja italisht me të. E perfeksionova. Pas 90-tës kur kushëriri im, erdhi me familjen e tij të më takonte, në fshatin tim, ku asnjë nuk fliste gjuhë të huaj, isha unë që përktheja nga italishtja.

Ju vjen në ndihmë profesioni?

Pas disa viteve punë në minierë, më dërguan të punoja në ofiçinë, si tornitor, kur riparonim në torno me frezë, pjesë të makinerive që punonin në minierë. Në atë profesioni kisha kategorinë e 7-të. Një ofiçinë e mirë, nuk ka mbetur asgjë, i kishin marrë shitur në Mal të Zi.

Revolta, pse, cili ishte motivi që shpërtheu?

Gjithçka erdhi si pasojë e kushteve në fjetore, trajtim i egër çnjerëzor, vështirësitë, puna e rëndë në minierë, ndëshkimet. Fundi i majit 1973 ka qenë. Në tre ditë, një revoltë që tronditi shtetin, se nuk e prisnin, nuk e mendonin. I gjeti të papërgatitur. Përdorën të gjitha mënyrat, për të bindur të burgosurit të dorëzoheshin. E shtypën me dhunë, duke dënuar me vdekje organizatorët e saj. Çfarë situate ka qenë, ajo që u krijua gjatë dhe pas saj. Heronj të varetë ata të dënuar që i dolën hapur, kundërshtuan. Momenti kur fjetorja në lart u ngrit flamuri. Kur në kamp u futën forcat e Ministrisë së Brendshme, na izoluan të gjithëve me hekura, pranga.

E përmendni shpesh një emër, Kostandin Papa?

Inxhinier mekanik Koc Papa nga Durrësi, e doja shumë, i dënuar me vdekje, pastaj ja ndryshuan në 25 vjet. Rrinte me një shok, si vëlla, Kujtim Zhari, edhe ky nga Durrësi, i arrestuar edhe ai me të si grup. Gjatë kohës së revoltës kur kampi u izolua, atë e konsideruan si një nga personat kryesorë në revoltë. Doli komisari i kampit Shahin Skuro, duke komunikuar kush do të ridenohej, midis të tjerëve përmendi emrin e Kostandin Papës që e mbanin të arrestuar.

Ka akuza ndaj sistemit komunist, në prani të Feçor Shehut?

Hajri Pashai, bashkëfshatar i Feçor Shehut, gjatë revoltës, nisi duke i sharë, akuzuar “ju u shitët te jugosllavët, u prishët me Bashkimin Sovjetik, Kinën, Enver Hoxha është kriminel, etj., etj.. Fecori pyeti kush është ky? Komandanti Hysni Kola i thotë: Hajri Pashaj, i biri i filanit. Edhe ty do të bëjmë siç ia bëmë babait tënd”- reagoi Feçori, pasi edhe të atin ia kishin pushkatuar.

Cili ishte reagimi?

Unë e di se ashtu do ma bëni, por edhe ty Enver Hoxha ashtu ka për ta bërë. Iu turrën sambistët Hajriut, në ato shkallë të pallatit të bardhë, ndërsa ai nga akti i tretë, nga tarraca u hodh poshtë. Pati dëmtime në kolonë, ashtu e kanë pushkatuar atë natë. Se ku i pushkatonin, cilët ishin ata, dhe ku i varrosnin askush nuk e dinte, aq më shumë familjarët. Një enigmë e madhe e mbetur edhe sot.

Në Spaç, flitet edhe për një histori, si ajo e Tartit

Po shkonim në punë, turni i parë, duke ecur, shohim një këlysh të vogël, të braktisur nga një qen femër. Isha me Fiqiri Muhon, që ka bërë shumë burg, kur më thotë: Ta marrim këtë qenin? Po i përgjigjem. E çuam në ofiçinë, i ofruam pak bukë që kishim me vete. Por ishte e vështirë për ta marrë në kamp. Në kthim, duke kaluar, fshehurazi, afër telit rrethues, Fiqo gjen një hapësirë duke e futur. Në pak kohë u bë pjesë burgut, rojet, e lejuan, nuk i dhanë rëndësi, u miqësua me të gjithë, që e ushqenin nga buka jonë. U rrit, trup madh, shoqëronte turnin e parë me të burgosur deri në minierë, sillte ato të turit të tretë që dilnin në mëngjes nga miniera, vijonte me grupin e dytë, pastaj me ata në dalje.

Një emër që të befason kur e dëgjon?

Emrin ja vumë Tartarini, nisur nga filmi francez i viteve ’60, “Tartarini i Taraskonit”, i shfaqur në kinema. Ishte një dëshirë e Fiqiriut që unë ja aprovova. Dhe ashtu i mbeti. Një herë e thërrisnim Tartarini, shkurt Tarti. Kur shpërtheu revolta ai iu egërsua, i vërsulej kapterëve, policëve. Kur revolta u shtyp, ata vendosën ta eliminonin edhe Tartin. Ishte një kapter me emrin Preng, që e morri e mashtroi, duke e nxjerrë jashtë portës së rrethimit aty e ekzekutuan duke ja marrë shpirtin, me një tel në sy të burgosurve

Një burg, ku kanë vuajtur dënimin edhe Lubonja, Zhiti, Velo, Merdani, mjaft intelektualë?

Nuk i kam njohur nga afër, pasi Fatos Lubonja, Maks Velo, Visar Zhiti, kanë ardhur në Spaç, në kohën që unë isha larguar. Por, kam lexuar librat e tyre. Aty e kupton çfarë kanë hequr njerëzit në atë burg.

Lirimi, si e kujtoni atë ditë?

Jam liruar në pranverë të 1974. Një ditë më parë, një kartelist, njeri i mirë me vite që punonte aty, më thirri më tha, do lirohesh. E di,- i përgjigjem. Pse nga e di më pyeti? Se i kam numëruar ditët, muajt, – i them. Jo gëzim, por një trishtim të patreguar. Lija pas miq, shokë, njerëz më shpirt të madh. Pastaj ku do shkoja unë? Kur u lirova nuk kisha as shtëpi as katandi, as familje.

Hapet dera, ndodheni jashtë rrethimit, i lirë?

Më dhanë 6 mijë e 100 lekë, nga puna që kisha bërë në ato vite burgu. Mëngjes, sapo dola, takoj një familje, po ju i pyes? Do takoj djalin më thotë gruaja, një zonjë. Për cilin e ka fjalën?. Ajo pati frikë, kush është ky pse pyet? Jam liruar sot dhe po ju pyes pa hile i sqaroj. Jam nëna e filanit më thotë. Djalin e ke shëndosh e mirë, të shkëlqyeshëm e shumë punëtor.

Dikush ju kujton, ju merr për punën që i keni bërë?

Në këmbë duke ecur, ktheja kokën, ia bëja me dorë, nuk ndalonte asnjë makinë që transportonte mineral, sepse shoferët kishin urdhër që të mos merrnin asnjë të burgosur, Rastësisht, ndaloi një prej tyre. Shoferi më njohu. I kisha bërë një nder, kur në burg punoja në ofiçinë, makina e tij kishte pësuar një defekt që nuk ia kishin riparuar në asnjë vend. Vetëm te ofiçina e burgut i kishin thënë, ata ta kryejnë.

Pra, ju kishte mbajtur mend?

Po ti më pyeti? Sapo jam liruar. Eja, më hipi. Me vete kisha një çantë, me disa plaçka, që i morra. Mbaja një xhaketë që një mik burgu, nga Tirana, Hysen Xhanasi, Locja e thërrisnim ia kishin sjellë nga Italia. Ja kërkova, sa lek bën, t’ia blija. Jo, më refuzoi, merre ta kam falur. Rrugës në makinë na u fut edhe një person. Ishte apo jo i sigurimit nuk mund ta them. Më pyeti ku po shkon? Në shtëpi i them. Ku ke qenë? Në burg, jam liruar sot. M’u duk hallexhi, m’u afrua dhe në vesh filloi duke sharë Enver Hxhën. Ku ta ndaje se çfarë ishte. Unë asnjë fjalë. Zbrita në Laç, ku mund të gjeja një makinë për në Bulqizë.

Z, Halit, shumë frikë, të takoje një ish-të dënuar?

Kisha një adresë që një shok në burg ma dha për motrën e tij. Mendova të shkoja, ta takoja, Por, nuk pyesja dot ku ndodhej shtëpia, se mund ta kuptonin që isha një i dënuar i sapodalë nga burgu. Mars, ftohtë ka qenë. Trokita, doli një grua, e motra, Hafsa e quanin. Jam shok i Gimit, i them. A të pa kush që erdhe më pyeti. Mos kam bërë gabim mendova. Urdhëro, më tha e shkreta, duke më marrë brenda. Një kafe, folëm, duke i treguar për Gimin, dhe u largova. Nga ajo ditë nuk e kam parë, takuar më.

Si lëviznit, ju mungojnë dokumentet identifikues?

Shkova në Peshkopi, ku kisha vetëm motrën, edhe për faktin se më duhet të dorëzoja fletën e lirimit. Vendosa të flija atë natë në hotel. Në recepsion më kërkuan pasaportën. Çfarë pasaporte sapo kam dalë nga burgu, i them. Shko në degë merr letër, më sqaron. Aty gjeta një shef policie, i tregoj problemin. Pse nga ke ardhur ti më thotë ashpër, që dashke dhe letër për të fjetur. Sapo jam liruar nga burgu, i përgjigjem. Rri mirë se unë të shpie prap aty ku ke qenë. Thirri një oficer, që më bëri letrën. Të nesërmen shkova te motra.

Muaj pa punë, pse?

Nuk më afronte njeri. Një ditë, shkoj në Peshkopi, kryetar dege ishte Ndue Gjini, mirditor. Kërkova ta takoja, nuk më lejuan, se do vinte Haxhi Lleshi. Më çuan te nën/ kryetari, burrë i mbajtur. Refik Nano, vlonjat, shok me Izet Fikun, një i afërm i yni, por nuk tha se e kishte shok, konspiracion i madh. Ulu, duke më pyetur për problemin, jam pa punë, nuk kam shtëpi. Me vete kisha një çadër, kjo është gjithçka për mua i them.

Sërish ju vjen në mbështetje zanati?

Ti je tornitor i mirë, por unë nuk fuqi, mundësi të sjell torno nga Kina për ty ma tha. Më dha një letër, shkova në Bulqizë, në minierë, aty nisa punë, me turne. Duhet ta transportonim, të mbanim, të montonim shina të rënda, 6- 7 vetë për t’i ngritur. Më vonë erdhi një torno. Me hiqnin, më lëviznin. Nga torno, me vagonë në minierë, punë të ndryshme. Deri më 1990.

Jeni një bashkëshort, prind i mrekullueshëm?

Më 1979 u martova në fshat. Edhe i ati i gruas kishte qenë në burg në Burrel. Nacionalist i njohur, Kadem Jangulli, i dënuar me vdekje, pastaj ia kthyen në 101 vjet. Lindën tre fëmijët, dy djem, Mehmeti, Leonardi dhe vajza Esmeralda. Në Bulqizë, kujtoj mësuesen e muzikës Ida, bashkëshortin e saj, mësues të fizkulturës. Njerëz të mrekullueshëm. Tre fëmijët e mi aty mësuan te ajo shkollë. Jam i lumtur për to. Leonardi dhe Esmarlada jetojnë në Itali, ndërsa Mehmeti në Tiranë. Vjen më sheh, kujdeset shumë për mua dhe nënën e tij./Panorama

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, si e vlerësoni?