'Enverit, po deshe çoji një divizion në Pogradec, mua këtu m’i zhduk rojet', çfarë ndodhte në zonën e ish-Bllokut në Durrës dhe kërcënimi i Mehmetit për Gardën

7 Dhjetor, 08:52| Përditesimi: 7 Dhjetor, 08:55

  • Share

Nga ajo kohë, ajo bashkë me disa bunkerë, janë nga të paktët që kanë mbetur si dëshmitar konkretë të atij sistemi, asaj diktature. Një rrjetë teli, pas të cilës një hapësirë ku qëndronte, fshihej një tjetër botë, një tjetër jetë, tjetër realitet, trajtim ndryshe dhe vetëm për disa familje të privilegjuara të atij mekanizmi komandues, totalitar qeveritar. Blloku i udhëheqjes quhej edhe ai. Pra, ishin dy: Ai në Tiranë dhe ai në plazhin e Durrësit. Me të njëjtat struktura, të izoluara nga pjesa e tjetër e popullsisë, të ruajtura ditë-natë dhe ku askush nuk mund të futej, pasi ishte e ndaluar. Gjithçka e mbuluar nga një heshtje totale, mister, nga ku askush nuk dinte, pa pasur as më të voglin informacion çfarë bëhej në atë sektor, të rrethuar me ushtarë, nga perëndimi me det, veri -jug-lindje me telin, rrjetën me gjemba, me pemë e shkurre pa fund që nuk të jepnin asnjë mundësi komunikimi dhe vizual.

Pak kalimtarë nga rruga, autobusi i linjës Durrës-Plepa, një tra që ulej e ngrihej nga një ushtar kur kalonte një makinë, nga të paktat, vetëm ato qeveritare të kohës, dhe kaq. Nga fundi i asaj periudhe kanë kaluar 35 vite, por ajo rrjetë metalike ka mbetur ende aty siç ka qenë, ku ka shërbyer për një gjysmë shekulli, në atë vend, dikur ish-sektori i Ilirisë, në plazhin e Durrësit. Me një të kaluar tejet enigmatike për çfarë përcillte, simbolizonte ajo rrjetë e hekurt asokohe, si një ndarëse pa jetë, tejet e rëndomtë pa lidhje me atmosferën që të ofronte deti, dielli, rëra. Një paradoks i vërtetë! Pastaj ngjarja, ajo në gushtin e 1967, lidhur me një urdhër të kryeministrit shqiptar. Një dokument i rrallë, nga studiuesi Dashnor Kaloçi, na rikthen tek ajo ngjarje unikale, e papërsëritur asnjëherë më vonë. Momenti kur njerëzit ngulmonin, mendonin për ndonjë sozi të Mehmet Shehut dhe kërcënimi i tij, drejtuar komandantit të Gardës, ku i tha: “Enverit, po deshe çoji një divizion në Pogradec, mua këtu m’i zhduk rojet”.

NJË PLAZH, SHUMË KUJTIME

Plazhi i Durrësit, ka qenë i preferuar për rininë e disa brezave, pasionet, dashuritë e mëdha, gjithçka. Në ato tre-katër muaj intensivë të frekuentimit të tij, me vajtje-ardhjet ditore, trenat deri edhe ato verorë, stacionet e tyre në Shkozet, te Hekurudha, çadrat, kabinat, vilat, restorantet, shtëpitë e çamëve, autobusët me kthesën të plepat, katër sektorët e paharruar Teuta, Apolonia, Hekurudha Iliria, ku të gjithë kalonin ditën, fundjavën ndërsa familjet lejet 15-ditore. Bashkë me kampet e punëtorëve, të kuadrove, të bujqësisë, të pionierit, dhe dy konvaleshencat, ajo e Ministrisë së Brendshme dhe pas saj e Mbrojtjes. Me kinemanë që ofronte çdo mbrëmje shfaqjen e një filmi, shqiptar, apo të huaja. Ato pak dyqane, ato me veshje plazhi, veshmbathje, metrazh, ushqimore, të bukës, zarzavate-perime, pjekësit e tavave, banjot publike, çezmat ku mbushnim ujë, lodrat, etj. Pak turistë, edhe ata që vinin, të kontrolluar, të survejuar. Dhe Postë-Telegraf-Telefon te Hekurudha, e vetmja në atë plazh. Nga ato vite, kanë mbetur shumë pak gjëra. Ndërtesa e stacionit të trenit Shkozet, jo funksional, ndërtesa e hotel “Adriatikut” e pandryshuar, por jo hotelet “Kruja”, “Durrësi”, “Apolonia”, “Butrinti”. Janë pistat, ajo te Hekurudha, Ilira, sigurisht të trasformuara, asgjë nga emri, fama e viteve 70-të. Kanë mbetur autobusi i linjës Durrës-Plepa, stacionet e tyre. Po kështu edhe sektorët Teuta, Apolonia, Hekurudha, Ilira, por që nga e kaluara nostalgjike nuk kanë asnjë gjurmë, vetëm atë të mbetur në memorien tonë. Po kështu dhomat e çamëve në krahun tjetër të rrugës, nuk janë, pasi janë shkëmbyer me pallate moderne. Nuk ka më varka me qira, as fuçitë në ujë, as trampolinat, as anija “Punëtori”. Jo me xhiro si atëherë, jo me çadra 10 lekë dita, as biçikleta me rrotat lart, për të evituar nxehtësinë e rërës. As ndërtesa dykatëshe e policisë në rërë te Hekurudha, as altoparlantët që njoftonin për një fëmijë të humbur. Jo policë në qarkullim në bregdet, as sigurimsa me dylbi. Jo me shtyllat e neonit në rërë, të distancuara 100 metra nga njëra-tjetra, mbi të gjitha as Breshka lokali i famshëm, i njohjeve, dashurive spektakolare. Nuk ka asnjë shenjë të mbetur prej tij. As Vila Lule, e paharruara te Iliria, ku pushuesit ditorë visheshin e zhvisheshin. Një restorant, ndërtesë e bukur është në vendin e saj, me po atë emër. Sigurisht që tani nuk mungon fluksi, shëtitjet, verë, dimër por të një tjetër stili, me lëvizjeje, shëtitës vendas e të huaja, me pedonale, hotele, vila luksi të frekuentuara, populluara. Edhe restorantet, nuk ka asnjë nga ato të viteve 70-80, me ato menytë modeste, por të tjera, bashkëkohore, moderne me meny pa asnjë kufizim, me të gjitha pijet, ofertat e kohës.

ZONA E ISH-BLLOKUT, KLONI NDARËS

Sa herë që i afrohem ndalem e shoh, rishoh, atë rrjetë teli që më rikthen me trishtim në ato vite, që me kujton atë kohë. Në atë vend, ajo lartësi, ai material, ajo distancë, e shtrirë e futur disa metra në det. E pa ndryshuar si atëherë, një dëshmi konkrete e atij sistemi. E kam fjalën për atë rrjetë metalike, që ka qenë, dhe ekziston aty tek Iliria, e ngjashme më atë të diktaturës, simbol i saj që ka ndarë atëherë një Shqipëri, madje vazhdon të ndajë edhe sot, por pa gjemba metalikë. Ajo nuk ka qenë vetëm një rrjetë teli e pakalueshme, e palëvizur, e paprekshme dimër- verë, një rrjetë ndaluese, paralajmëruese, me rrezik të madh nëse tentoje ta kaloje, madje as t’i afroheshe. Një rrjetë që kufizonte lëvizjen e shëtitësve, por jo vetëm. Ajo ka qenë shumë më tepër se një rrjetë metalike ndarëse. Për shqiptarët plazhistë, ajo ka qenë modeli i një rrjete ndarëse, të dy botëve, dëshirave, pasioneve të mëdha. E dy mënyrave të konceptuarit të jetuarit. Ajo rrjetë aq sa të afronte me perëndimin, aq edhe të largonte më të. Si një mur imagjinar berlinez, një Shqipëri e kufizuar me tela, piramida, klone në kufijtë saj, bashkë me një rrjetë metalike teli, në zemrën e saj. Për dekada ashtu ka funksionuar. Një rrjetë ndarëse me një bllok, byroistë, drejtuesit, udhëheqësit e lartë të shteti. Dhe përballë shumë pranë saj, pjesa tjetër e popullsisë. Një kontrast i madh në një hapësirë të vogël, me një rrjetë metalike dhe disa ushtarakë në mes. Nga njëra anë, vila luksoze, e tillë edhe jeta në to, përballë pjesa tjetër e popullsisë, kabina dërrase, që të jepte ndërmarrja, vendi i punës. Në radhë, me bidonë për të marrë vajguri, mbushur uji, për bukë, për në banjo, në dyqane me listë e talon në dorë, deri edhe vrapi herët në mëngjes për të siguruar, hapur një gropë në rërë për çadrën. Një radio “Iliria” apo “Fatosi”, autobusë, biçikleta, deri edhe televizor, antenë me vete. Dhe “Zuk-u” për transport vajtje-ardhje fillim apo fund 15-ditëshi.

SI NJË FJALËKRYQ, NJË REBUS PLOT ENIGMA

I ndodhur në plazhin e Durrësit, këto ditë me disa të huaj, ndërsa po shëtisnim një paradite të bukur përgjatë bregdetit, duke iu afruar fundit të sektorit dikur “Iliria”, për një çast, ata ndalën, kur u ndodhën përballë një rrjete metalike . E shihnin, dhe vura re se secili prej tyre në heshtje mendonte pse ishte aty ajo rrjetë metalike dhe funksionin e saj. Vetëm një tabelë në shqip dhe anglisht. Të shtyrë nga kurioziteti, pasi dikush ishte polak, një tjetër finlandez, një tjetër turk më drejtuan pyetjen krejt normale: Përse është, për çfarë shërben kjo rrjetë, një enigmë për to edhe për faktin se vazhdonte deri në det dhe me pak mur, që nis nga thellësia e rërës. I informova shkurtimisht, pa e ditur se sa kuptuan historinë e asaj rrjete që I takon shekullit të kaluar për atë plazh, atë zonë dhe pse vazhdonte akoma misionin e saj. E pa konceptueshme për ta, që pas një pauze, u larguan nga ajo rrjetë metalike, e vijuar programin. Ndërsa për mua ishte ndryshe. Sigurisht me ndjesinë që na ka mbetur ende sot për historinë e pafundme që mban, ka përcjellë, shoqëruar breza, ajo rrjetë metalike me gjemba dikur, kur edhe për t’ju afruar ishte e ndaluar. Se për ta kaluar as që bëhej fjalë. Ushtarakë me armë, me turne që qëndronte aty. Sot, kontrasti është i madh, ndonëse ajo rrjetë, ai format nuk ka ndryshuar, por ka vetëm një ushtar që ruan formalisht. Dikush që gjuan peshk dhe një tabelë në mesin e saj: Ndal! Zonë Sigurie. Stop! Safety zone. Dhe pas saj në thellësi, një hapësirë pa fund, që nuk të ofron, nuk sheh asgjë. Si atëherë!

KALIMI I RRJETËS METALIKE, VETËM PËR DISA

Ka qenë një mundësi e lejuar vetëm për fëmijët e udhëheqësve që ishin, ndodheshin me pushime në vilat e asaj zone, dikur të ish-tregtarëve, pasanikëve, por të shtetëzuara pas 1945, nga sistemi diktatorial komunist i instaluar në Shqipëri. Nga Enver Hoxha te Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, janë disa nga ata që kanë qenë frekuentues sistematikë të plazhit në periudha, kohë të ndryshme. Ndonëse favoret, privilegjet i kishin brenda asaj hapësire, kënaqësinë për një tjetër argëtim, miqësi, të rinjtë e atij blloku e kërkonin, i gjenin, përtej asaj rrjete me tela e gjemba. Me pasionin, dëshirën të ishin të pranishëm në argëtimin aktiv, ndonëse të kufizuar të moshatarëve, miqve të tyre, por të takoheshin e bashkë me to, të qëndronin, frekuentonin pistat e paharruara, të pandara me atë plazh. Për të qenë gjithashtu protagonist në xhiron e famshme, shkëmbyer vështrime, demonstruar modë, gjithçka. Për t’u rikthyer në drekë apo vonë në darkë sërish në familjet e tyre, gjithmonë duke kaluar atë ndarje imagjinare. Një ritual sistematik, i përditshëm, gjithmonë në vigjilje, kontrollin e punonjësve të Sigurimit të Shtetit, apo ndonjë ushtaraku, që banonin në ato pak kabina ngjitur me atë ndarje dhe që shërbenin vetëm për atë kontingjent njerëzish.

NJË SHËTITJE E ENVER HOXHËS

Janë dy momente, krejt të veçanta, për atë zonë që ka lidhje edhe me pushtetarët e lartë. Një ndër to edhe Enver Hoxha. Dihej botërisht që Hoxha ka qenë tifoz i “Besës”, simpati e lindur në vitin 1958. Nën drejtimin e trajnerit Skënder Dedja, gjatë fazës përgatitore ekipi kavajas grumbullohej në vilat tek zona e Ilirisë në plazh. Gjatë një seancë stërvitjeje përgjatë bregut, duke shëtitur aty kalon Enver Hoxha, i cili pyet se cila është kjo skuadër. Kur në vitin 1965, “Besa” morri Kupën e Gazetës “Bashkimi”, duke mundur në finale Tomorin e Beratit 3-1, por më shumë pas takimi-gjysmë final, në të cilin Besa fitoi ndaj Apolonisë 11-0, me 7 gola që realizohen nga Hasan Germenji, i entuziazmuar Enver Hoxha e fton skuadrën në një bashkëbisedim, ku janë drejtues e lojtarë duke deklaruar publikisht se ishte tifoz me Besën. Gjithçka e nisur në takimin pas rrjetës metalik me gjemba në bregdetin e “Ilirisë”. Fillimisht, deri në vitet 60-të, pak e dinë se ka qenë apo jo një gardh ndarës. Por, ajo që kujtohet është një ushtarak me rroba banje dhe një çadër që pengonte kalimin e ndonjë qytetari në krahun tjetër. Gjithçka u forcua më shumë, në mesvitet 1960-70, situata politike të krijuara, tensionet, veçanërisht pas daljes nga Traktati i Varshavës, më 1968-ën.

NGJARJA, NJË BEFASI E MADHE PËR KOHËN

Pak e dinë. Por, mjafton t’i referohesh një materiali dokumenti arkivor të studiuesit Dashnor Kaloçit, për t’u informuar në detaje për atë çfarë ndodhi, kur për herë të parë dhe fundit, u hoqën rojet dhe ajo rrjetë teli. “Ka qenë paraditja e datës 11 gusht të vitit 1967, kur qindra pushues që ndodheshin përgjatë bregdetit në plazhin e Durrësit, kryesisht te zona “Iliria” dhe “Hekurudha”, mbetën të habitur dhe nuk u besonin syve, kur para tyre në bregun e detit, panë të kalonte qetë, qetë, kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehun, bashkë me bashkëshorten e tij, Fiqretin, duke bërë xhiro të zakonshme, si gjithë qytetarët e tjerë që frekuentonin atë plazh. Shumë prej plazhistëve që ndodheshin atë ditë gushti, ngulmonin se ai nuk mund të ishte kryeministri, por ndonjë sozi e tij, apo një ngjashmëri e rastit. Askush nga durrsakët e vjetër që frekuentonte atë plazh që nga mbarimi i Luftës në vitin 1945, nuk mbante mënd që aty, të kalonte ndonjë nga udhëheqja e lartë, e aq më shumë, vetë kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, madje pa pasur grup shoqërimi me vete. Por ato hamendje u shkërmoqën në çast, pasi kryeministri Mehmet Shehu dhe bashkëshortja e tij, ndalonin herë pas here gjatë xhiros së tyre e bisedonin me njerëz të ndryshëm, madje duke i ftuar ata; “që t’ju kthenin vizitën”! Pra, që të frekuentonin pa asnjë problem, edhe plazhin e “Bllokut” të vilave qeveritare, pasi sipas tyre, aty nuk ishte më gardhi me tela, e as rojet e Gardës, sepse: “udhëheqjen e ruante vetë populli”! Lajmi që kryeministri Mehmet Shehu me bashkëshorten e tij, Fiqretin, kishin bërë xhiro bregut të detit, madje, pa grup shoqërimi, mori dhenë dhe për ditë të tëra, u bë kryefjala e bisedave të plazhistëve durrsakë e atyre të ardhur nga Tirana, me hamendje dhe shpjegime nga më të ndryshmet…?! Por askush nga ata nuk guxoi, as të tentonte të merrte rrugën, për t’u afruar te muri dhe gardhi rrethues me tela, që ndante plazhin publik, me zonën e plazhit brenda “Bllokut” të vilave qeveritare, që shtrihej nga fundi i zonës “Iliria”, deri te muri rrethues i Konvaleshencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, tek Plepat e Durrësit. Nuk u mor vesh dhe mësua kurrë, se përse kishte ndodhur ajo “shfaqje” e papritur e kryeministrit, duke bërë xhiro bregut të detit, gjë e cila nuk u përsërit më, asnjëherë të vetme…?!

NJË RRËFIM PARA TRUPIT GJYKUES

Në vijim të dokumentit arkivor lexojmë: “E vërteta e asaj “vizite” të papritur të kryeministrit Shehu dhe bashkëshortes së tij, mbeti një mister për t’u mësuar në shtatorin e vitit 1983, kur në ambientet e Burgut 313 në Tiranë, do të zhvillohej gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, ku mes një numri të madh dëshmitarësh, që ishin thirrur të dëshmonin, ndodhej edhe ish-komandanti i Gardës së Republikës, Feti Smokthina, i cili në deponimet e tij, në përballjen e ballafaqimin me ish-ministrin, Kadri Hazbiu, tashmë i pandehur, tregoi me hollësi rreth ngjarjes së 11 gushtit 1967, për “vizitën” e Mehmet Shehut, jashtë territorit të bllokut të vilave qeveritare dhe sherrin e madh që kishte pasur, si me ish-kryeministrin Shehu, ashtu dhe me ministrin, Hazbiu. “Unë kam qenë komandant i Gardës dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Dytë dhe rojet janë hequr në Bllok, më datën 11 gusht 1967. Unë isha me shërbim në Skrapar, u ktheva në darkë aty, kur më thotë shefi i stërvitjes një Lili Kulari, që janë hequr rojet. Nga kush janë hequr? Nga kryeministri. Siç më thanë oficerët, ata të grupit të tij, Mehmet Shehu me Fiqrete Shehu, kishin dalë deri nga “Iliria” e tutje dhe i kishin thënë popullit, që të shkonte, nga Blloku atje, deri tek Shtëpia e Oficerëve ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe më tej akoma. Komandanti (Shoku Enver), ishte në Pogradec atëherë dhe unë si komandant i Gardës, i dhashë urdhër se kjo ishte kompetencë e ime dhe unë patjetër duhej të dija për këtë. Vete në shtëpi, më të nesërmen i veshur civil, bile pa qenë ora 7 e 30, në kohën që do vinte në zyrë Kadri Hazbiu, më priti mirë, më nxori aty në atë verandën e tija, se aty e takova, porositi një kafe, më dha edhe cigare. I raportova për shërbimet që kisha qenë andej, edhe për rojet, pas të cilës reagoi: “Më kanë thënë shokët”. Shoku ministër, meqenëse juve jeni ministër dhe i ka hequr kryeministri rojet, unë kam ardhur që t’ia thoni juve atij, të vini vetë ju atje. Jo tha – i nxehur, duke ia bërë njëherë atyre flokëve, kështu përpjetë, dhe tha: Ti je Komandant i Gardës dhe të vesh e t’i thuash ti. Mirë thash do vete. Ta mban – tha dhe ma bëri dhe kështu me dorë, po i thash, detyra është detyrë. Vajta, kërkova takim me anë të Gilo Lames, nuk më pranoi herën e parë ai, bile as nuk e dinte se kush isha unë, një efektiv. I thashë Gilos, thuaj se jam komandanti i Gardës dhe kam ardhur kryesisht për rojet që ka hequr. Radhën e dytë më pranoi brenda. I veshur me rrobat e banjës, Mehmet Shehu kish dhe një filxhan me qumësht përpara. Rojet – tha – s’ka nevojë të jenë këtu, dhe u ngrit në këmbë. Unë i thashë jam unë komandant i Gardës. Se do hiqesh bashibozuk ti – tha, s’dini as të nderoni, as të respektoni, prandaj të mos i shikoj brenda 12 orëve, na kini mbyllur në tela – tha – flasin radiot e huaja. Me thënë të drejtën, unë kisha djersitur një çikë, se me atë presionin që flisnin, nuk më la gjë pa thënë ai. I thashë, ne nuk do bëjmë si thonë radiot e huaja, do bëjmë si thotë Partia, si thoni dhe juve, si thotë Komandanti i Përgjithshëm. Se për atë janë rojet këtu në radhë të parë, dhe neve kemi një skemë këtu. Ai vrap, një të ngritur bëri dhe thashë se mos ma fuste me ndonjë pëllëmbë aty. Enver Hoxha tha, është në Pogradec, atje po të duash (nuk tha as shoku Enver), ço një divizion, këtu mua m’i zhduk rojet. Kur të bëhesh ti fekale, (po kur them fekale, në atë gjuhën kuptohet), kryeministër dhe anëtarë i Byrosë Politike, atëherë, hajde e mbaj një regjiment të tërë këtu, në Durrës. Qërohu – më tha mua. Si urdhëron, këtë desha unë, të ikja”

FUNDVITET 1960, DHE 1973-SHI

Nuk ka pasur, nuk ka ekzistuar as mur, as një rrjetë metalike, por vetëm një apo dy ushtarë me rroba banje që ruanin, ndalonin kalimin e personave të huaj nga “Iliria”, plazhi në zonën e bllokut. Mjaftonte një shenjë e tyre, apo “ndal”. Gjatë ditës, netëve në kohë vere, ndërsa në dimër, të veshur duke qëndruar aty. Edhe zona përreth bllokut, jo e rrethuar me tela, por me shërbime roje ushtarë, që e ruanin, atë hapësirë, të mbuluar edhe me shkurre. Ky mekanizëm deri në fund të viteve 60-të. Me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, tensionimin e marrëdhënieve politike me vendet e Lindjes, rrezikun e një sulmi ndaj Shqipërisë, bunkerizimin e saj, dhe kur “një popull punon e mbron”, ndryshoi edhe sistemi mbrojtës për udhëheqësit e lartë të shtetit. Kudo, deri edhe në gjatësinë e plazhit u vendosën bunkerë, zona e ish-Bllokut pati një tjetër sistem rrethimi, ruajtje. Në të tilla kushte, atmosferë vijmë në periudhën post 1970, kur shpresa, dëshira për ndryshimet e mëdha që priteshin drejt perëndimit, për hapje, liri, pa kalime ilegale të kufirit, pa klonet vrasëse, ushtarë dhe fjalën urdhëruese “Ndal”, me to edhe çdo rrjetë tjetër ndarëse, si ajo e plazhit të hiqej përfundimisht. Pikërisht në startin e 1973-shit, rrota e ndryshimit të madh do të ndalej përgjithmonë. Shumë më tepër klone, ushtarakë, vigjilencë, dhe ajo rrjetë do të bëhej, do të ishte edhe më e trashë, më e sigurtë për ata përtej saj, dimër-verë, diell, shi, erë. E tillë, në ato kushte me atë material, do të qëndronte në vite, me ushtarët në gatishmëri gjithmonë pranë saj. Deri më 1990, ashtu si edhe për gjithçka tjetër, u mendua kishte ardhur edhe fundi për të.

SOT

Sa herë ndodhem në plazh, për një shëtitje të shpejtë deri në fund të ish-Ilirisë, jam i detyruar të marr kthesën, si atëherë. Të vazhdoj më tej nuk më lejon një rrjetë metalike. Bashkë me disa bunkerë që janë përgjatë plazhit, si atëherë, Por pa asnjë funksion, vetëm për relikë. Pra, nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara, pasi historia e asaj rrjete vazhdon edhe sot. Sigurisht me një tjetër spektër, situatë, njerëz, atmosferë. Realisht nuk e di qëllimin, çfarë bëhet në hapësirën përtej saj. Sinqerisht nuk më intereson të pyes të informohem, sikur më sjell ndjesinë e kaluar, harruar, të cilës nuk dua t’i rikthehem. Si sot edhe atëherë, na ka mjaftuar dielli, rëra, deti, dhe asnjë rrjetë teli, mur betoni, bunker ushtarakë me armë, nuk kanë mundur të na frenojnë, të na ndajnë./Panorama

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?