Në prag të 11 Majit, e parashikuar në legjislaturën shqiptare, si cikli i radhës i ripërtëritjes së udhëheqësve qendrorë, duket të ofrojë më tepër një cirk memesh si platformë premtuese sesa alternativa të vërteta zgjedhore. Heshtja që dhemb në këtë vend, mungesa e opsioneve të qenësishme politike! Një estradë që dhuron shfaqje qytet më qytet, aty ku zbarkon me trupën vendore të politikanëve, aktorëve amatorë që më së shumti, iu shfaqen si portrete elektoratit në riciklimin e 4 viteve. Të dy palët janë të ndërgjegjshëm, për kllounët me protagonizëm të induktuar nga premtimet bosh, me ndryshim e vetëm, që njëri pol abuzon, tjetri në heshtje e legjitimon!
Demokracia, nuk është një koncept utopik, as surreal, as platonik. Lypset të jetë një sistem vlerash që operon në kushtet e meritokracisë, konkurrencës së drejtë dhe të ndershme, përdhosjes së nepotizmit, afirmimit të së vërtetës, prevalimit të së drejtës. Cilado qeveri, pavarësisht bilancit 4-vjeçar, edhe në më i suksesshmi qoftë ai, meriton një kamp të fortifikuar opozitar.
Një oponencë me zë potent, me amplitudë që kumbon nga Vermoshi në Konispol, teksa proteston dështimet, adreson problematikat dhe duartroket arritjet, sepse punët e mira shkojnë përtej pragut të partisë, afektojnë jetesën e qytetarëve. Ama, si mund të mbijë një pemë në një dhe që ka vendosur të mos ushqehet më me rrënjë, por vetëm me hijen e vet? Si mund të shpresosh për rilindje, kur dora që duhet të mbjellë, është e zënë duke shkulur? Të përjashtosh Jorida Tabakun dhe të tjerë zëra të arsyes në një kohë krize identiteti, është si të flakësh busullën në mes të detit, e të pretendosh se do mbërrish në brigje të sigurta. Ata nuk janë vetëm individë me kontribute, janë rrëfime që i kanë dhënë kësaj partie një tjetër faqe, më të lexueshme për qytetarin që ka hequr dorë nga zhurma. Tani, ata fshihen si shënime të padëshiruara në një faqe që kërkon vetëm një autor dhe shumë duartrokitës.
Çedimi më i madh i këtij kombi, quhet opozitë!
Sali Berisha nuk po ndërton një opozitë, ai po gdhend një ikonë të vetvetes në gurin e një altari të vjetër, mbi të cilin dikur është lutur populli, por sot vetëm pëshpërit fantazma e lavdisë së dikurshme. Çdo zë që nuk i përket refrenit të tij, mbytet në zallin e akuzave, e çdo hap ndryshe konsiderohet tradhti. Kjo nuk është më një lëvizje politike, është një rit i përnatshëm i vetëadhurimit, ku flamuri i opozitës është kthyer në perde që fsheh mungesën e thelbit. Një opozitë që nuk përqafon vetëkritikën, është një pasqyrë e thyer, ajo nuk e njeh më as veten, e aq më pak ata që e shikojnë prej jashtë.
E kështu, më 11 maj, nuk do të përballemi me një ofertë politike, por me një reflektim të zymtë të një kohe që nuk pranon të ikë. Do të jemi përpara një ballotazhi mes së shkuarës që refuzon të vdesë dhe së ardhmes që nuk po i jepet rasti të lindë. E në këtë përplasje të heshtur, qytetari nuk ka më as zgjedhje, as shpresë - ka vetëm vetminë e atij që përballë kutisë së votimit, ndjen se çdo alternativë është një tjetër faqe e shkruar nga të njëjtët autorë, me një tjetër bojë. Bojëra të ndryshme nuk e ndryshojnë një histori që nuk pranon të rishkruhet!
Komente
