Drejt Punës
Opinion
Periferi

Epilogu i një sezoni/Kur një tropojan bën makaronat më të mira në bregdet

6 Shtator 2021, 16:32| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 16:40

  • Share

Do të vijë një ditë që rrugët do të bëhen të gjitha, kullat do të rindërtohen, stanet do të marrin jetë e veç bagëtive, do të shuajnë etjen dhe urinë e udhëtarëve të shumtë që do t’i bien kryq e tërthor Shqipërisë. Nga Korabi në Nëmërçkë do të shtohen agriturizmet, bujtinat; nëna e baballarë do të nxjerrin nga sëndyqet çfarë i ka mbetur nga nënat e baballarët e tyre për të bërë çdo zonë mikpritëse sa më të dallueshme e më të bukur nga një fshat në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën duke lënë pa fjalë turistë të huaj e shqiptarë të larguar a të lindur diku në botën e madhe që i priti në gjithë këto vite emigracion.

Nuk ka asnjë mundësi tjetër: Shqipëria e ka marrë rrugën e mbarë të punës dhe të progresit dhe shqiptarët po e njohin mirë dita-ditës se sekreti i suksesit është puna, përkushtimi, cilësia, mirësjellja, mikpritja, përmirësimi dhe asgjë tjetër. E kanë kuptuar këtë vetë shumë prej nesh, me gabimet e korrigjimet, me falimentimet e sakrificat duke mos pasur një shtet në krah, ose shpesh, duke pasur shtetin dhe shërbimet e tij armikun e penguesin më të madh. E të stërvitur e të skalitur me këtë, tani më të mirët duhet të mbijetojnë; ata që kanë krijuar një emër, ekperiencë, janë shndërruar në një pasuri të paçmuar për tokën tonë duke sjellë nga vendet ku kanë emigruar (Italia e Greqia në krye) më të mirën që kanë mësuar.

Ky shtator pritet të jetë i ngrohtë dhe nga Veriu në Jug do të vazhdojnë lëvizjet, por në të njëjtën kohë edhe reflektimet e një sezoni turistik që po shkon drejt përfundimit. Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, aty ku shpalosi qeverinë “Rama 3” dhe ambicjet për një Shqipëri kampione turizmi në Ballkanin Perëndimor, kryeministri Edi Rama nuk e fshehu aspak që kjo është një ëndërr e madhe e tij: Sigurisht, do të ndërtohen infrastruktura, rezorte, porte dhe aeroporte; janë të gjitha një ëndërr e bukur, mirëseardhtë e gjitha kjo, por pa harruar dhe respektuar edhe atë tropojanin në gjirin e vogël të Sarandës, i cili, me stafin e tij të jashtëzakonshëm, në një tavolinë mikse italo-shqiptare, tregoi se dinte të ofronte makaronat me fruta deti  më të shijshme në të gjithë bregun në këtë sezon gjatëpandemie. Asnjë vlerë e arritur, nga kushdo e kudo qoftë, nuk duhet shkatërruar. Vetëm përmirësuar.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?