Bota

Episodi i ri i 'South Park' tallet me Trumpin (duke fjetur me Satanin)! Klipi që zemëroi Shtëpinë e Bardhë (VIDEO)

25 Korrik, 14:44| Përditesimi: 25 Korrik, 15:07

  • Share

“Na vjen shumë keq”. Kështu, me një buzëqeshje djallëzore, bashkëkrijuesi i South Park, Trey Parker, reagoi ndaj bujës mediatike të shkaktuar nga një prej episodeve më të diskutueshme në historinë e serialit, nga skena e Comic-Con International në San Diego, Kaliforni.

Siç raporton USA Today, kur moderatori i panelit në Comic-Con, Josh Horowitz, tha me shaka se kishte me vete një urdhër paraqitjeje për dy krijuesit e South Park, Parker dhe Matt Stone, i pari u përgjigj: “Në rregull, jemi gati”. Episodi i parë i sezonit të 27-të të South Park, i transmetuar të mërkurën, ka sulmuar rëndë presidentin e Shteteve të Bashkuara, duke e treguar Donald Trump-in duke fjetur lakuriq me Satananin, si dhe duke iu referuar marrëveshjes mes drejtuesve të Paramount dhe presidentit, e duke përmendur edhe anulimin e emisionit “Late Show” me Stephen Colbert në CBS.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers kritikoi ashpër episodin e South Park, duke e cilësuar si një program “që nuk është më aktual prej mbi 20 vitesh dhe që mbahet me një fije përmes ideve të pamotivuara në një përpjekje të dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen”.

“Presidenti Trump – vazhdoi zëdhënësi – ka prodhuar më shumë rezultate në vetëm gjashtë muaj se çdo president tjetër në historinë e kombit tonë, dhe asnjë grumbull gjërash të kategorisë së katërt nuk mund ta minojë serinë e tij të sukseseve”.

Sipas Los Angeles Times, dy krijuesit Parker dhe Stone kanë nënshkruar një marrëveshje prej 1.5 miliardë dollarësh me Paramount, që do t’i mundësojë studios amerikane të transmetojë të gjithë serialin në platformën e saj të transmetimit Paramount+ për pesë vite në të gjithë botën. Marrëveshja do të përfshijë gjithashtu edhe prodhimin e 50 episodeve të reja.

Blerja e të drejtave të South Park vjen në një moment delikat për Paramount: autoriteti rregullator i telekomunikacionit në SHBA, FCC, miratoi të enjten marrëveshjen prej 8 miliardë dollarësh për blerjen e Paramount Global dhe filialeve të saj nga kompania Skydance./La repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?