Sektori bankar

Epoka dixhitale dhe mbrojtja e të dhënave personale në sektorin bankar

25 Janar 2023, 13:17| Përditesimi: 25 Janar 2023, 13:20

  • Share

Teknologjia dhe digjitalizimi mundëson që shumë procese dhe shërbime të kryhen në mënyrë të automatizuar, por nga ana tjetër, ky digjitalizim shton rrezikun për keqpërdorimin e të dhënave personale nëse nuk përmbushen detyrimet e përcaktuara ligjore për parandalimin e pasojave.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan tryezën e rrumbullakët me tematikë “Epoka digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale brenda sektorit bankar”. Në këtë takim, në kuadër edhe të aktiviteteve të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të pranishëm ishin amabasadorja e Zvicrës, znj. Ruth Huber, si dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.

Në përshëndetjen e tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi theksoi se në epokën digjitale, monedha e shkëmbimit janë të dhënat personale, çka nga ana tjetër janë dhe një ndër pasuritë më të çmuara të njeriut. “Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në trekëndëshin qytetar-autoritet mbikëqyrës-kontrollues, nënkupton balancë për respektimin e kësaj të drejte në një ekonomi të zhvilluar. Përputhshmëria me këto standarde bashkëkohore kërkon investime afatgjata: në drejtim të burimeve njerëzore; masave tekniko-organizative dhe mekanizmave vetërregullues, me qëllim garantimin e sigurisë së të dhënave”. Kryediplomatja zvicerane vlerësoi në përshëndetjen e saj se “mbi gjithçka, duhet ta trajtojmë mbrojtjen e të dhënave si një çështje të legjislacionit, politikave, rregulloreve dhe kapaciteteve. Po kështu, ne duhet të investojmë në ndërgjegjësimin dhe sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve”.

Ky aktivitet i parë, u zhvillua si pjesë e projektit “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave”, ku për të pranishmit referoi eksperti i kësaj fushe, z. Emirjon Marku. Ngjarjet e kohëve të fundit të cenimit të të dhënave personale të qytetarëve dhe sulmet kibernetike si ndaj strukturave/databazave publike ashtu edhe atyre private, kanë përqëndruar vëmendjen te domosdoshmëria për rritjen e vigjilencës dhe sigurisë, zgjerimi i burimeve/kapaciteteve për përballimin e këtyre problematikave dhe sidomos trajnime të vazhdueshme për stafet.

Në këtë tryezë u diskutua për rolin që sektori bankar ka për ekonominë e vendit, në funksion të përmbushjes së detyrimeve rregullatore të mbrojtjes së të dhënave personale dhe në harmoni me ato të fushave të tjera. Fokusi në këtë tryezë ishte zbatimi i parimeve dhe kritereve ligjore, si: informimi dhe dhënia e pëlqimit, mjaftueshmëria e të dhënave, saktësia, kohëzgjatja e përpunimit, ruajtja, etj. Njëkohësisht, u trajtuan edhe risitë në kontekstin e modernizimit të legjislacionit sipas standardeve të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR), që kanë të bëjnë me rolin e nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave personale (DPO), certifikimin, kodet e sjelljes dhe etikës, sistemet e menaxhimit të sigurisë së informacionit (SMSI), etj. Të pranishmit diskutuan edhe për raste nga praktika, si dhe forcimin e përgjegjshmërisë në raport me të dhënat e qytetarëve, për të përmirësuar në vazhdimësi shërbimet që ofron ky sektor.

Më herët, ambasadorja Huber u prit në një takim në mjediset e Zyrës së Komisionerit, ku u diskutua rreth rrugëve për zgjerimin e bashkëpunimit për realizimin e projekteve të tjera.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?