Në këto ditë të ftohta të janarit, jo pak probleme u krijuan edhe në sektorin e energjisë elektrike në Kukës. Report Tv mëson se erërat e forta pas mesnate rrëzuan një lis në lagjen Zabel të Kukësit, duke dëmtuar linjën që furnizon rreth 150 abonentë në këtë lagje ndërsa djegja e transformatorit ka lënë pa energji 60 abonentë të fshatit Malqenë.
Gjithësesi, Shefi i grupit operativ në OSHEE Kukës, Elson Brati, thotë se situata e furnizmit me energji elektrike, tashmë duket e stabilizuar.
"Situata energjitike është e mirë, kemi 150 abonentë në këtë zonë, ka rënë një degë në rrjetin shpërndarës. Është djegur transformatori. Difekti këtu mund të vonojë 40 minuta. Aktualisht nuk kemi asnjë fshat pa energji elektrike edhe pse zonat janë malore. Kushtet atmosferike janë problematike”-tha Brati.
Megjithëse kryhen remonte në linjat elektrike për shkak të motit me ngrica dhe temperaturë disa gradë nën zero duket se linjat nuk kanë qëndrueshmëri, duke dhënë defekte të menjëherëshme, por sipas Bratit, OSHEE ka bërë dhe po bën investime për të përmirësuar infastrukturën e rrjetit energjitik.
“OSHEE ka bërë investime vitet e fundit. Linjat ajrore që vijnë nga nënstacionet dhe hyjnë në qytet, kemi pak probleme. Bëjmë remonte por kushtet e motit na i mundësojnë këto defekte. I përballojmë të gjitha ngarkesat.”-tha Brati.
Prej mëngjesit punonjësit e OSHEE punuan për riparimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike në lagjen Zabel ndërsa në Malqenë për vendosjen e transformatorit të ri.