Andrea Ndoj ishte emri i ri që u bashkua me kombëtaren shqiptare U-21 në ndeshjet e fundit. 19 vjeçari është pjesë e Olympiacos dhe ka kontratë me kampionët e Greqisë deri në vitin 2025. Djaloshi tanimë është pjesë e ekipit të parë, duke marrë minuta në ndeshjet e fundit.
Dje në barazimin 0-0 me Qarabag në Europa League, djaloshi kuqezi luajti 90 minuta të plota, duke qenë për të parën herë si titullar. Me notën 7.1 u vlerësua mbrojtësi shqiptar, që ishte ndër lojtarët që bëri paraqitjen më të mirë në fushë.
Qendërmbrojtësi është një nga kandidatët më potencial për t'u afruar me ekipin e parë të Shqipërisë, teksa pas tre ndeshjeve me Shqipërinë U-17 luajti edhe me moshat e Greqisë. Në kushtet kur ftesa e Alban Bushit iu drejtua disa javë më parë, Ndoji la Greqinë dhe u bashkua me kuqezinjtë, ndryshe nga i ati që i kërkoi të ishte pjesë e helenëve. I.90 metër i gjatë dhe fizik, Ndoj luajti fundjavën e shkuar edhe 45 minuta në Superligën greke kundër OFI Crete.