Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar Greqinë për pushtimin e ishujve në Detin Egje që kanë status të çmilitarizuar, duke kërcënuar se Ankaraja është e gatshme të bëjë “çfarë është e nevojshme” kur të vijë koha.
“Okupimi juaj i ishullit nuk është shqetësimi ynë. Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme,” tha Erdogan.
“Unë i sugjeroj Greqisë që të shikojë historinë. Nëse Athina shkon shumë larg, çmimi do të jetë i lartë. Kemi edhe një gjë për t’i thënë Greqisë, le të kujtojmë Izmirin,” tha Erdogan.
Izmiri është një provincë në bregun perëndimor të detit Egje në Turqi, nga i cili forcat greke janë dëbuar nga forcat turke. Menjëherë pas kërcënimeve të Erdoganit ka reaguar edhe Greqia, e cila tha se “Turqia do ta paguajë shtrenjtë” nëse ndërhyn në ishujt e Egjeu.
Ministria e Jashtme greke i cilësoi deklaratat e Erdoganit si provokuese, ndërsa tha se presidenti turk ka kaluar çdo kufi me kërcënimet e tij, e se për këtë do të informohen dhe aleatët.
“Greqia nuk do të ndjekë Turqinë në deklaratat dhe kërcënimet e përditshme skandaloze. Ne do t’i informojmë menjëherë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen provokuese të deklaratave të ditëve të fundit, për të bërë të qartë se kush po e dinamizon kohezionin e aleancës sonë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme", shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Kjo nuk është hera e parë që ka replika mes Greqisë dhe Turqisë për ishujt e çmilitarizuar në detin Egje, pasi para një muaji ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, foli për çmilitarizimin e ishujve të Egjeut.