Vizita e radhës e Presidentit Erdogan në Shqipëri i gjen marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-turke në ditë të mira. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja të ardhura nga Turqia përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit zënë 20% të totalit të investimeve të futura në ekonominë e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Investimet e huaja në gjashtëmujor ishin 749 milionë euro gjithsej, ku Turqia renditet shteti i parë sa i përket investimeve në Shqipëri, me vlerën më të lartë duke lënë pas Italinë, Gjermaninë apo Holandën.
Në këtë periudhë investimet nga Turqia arritën në 146 milionë euro, që është vlera më e lartë historike, që kompanitë turke kanë investuar në Shqipëri prej një dekade. Sektorët potencialë ku dominojnë investitorët turq janë sistemi financiar (banka), industri e rëndë si nxjerrja dhe përpunimi i çelikut, sektori i ndërtimit, por edhe në energjetikë.
Referuar shifrave të Institutit të Statistikave përgjatë vitit të kaluar në Shqipëri ishin aktive 403 ndërmarrje turke, të cilat ishin të përqendruar kryesisht në fushën e shërbimeve, dhe punësojnë afro 15 mijë punonjës. Turqia po ashtu është partner i rëndësishëm tregtar ekonomik i Shqipërinë, por në këtë aspekt deficiti tregtar është i lartë. Prej janarit deri në gusht vendi ka blerë nga Turqia mallra me vlerë 66.6 miliardë lekë, ndërkohë që i kemi shitur mallra vetëm 2.7 miliardë lekë. Sa i takon tregtisë së mallrave, Turqia është në vend të dytë, pas Italisë e cila kryeson listën e me vlerën më të madhe të importe drejt Shqipërisë me 125,8 miliardë lekë. por edhe eksportet drejt Italisë, janë shumë herë më të larta se me Turqinë pasi arrijnë në 111.4 miliardë lekë.
Ashtu si edhe për investimet, kompanitë tona blejnë nga Turqia materiale ndërtimi, plastikë dhe tekstile e këpucë, ndërsa më shumë i shesin mallra ushqimore dhe materiale ndërtimi.
Me doren e majt te japin lulet,me doren e djadht thiken.
Përgjigju