Erdogan

Erdogan për Putin: Nuk pajtohem me qasjen negative të liderëve botërorë

22 Shtator 2023, 11:02| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 11:06

  • Share

Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, tha të enjten se nuk pajtohet me qasjen, siç e quajti ai negative, të liderëve të tjerë botërorë ndaj presidentit rus Vladimir Putin, sipas televizionit shtetëror turk.

Duke folur para gazetarëve në Nju Jork pasi mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Erdogani tha se Rusia nuk është një vend i cili mund të nënvlerësohet dhe e përsëriti se ka shpresa se marrëveshje e Detit të Zi për eksportimin e drithërave mund të ringjallet.

“Liderët dhe kryeministrat kanë qasje negative ndaj Putinit. Natyrisht, ne nuk e mbajnë apo pasqyrojmë këtë qëndrim. Mua nuk më duket në rregull këto qasje, sepse Rusia nuk është vend i zakonshëm”, tha Erdogani.

Moska u tërhoq në korrik nga marrëveshja për drithërat.

“Rusia e ka një vend të qartë, qoftë në me sipërfaqen e saj, qoftë me pozicionin në botë. Sa i përket prodhimit të drithërave, Rusia është ndër vendet e pakta në botë [që prodhon] tani. Tani, nuk mund ta nënvlerësoni një vend të tillë”, shtoi ai.

Turqia, një aleate e NATO-s, ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira edhe me Moskën edhe me Kievin qëkur Rusia e pushtoi Ukrainën vitin e kaluar. Ajo i ka dhënë përkrahje ushtarake Ukrainës dhe e ka ngritur zërin për integritetin e saj territorial, por, në të njëjtën kohë, i ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë në parim.

Ankaraja është duke punuar për ta bindur Rusinë të kthehet në të ashtuquajturën “Iniciativa për Drithërat e Detit të Zi”, arritjen e të cilës e ndërmjetësoi bashkë me Kombet e Bashkuara vitin e kaluar.

Pasi tërheqja e Moskës i dha fund mbrojtjes njëvjeçare të eksportimit të drithërave nga portet e Ukrainës në kohë lufte, Erdogani tha se do të punonte me Putinin, me të cilin ka lidhje të mira personale, për ta ringjallur marrëveshjen, duke iu bërë thirrje vendeve të Perëndimit ta bëjnë pjesën që u takon./REL

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?