Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të enjten mbrëma se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.
Erdogan organizoi një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Republikës Turke të Qipros së Veriut, Ersin Tatar, i cili realizoi një vizitë zyrtare në Ankara.
“Sikurse mbrojmë të drejtat tona, ne do të vazhdojmë të mbrojmë me të njëjtën vendosmëri edhe interesat e turqve qipriotë në Ishull dhe rajon. Shkaktar i problemit në Qipro dhe i zvarritjes së tij deri në të sotmen është plotësisht qëndrimi i papajtueshëm i grekoqipriotëve”, theksoi ai.
Kreu i shtetit turk vlerësoi edhe zhvillimet në Mesdheun Lindor.
“Ata që dje përpiqeshin të merrnin kontrollin e Ishullit duke derdhur gjakun e turkoqipriotëve, të njëjtin objektiv synojnë ta arrijnë sot me sulme politike dhe ekonomike. Rruga e gjithëpritur e zgjidhjes në Ishull hapet vetëm nëse pala grekoqipriote vjen në një terren kompromisi të sinqertë dhe realist”, u shpreh Erdogan duke potencuar se çdo projekt që injoron Turqinë dhe RTQV-në në Mesdheun Lindor, nuk mund të realizohet në asnjë mënyrë.
Presidenti turk paralajmëroi gjithashtu se vendi i tij nuk do të hezitojë kurrsesi për t’u dhënë përgjigjen e nevojshme atyre që s’kanë marrë mësim nga e kaluara, nëse ka ende të tillë.