Mikrofoni i presidentit turk, Rexhep Tayip Erdogan u ndërpre papritur gjatë fjalimit të tij në samitin e nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me temë kryesore shteti i Palestinës.
Ky moment ka ngjallur tepër polemika duke aluduar se veprimi ishte sabotim i qëllimshëm dhe jo vetëm një defekt teknik, raporton media vendase Turkiye Today.
Ndërprerja ndodhi gjatë "Konferencës Ndërkombëtare për Gjetjen e një Zgjidhjeje për Çështjen Palestineze dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete", të bashkëorganizuar nga Franca dhe Arabia Saudite në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Mikorfoni i Erdogan u fik vetëm pas 5 minutash nga nisja e mbajtjes së fjalimit duke mos pasur mundësi për të përfunduar fjalën. Incidenti shkaktoi reagime të ashpra nga të pranishmit në sallë.
Përpara se të ndërpritej lidhja, Erdogan kishte deklaruar se "një katastrofë e madhe humanitare ka ndodhur në rajonin tonë për gati dy vjet për shkak të sulmeve në rritje të qeverisë izraelite". Ai shtoi: "Masakra në Gaza, e cila ka kushtuar jetën e më shumë se 65,000 njerëzve, vazhdon me gjithë ashpërsinë e saj. Askush që vë dorën në ndërgjegje nuk mund ta pranojë atë që po ndodh. Për më tepër, ata nuk mund të heshtin përballë një gjenocidi të tillë".
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë lëshoi më vonë një deklaratë duke sqaruar se ndërprerja e mikrofonit ishte automatike dhe procedurale, jo e qëllimshme. Sipas drejtorisë, rregullat e konferencës caktuan pesë minuta për krerët e shteteve dhe qeverive dhe tre minuta për folësit e tjerë.
"Fjalimi i Presidentit tonë ishte i kufizuar në një periudhë 5-minutëshe brenda këtij kuadri. Prandaj, nuk ka dyshim që Presidentit tonë nuk do t'i lejohet të flasë ose që fjalët e tij do të ndërpriten", thuhej në deklaratë.
Drejtoria shpjegoi se fjalimi i Erdoganit e tejkaloi afatin kohor sepse "ndërpritej herë pas here nga duartrokitjet", duke bërë që mikrofoni të fikej automatikisht në minutën e pesë. Deklarata vuri në dukje se presidenti i Indonezisë përjetoi një ndërprerje të ngjashme automatike sipas të njëjtave rregulla procedurale.
Komente
