Gjashtë bashki të vendit do të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndër to edhe bashkia më e madhe e vendit Tirana, pasi kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg.
Lidhur me këtë u diskutua edhe ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ku analisti Ergys Mërtiti tha se PD duhet që të nxjerr një kandidatë që të mos jetë i zgjedhur nga Berisha.
Sipas tij, vetëm kështu kandidati që do të zgjidhet do të mund të votohet nga qytetarët.
‘Kjo reflekton krizën, ku ka hyrë opozita dhe kriza e PD është Sali Berisha, ai duhet që të ikë. Duke parë raportin e forcave politike duhet një kandidatë jashtë sferës së ndikimit të Berishës. Berisha gëzon urrejtje ose mospëlqim tek një masë e madhe që nuk shkojnë të votojnë sa kohë që kandidati është i tij. Berisha duhet që të pranoj çdo kandidatë jashtë sferës së tij të influencës me qëllim që të mund Edi Ramën. Dhe ai nuk do ta bëjë këtë dhe do të dalë me keq se në zgjedhjet e kaluara. Berisha nuk e pranon që nuk mund të vazhdojë më në politikë’, tha ai.
Mërtiti tha se Berisha nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e pjesshme lokale.
‘Berisha ka thënë se nuk bojkoton më dhe do të marr pjesë në çdo zgjedhje, sepse nëse ai nuk shkon në zgjedhje druhet se parti të tjera mund të maksimalizojnë votat. Berisha do të hyjë në këto zgjedhje për të penguar lindjen e një opozite te re dhe mendoj se nuk do ti bojkotojë këto zgjedhje’, tha ai.
Sipas tij, sa kohë Berisha është në krye të PD pengon mundësinë që të ketë një alternativë tjetër në zgjedhje, përballë kryeministrit Edi Rama.
‘Pala tjetër kundër Ramës ka mbetur peng tek Berisha, prandaj them që Berisha ka bllokuar rrugën që të kemi një alternativë kundër Ramës. Prania e tij pengon mundësin që të mundet Rama, ai duhet që të tërhiqet duke i dhënë opozitës një figurë të re, sa kohë ai është aty do të vijoj që ti zgjas pushtetin Ramës. Opozita shpik kauza, jo lufta për komisionet, lufta me ‘Diellën’, por për mua s’janë këto kauzat me të cilat duhet që të merret, ajo po i shpik këto për të shmangur thelbin e problemit që janë problemet e brendshme të saj’, tha ai.
Komente
