Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për vonesat në punën e Parlamentit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe kërkon që Komisionet Parlamentare të nisin urgjentisht funksionimin e tyre normal.
Deputeti thekson se janë shtyrë shumë në kohë detyrimet ligjore që lidhen me raportimin dhe analizimin e punës së disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Ai përmend konkretisht Bankën e Shqipërisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoritetin e Konkurrencës, të cilat sipas tij duhet të raportojnë për punën e vitit 2024 dhe për përmbushjen e detyrave të lëna nga Kuvendi.
Postimi i Erion Braçes:
‘Parlamenti duhet të fillojë punë më në fund! Komisionet të nisin punën. Komisioni për Ekonominë, Financat e Punësimin, ka një mal me detyrime ligjore që duhet të përmbushen tani. Është shumë vonë! Banka e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, këto së pari, duhet të raportojnë për punën e vitit 2024, përmbushjen e detyrave të lëna.
Komisioni i Ekonomisë që është përgjegjës për to duhet të marrë sa më parë në shqyrtim e analizë punën e tyre edhe në raport me njerëzit. Imagjinoni, për pak ditë jemi në tetor, d.m.th po mbyllet dhe ky vit, ndërkohë që duhet të analizojmë punën e vitit që shkoi! Është shumë vooonë’, shkruan ai.
Komente
